EVI REÇI – VAJZA E ÇILTËR ME ZËRIN E ËMBËL

 

Arti, moda dhe mediat janë tri fushat të cilat e kanë fascinuar dhe edhe e kanë përcjellë gjatë tërë jetë së saj këngëtaren, gazetaren dhe modelen Evi Reçi. Ndonëse u rrit larg Shqipërisë, dashuria e saj për muzikën shqipe gjithmonë e ktheu në vendlindje. Sot, ajo më së miri njihet nga publiku shqiptar si “Vajza e Vizionpasdites” por, dëshira e saj e madhe është që të njihet si: Vajza e çiltër me zërin e ëmbël.

 

Edhe pse e keni provuar radion, televizionin, muzikën ju njiheni më së shumti si ‘Vajza e Vizionpasdites’. Personalisht ku ndiheni më shumë si Evi Reçi e vërtetë?

Përveç si artiste, si këngëtare, njerëzit tashmë më njohin nga zëri për shkak të radios dhe nga TV pasi jam përditë në ekran. Unë ndihem artiste në thelb me dashuri të madhe për artin por, që puna mediatike tashmë është bërë pjesë e imja e pandashme të cilën e dua shumë!

 

A mund të bëni një krahasim midis përvojës suaj në Radio, TV dhe skenat e njohura muzikore si Kënga Magjike apo së fundi skena e Festivalit të Këngës në RTSH, dhe a mund të na thoni se si kanë ndikuar këto përvoja në zhvillimin tuaj individual dhe profesional?

Këta 3 sektorë (radio, TV dhe muzika në skenë) e kanë një të përbashkët që janë bashkuar tek unë: zërin! Unë e përdor zërin në muzikë dhe në media për të treguar, të shpreh mendimet, të mbërrij në zemrat e njerëzve. Skena mua më ka rritur artistikisht, më ka rritur po ashtu, edhe përgjegjësinë. Skena t’i jep emocionet më të bukura dhe dikush që merret me art krijon kujtime të jashtëzakonshme.

 

Çka të shtyri dhe kush të frymëzoi që të hyje në botën e artit?

Linda me muzikë pasi mamaja ime është muzikante, prej më shumë se 50 vite është violonçeliste. Ajo më dëgjoi, e pa brumin artistik dhe më futi në shkollën e muzikës në Athinë, aty ku studiova piano dhe këndim klasik dhe më vonë e specializova veten në Musical Art në Firencë.

Cilat aftësi apo veçori mendoni se ju bëjnë një gazetare të shkëlqyer?

Vështirë të flasësh për veten por meqenëse mu kërkua kështu, do të thosha që unë nuk e ndërpres të ftuarin, e lë të flasë deri në fund dhe mbi të gjitha jam shumë empatike. Futem nën lëkuren e tij, pavarësisht statusit social që ai e ka!

 

Nëse do të darkoje më tre persona të famshëm (qofshin ata personalitete të gjalla apo të vdekura), cilët janë ata?

Stromae, Adriano Celentano dhe nga shqiptarët Teodor Keko.

 

Cilat gjëra në jetë ju bëjnë të qeshni?

Batutat e zgjuara të momentit!!!

 

Çfarë bëni gjatë vikendeve?

Mundohem të largohem nga Tirana, shpesh vij në Prishtinë dhe po ashtu, shpesh shkoj në Itali.

 

Na trego diçka për ju që do të na çudiste?

I flas rrjedhshëm 5 gjuhë (shqip, greqisht, italisht, anglisht dhe frëngjisht) dhe që 13 vjeçe kam qenë modele profesioniste nëpër sfilata mode!

 

Na trego për një sfidë që e ke tejkaluar dhe si e ke tejkaluar?

Në tërmetin e 26 nëntorit 2019 i humba papritmas 7 familjarë të afërt, gjë që më tronditi shumë. Është ende plagë e hapur por, me kalimin e kohës e shndërrova në forcë për të vlerësuar më shumë jetën dhe momentin.

 

Nëse do ta dëgjoje vetëm një këngë gjatë gjithë jetës, cila do të ishte ajo?

Sa pyetje e vështirë!!!🤔 Mbase një instrumentale filmi, pa fjalë, mbase Einaudin.

 

Nëse do të haje vetëm një ushqim gjatë gjithë jetës, cili do të ishte ai?

Pastaaa!!!

 

Na trego një kujtim nga fëmijëria dhe ndjenjat që të sjell ai kujtim sa herë të bie në mend?

Kam shumë kujtime të bukura! Do e ndaj një që e kam nga mosha 5 vjeçare kur jetoja në Athinë dhe dola për herë të parë në ekran dhe i rash violonçelit. Më vonë, ishte kur këndova në skenë si 14 vjeçare dhe mami im u emocionua shumë!!

Çfarë do të bëje nëse do të fitoje 1 milion euro?

Investim në muzikën time, një investim në sektorin e modës, një shtëpi të re dhe të tjerat për fëmijët autik në Shqipëri dhe në Kosovë!

 

Cili është destinacioni turistik i ëndrrave?

Brazili, Japonia dhe Kina.

 

Cilin film e keni shikuar më shumë se njëherë?

‘Titanik’ dhe ‘La grande bellezza’!

 

Cilat janë dëshirat e tua për llambën e Aladinit?

Shëndet dhe dashuri të përjetshme!

 

Në cilën periudhë të historisë kishe pasur dëshirë të jetosh?

Në Rilindjen e Firencës në Itali!

 

A është dashuria vetëm fjalë?

Është më shumë! Është ndjenja që mund të të bëj të bësh çmenduri dhe kujtime të bukura!

 

Nuk mund të jetosh pa…?

Muzikë.

 

Cila është këshilla më e mirë që e keni marrë ndonjëherë?

Që të mbaj brendësinë time të butë të pa cenuar, por guacën time ta kem të fortë dhe fleksible që të mbijetoj!

 

Si duket një ditë e zakonshme në jetën e Evi Reçit?

Zgjohem në orën 06:00 për të shkuar në Club FM Radio ku e mbaj emisionin e mëngjesit live për 3 orë. Më pas shkoj në Vizion Plus për t’u përgatitur për emisionin tim “Vizioni Pasdites”. Më pas shkoj në palestër, ose takohem me miqtë për qejf apo për punë.

 

Facebook, Instagram, Snapchat, TikTok apo…?

Facebook, Instagram dhe LinkedIn😁

 

Telefonata, email-e apo mesazhe?

Vetëm mesazhe! I urrej telefonatat😂

 

A përdorni “emoji” gjatë komunikimit tuaj dhe cilin prej tyre e përdorni më shpesh?

Po sepse më ndihmojnë të përcjell mesazhin me emocionin e duhur!

 

A mund të shkruani një mesazh vetëm me “emoji” dhe të na e shpjegoni atë?

🙏💯💯🤗🎤🖌️(faleminderit shuuumë për këtë intervistë) ,😅

 

Si do të dëshironit t’ju mbanin mend më shumë?

Për vajzën e çiltër me zërin e ëmbël.

 

Cila është porosia e juaj për lexuesin tonë?

Mos u mërzisni nga sfidat dhe dhimbjet që po i kaloni pasi që çdo gjë ndodh për një arsye të mirë dhe pas shiut dielli del akoma dhe më i bukur!

PDF Magazine

Tetor

(ALB_ENG)210

READ MORE

NEW MAGAZINE