Organizata joqeveritare “Aktiv” nga Mitrovica e Veriut ka lansuar faqen e internetit të quajtur “Miqësia serbo-shqiptare”. Faqja përmban një bazë të dhënash të gjerë të internetit, që ofron njohuri vizuale, tekstuale dhe dokumentare të marrëdhënieve serbo-shqiptare në serbisht, shqip dhe anglisht. Këtu mund të gjeni tekste të ndryshme interesante, përfshirë ato për Faruk Begollin, Bekim Fehmiun, Dimitrije Tucoviqin, Marko Miljanovin, Skënderbeun, si dhe për lidhjet serbo-shqiptare në mesjetë.
Revista “4You” u informua nga autori i kësaj faqeje interneti se qëllimi i tyre është t’i ndihmojnë njerëzit, veçanërisht të rinjtë, të njihen me aspektet pozitive të marrëdhënieve serbo-shqiptare, të cilat deri më tani nuk janë trajtuar në mënyrë të konsiderueshme nga mediet e tjera. Materiali i kësaj faqeje përfshin libra të plotë mbi raportet ndërmjet këtyre dy komuniteteve, një bazë me video të dhënash që përmban intervista me intelektualë të shquar serbë dhe shqiptarë, si dhe aktivistë vendas, të cilët ofruan përgjigje për temat mbi mundësitë e të jetuarit së bashku, pajtimin historik dhe për miqësinë mes serbëve dhe shqiptarëve.
Një fije shprese në realitetin ekzistues
Drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare “Aktiv”, Miodrag Milliçeviq, ka thënë për Revistën “4You” se, në rrugën e pajtimit, një faqe e tillë është e nevojshme për serbët dhe shqiptarët. Atyre iu lindi kjo ide para dy vitesh kur nisi një iniciativë me qëllim të mbledhjes së përmbajtjeve që do të flisnin për miqësinë shqiptaro-serbe. Sipas tij, qëllimi i tyre nuk ka qenë të bëjnë një bibliografi të plotë, por të mbledhin vepra të njerëzve të cilat kanë promovuar tema që kanë shfaqur qëndrim pozitiv ndaj marrëdhënieve serbo-shqiptare në dekadat e fundit.
“Faqja ‘Miqësia serbo-shqiptare’ është një material cilësor që mund të përdoret veçanërisht sot në kohën kur po piqen gjeneratat të tjera të reja, që kanë këndvështrime më të hapura për botën. Është një fije shprese në besimin e realitetit ekzistues dhe është një bibliotekë e vogël për marrëdhëniet serbo-shqiptare, nga artikujt e gazetave deri te punimet akademike,” tha ai.
Milliçeviq shton se retorika e politikanëve serbë dhe shqiptarë po e ngadalëson kohëve të fundit zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet dy përkatësive etnike. Me të u pajtua edhe aktivistja për të drejtat e njeriut, Nora Ahmetaj, e cila theksoi se shembuj pozitivë të jetës së serbëve dhe shqiptarëve rrallë shihen në publik dhe në media, kështu që rëndësia e kësaj faqeje është aq më e mirë. “Është e nevojshme që mediet të gjejnë një gjuhë të përbashkët dhe histori të reja të mira. Ka shumë gjëra të mira që ekzistojnë dhe po ndodhin në terren, në jetën e përditshme të përbashkët të serbëve dhe shqiptarëve”, tha Ahmetaj.
Faqja e internetit “Miqësia serboshqiptare” është pjesë e projektit “Përmirësimi i miqësisë serboshqiptare” të realizuar nga OJQ “Aktiv” në partneritet me Institutin e Filozofisë dhe Teorisë Sociale nga Beogradi dhe Lëvizjes Evropiane në Serbi, e mbështetur nga Ambasada e Zvicrës në Prishtinë.
RRETH FAQES SË INTERNETIT “Serbian-Albanian Friendship”
Në faqen https://srb-al.emins.org/o-projektu/ mund të gjeni:
“Faqja e internetit ofron shumë shembuj të miqësisë, bashkëpunimit, hulumtimit të përbashkët, intervistave, përmbajtjeve edukative për marrëdhëniet serbo-shqiptare, dokumente dhe tekste me interes të përbashkët dhe materiale të tjera të ngjashme, të cilat ne përpiqemi t’i popullarizojmë dhe t’i bëjmë gjerësisht të disponueshme”, njoftuan OJQ “Aktiv” dhe Instituti për Filozofi dhe Teori Sociale nga Beogradi.