FENOMENI “NË MAJE TË GJUHËS’ OSE LETOLOGJIA

 

Sigurisht të gjithëve ju ka ndodhur që ta kujtoni emrin e dikujt, përkundër se jeni në gjendje që pamjen e personit në fjalë ta rikujtoni në mendjen tuaj dhe po ashtu, menjëherë do ta njihnit. Ndonëse, kjo ndodh më shpesh me emrat, i njëjti fenomen mund të ndodh me çdo fjalë të mundshme. Nuk është se nuk iu kujtohet koncepti, por thjesht nuk iu vjen në mend shprehja e duhur për të.

 

Pse na ndodh kjo të gjithëve?

Në këto situata, personi është i sigurt që e di fjalën të cilën është duke e kërkuar. Mund të duket sikur termin e ka ‘në majë të gjuhës’, por për arsye të panjohura thjesht nuk e thotë dot, të paktën jo në atë moment. Në fakt, psikologët këto përvoja edhe i quajnë ‘në majë të gjuhës’. Ndërsa, në botën profesionale ky fenomen i të mos kujtuarit të një fjale, emri, apo fraze të caktuar njihet si letologji.

 

Fjala letologji, është fjalë moderne e krijuar gjatë shekullit të 20-të dhe si shumë terma të tjerë shkencor bazohet në greqishten e vjetër dhe vjen nga dy fjalë – lethe që do të thotë harresë dhe logos që do të thotë fjalë ose arsye.

 

Arsyeja për paraqitjen e këtij fenomeni sipas shkencëtarëve ka të bëjë me mënyrën si punon truri ynë. Ndonëse, shpesh ai krahasohet me një kompjuter, ruajtja e të dhënave tona nuk bëhet në skeda të organizuara sikurse në kompjuter, në të cilat mund të qasemi me shtypjen e një butoni. Në trurin tonë, procesi i qasjes në informacionet e ruajtura varet nga numri i asociacioneve që i krijojmë me informacionet e reja dhe jo nga dëshira jonë për ta kujtuar atë.

 

Numri i fjalëve në fjalorin tonë është shumë i gjerë dhe sipas studiuesve shpesh i tejkalon 50.000 fjalë, ndonëse numri i atyre që i përdorim në mënyrë aktive në jetën e përditshme është shumë më i vogël. Pikërisht, fjalët më pak të përdorura në këtë fond të fjalëve që i njohim edhe e përbëjnë shumicën e fjalëve në lidhje me të cilat ne do ta përjetojmë fenomenin e letologjisë.

 

Çka thonë studimet?

Studimi i këtij fenomeni i paraqet disa sfida specifike për psikologët që dëshirojnë që ta kuptojnë si dhe pse vjen deri te paraqitja e situatave të tilla. Ata e dinë se fenomeni ‘në majë të gjuhës do të paraqitet’, por nuk e dinë se kur do të paraqitet. Kjo pasiguri i ka çuar në dy mënyra të ndryshme të studimit: përmes metodave natyraliste dhe përmes nxitjes eksperimentale të gabimeve të tilla në gjetjen e fjalëve në kushte laboratorike.

 

Studiuesit e këtij fenomeni janë munduar që të kualifikojnë në mënyrë specifike dy aspekte: sa shpesh paraqitet ky fenomen dhe gjasat për zgjidhjen e tij – gjegjësisht, nëse personit i kujtohet fjala në mënyrë spontane pa ndihmë nga jashtë (si për shembull përmes kërkimit të fjalës ose ofrimit të zgjidhjes nga dikush tjetër).

 

Në këto studime, pjesëmarrësit shpesh pa vështirësi ia kanë arritur që të gjejnë fjalën e kërkuar. Në disa rrethana të tjera subjektet e testuara nuk e kanë pasur idenë për domethënien e fjalës. Mirëpo, sa herë që ata kanë ardhur në gjendjen ‘në majë të gjuhës’, psikologët u kanë bërë pyetje shtesë. Me këtë rast, studiuesit kanë zbuluar që në këtë gjendje njerëzit mund të japin informacione të pjesshme për fjalën e kërkuar, edhe kur vetë fjala nuk ju vjen në mend.

 

Për shembull, në këto raste, subjektet e testuara kanë qenë shumë më të suksesshëm për të treguar saktë se sa shkronja i ka fjala, apo se cila është shkronja e saj e parë. Për më tepër, në këto situata, shpesh ata kanë krijuar fjalë të cilat kanë pasur domethënie të ngjashme. Madje, nganjëherë, ata kanë ofruar fjalë vetëm që kanë tingëlluar ngjashëm me fjalën e kërkuar.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE