FILLOJNË PARAPËRGATITJET FINALE PËR TESTIN E ARRITSHMËRISË 2020 NË KUSHTET E COVID-19

Siç është paralajmëruar edhe më parë, duke filluar nga sot, nxënësit e klasave të nënta u rikthyen në bankat shkollore. Ky rikthim i tyre në shkolla po bëhet në bazë të vendimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), i cili parasheh që në tërë vendin të organizohet mësimi plotësues për përgatitje për Testin e Arritshmërisë (TA). Për të siguruar mbarëvajtjen e këtij testi, i cili sivjet organizohet në rrethana jo të zakonshme për shkak të pandemisë COVID-19, MASHTI e ka përgatitur edhe një udhëzues për organizimin dhe administrimin e TA 2020.

 

Sipas udhëzuesit në fjalë të MASHTI, këtij testi do t’i nënshtrohen të gjithë nxënësit të cilët e kanë përfunduar klasën e 9-të. Nga testi i arritshmërisë lirohen nxënësit me nevoja të veçanta të cilët janë arsimuar me Plan Individual të Arsimit (PIA) dhe ata me fusha të aktiviteteve. Po ashtu, në këtë Udhëzues theksohet se nga data 8-19 qershor 2020 në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të ulëta do të organizohet mësimi plotësues për përgatitje për TA.

 

Sa i përket mësimit plotësues, Drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prishtinë, znj. Shpresa Shala, përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook (https://www.facebook.com/shpresa.shala.372/posts/10223087707605372), bëri të ditur se Komuna e Prishtinës tashmë i ka përfunduar të gjitha përgatitjet për organizimin e mësimit plotësues. Sipas saj, janë marrë masa që mësimi të zhvillohet me nga 15 nxënës në klasë. Me fjalë të tjera, klasat ekzistuese do të ndahen në dysh për shkak të respektimit të distancës. Ndërsa të gjithë nxënësit apo prindërit që dëshirojnë të kenë informacione të detajuara mund t’iu drejtohen shkollave përkatëse. Një veçori tjetër është se çdo ditë do të zhvillohen nga tri orë mësimi mirëpo, mësimi do të mbahet një ditë në shkollë kurse ditën tjetër online, kjo me qëllim të shmangies së paraqitjes së grupeve të mëdha të nxënësve në shkollë. Po ashtu, pas çdo dite të mësimit, objektet e shkollës do të pastrohen me dezinfektues.

 

Si zakonisht edhe sivjet TA do të mbahet në të njëjtën kohë për të gjithë nxënësit e klasave të nënta në shkollat e Kosovës. Kjo do të thotë se testi do të fillojë në orën 10:00 dhe do të përfundojë në orën 12:00. Për shkak të pandemisë COVID – 19 dhe në përputhje me rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), TA 2020 do të organizohet në atë mënyrë që të ketë numër sa më të vogël të nxënësve brenda një qendre të testimit dhe brenda klasave të testimit. Për këtë arsye, sivjet është paraparë që nga ora 8:30 deri në orën 9:00, të gjithë nxënësit që do t’i nënshtrohen TA duhet të arrijnë në oborrin Qendrës së Testimit së bashku me kujdestarët e klasave dhe të rreshtohen sipas udhëzimeve. Nga ora 9:00 deri në orën 9:30 nxënësit së bashku më administruesit do të hyjnë në Qendrën e Testimit dhe do të sistemohen në Klasën e Testimit. Kurse nga 9:30 deri në orën 10:00 nxënësve do t’iu jepen udhëzime dhe sqarime në lidhje me broshurën dhe fletë-përgjigjen nga Administruesi i Klasës përkatëse.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE