FILLON MANIFESTA 14 PRISHTINA

 

Organizatorët e Bienales Nomadike Evropiane – Manifesta e kanë përzgjedhur Prishtinën për të qenë Qyteti Nikoqir i edicionit të katërmbëdhjetë të saj. Themeluar në fillim të viteve 1990, Manifesta organizohet çdo dy vjet dhe çdo herë organizatorët e ndërrojnë lokacionin ku ajo mbahet.

 

Manifesta e rivlerëson marrëdhënien ndërmjet kulturës dhe shoqërisë civile, duke i hulumtuar dhe nxitur ndryshimet shoqërore pozitive përmes kulturës bashkëkohore në përgjigje dhe në dialog të ngushtë me sferën sociale dhe komunitetet e Qytetit Nikoqir.

 

Manifesta ka përzgjedhur vazhdimisht lokacione nikoqire të papritura për të pasqyruar ADN e Evropës, e cila është në ndryshim konstant, për të hedhur dritë në një botë të përkufizuar nga ndryshimet etike dhe estetike të çështjeve thelbësore.

 

Manifesta 14 Prishtina synon që t’i mbështesë banorët e Kosovës në ambiciet e tyre për t’i rikthyer hapësirat publike dhe për të rishkruar të ardhmen e kryeqytetit të tyre si një metropol mendje hapur në Ballkan dhe në Evropë përmes zhvillimit të një institucioni të ri kulturor.

 

Manifesta 14 Prishtina do të jetë e hapur nga data 22 korrik deri më 30 tetor 2022. Në edicionet e mëparshme Manifesta është organizuar në Roterdam (1996) Luksemburg (1998), Lubjanë (2000), Frankfurt (2002), San Sebastian (2004), Nikozi (2006 – anuluar), Trentino – Tiroli Jugor (2008), Mursia në dialog me Afrikën e Jugut (2010), Genk (2012), Shën Petersburg (2014), Cyrih (2016), Palermo (2018) dhe Marsejë (2020). Dy edicionet e ardhshme pritet të organizohen në Barcelonë, Spanjë (2024) dhe Zona e Rurit, Gjermani (2026).

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE