FILMA PËR FESTAT E FUNDVITIT 2021

 

Festat e fundvitit kanë mbërritur dhe bashkë me frymën festive ato sjellin edhe shumë ditë pushimi nga shkolla për ju dhe nga puna për prindërit tuaj. Prandaj, kjo është koha ideale për të shikuar disa filma të mrekullueshëm festiv. Në vijim i gjeni propozimet tona, të cilat ne besojmë që do t’i pëlqejnë tërë familjes suaj.

 

HOME SWEET HOME ALONE

Zhanri: Komedi, familjar

Regjia: Dan Mazer

Rolet: Ellie Kemper, Rob Delaney, Archie Yates, Timothy Simons, Ally Maki, Aisling Bea

Adhuruesit e filmit klasik Home Alone, do të kënaqen me filmin Home Sweet Home Alone të kompanisë Disney. Ndonëse janë punuar pesë filma të tjerë në këtë seri të dashur, asnjë i tillë nuk është prodhuar që nga viti 2012. Edhe në filmin e sivjetmë, ashtu si në filmat paraprak, kemi të bëjmë me çmenduri nga një fëmijë, mirëpo kësaj radhe telashegjiu është një britanik. Kur udhëtimi i familjes për në Tokio ndahet, në kaosin e krijuar Max mbetet në shtëpi dhe duhet ta mbrojë atë nga një çift që tenton të vjedh një trashëgimi të familjes.

 

LOVE HARD

Zhanri: Komedi romantike

Regjia: Hernan Jimenez

Rolet: Nina Dobrev, Darren Barnet, Jimmy O. Yang

Love Hard i trajton problemet e njohura të takimeve online, kur Natalie, një shkrimtare nga Los Anxhelos, shkon në Bregun Lindor për t’u takuar me personin që ajo beson se është realizimi i ëndrrave të saj. Vetëm për të zbuluar që e kanë mashtruar. Mirëpo, ekziston një fije shprese, pasi që mashtruesi pranon që ta prezantojë me personin nga fotot nëse ajo pranon të shtiret si e dashura e tij gjatë festave.

 

A BOY CALLED CHRISTMAS

Zhanri: Aventure, familjar, dramë

Regjia: Gil Kenan

Rolet: Henry Lawfull, Maggie Smith, Michiel Huisman, Kristen Wiig, Toby Jones

A Boy Called Christmas, e tregon historinë e Babait të Krishtlindjes në kontekstin e folklorit më tradicional anglez. Filmi e prezanton një djalosh të quajtur Nikolas, i cili e nis një rrugëtim në pyll gjatë dimrit për të gjetur babanë e tij në qytetin mitik të elfëve. Atë e shoqëron një dre, Blitzen, si dhe miku i tij besnik një miush manar i quajtur Mika.

 

8-BIT CHRISTMAS

Zhanri: Komedi

Regjia: Michael Dowse

Rolet: Neil Patrick Harris, Winslow Fegley, June Diane Raphael, Steve Zahn

“8-Bit Christmas” e përqendron historinë e tij te Jake Doyle (Neil Patrick Harris) teksa ai e rikujton një tregim Krishtlindjesh nga fëmijëria e tij për vajzën e tij. Tregimi ka të bëjë me peripecitë e Jake të ri (Winslow Fegley) për ta shtënë në dorë NES (Nintendo Entertainment System) legjendar – lodrën më të famshme në fund të viteve 1980.