FITUESIT E GARËS – LE TË MENDOJMË PËR MIQËSINË!

Të gjithë zgjedhin një mik sipas mënyrës se si janë, shprehive të tyre, perceptimeve, mendimeve të tyre. Miqësia e vërtetë dhe e sinqertë nuk njeh xhelozi, egoizëm dhe emocione të tjera që mund të sjellin grindje dhe mosmarrëveshje. Dashuria për një mik është vetëmohuese, e dyanshme dhe nuk ndalet kurrë, sepse një mik është aty për të të kuptuar, kur askush tjetër nuk është në gjendje ta bëjë, si dhe për të të respektuar dhe dashuruar kur askush tjetër nuk shqetësohet për këtë.

 

Shumë njerëz kalojnë jetën e një personi të zakonshëm, por vetëm miqtë e vërtetë lënë gjurmë në zemrën e tyre. Miqësia e sinqertë është më e fortë se çdo gjë. Ajo është e fortë dhe e pathyeshme.

 

Këto janë vetëm disa mendime rreth miqësisë dhe pas gati tre muajsh që nga fillimi i konkursit tonë letrar “Le të mendojmë për miqësinë!”, ne arritëm tek fituesit e kësaj gare.

 

Gjatë muajve të kaluar, më shumë se njëqind prej jush të rinjve, kanë ndarë me ne mendimet dhe idetë e tyre në lidhje me miqësinë. Ne i falënderojmë dhe i përgëzojmë të gjithë për punimet e shkëlqyera që kanë shkruar. Cilësia e punimeve, ashtu siç e prisnim, ishte jashtëzakonisht e mirë dhe nuk ishte aspak e lehtë për jurinë tonë që të shpallte fituesin. Sidoqoftë, me vendim unanim, pjesërisht falë jurisë dhe pjesërisht falë votave tuaja, fituesit e konkursit tonë janë: Yllka, Sofija, Besion, Marija, Ernit dhe Mihajlo.

 

Marija Curçiq është 15 vjeçe dhe është një nga fitueset e konkursit tonë. Ajo fitoi tabletin, siç thotë ajo, “falë revistës “For You”, të cilën e ka lexuar për sa kohë që edhe mban mend”. Ajo shton se nuk e priste këtë çmim, ndaj lumturia e saj është edhe më e madhe. “Ky çmim do të thotë shumë për mua, veçanërisht tani gjatë pandemisë së korona virusit, kur pjesën më të madhe të mësimit në shkollë e realizoj përmes internetit. Më duhet të pranoj që kjo temë e esesë më është përshtatur mjaft mirë, sepse miqësitë përfaqësojnë diçka të vlefshme dhe domethënëse në jetën e çdo personi. “Falënderoj revistën “For You” për tabletin dhe që më mundësoi të ndaj mendimet e mia me lexuesit e saj të shumtë,” theksoi Marija.

 

Nga ana tjetër, Yllka Zeqiri, e fitoi tabletin, falë votave të shumta dhe theksoi se ishte shumë e kënaqur që fitoi çmimin e saj në këtë mënyrë: “Është jashtëzakonisht e rëndësishme për mua që ata që e lexuan esenë time e pëlqyen atë, gjersa shumë e pëlqyen dhe e shpërndanë atë. Gjithashtu, pasi tema e konkursit ishte miqësia, unë do të doja të falënderoja të gjithë miqtë e mi që më votuan dhe më ndihmuan të arrija këtë fitore,” tha Yllka.

 

Në emër të redaksisë së revistës “For You” dhe Shtabit të Përgjithshëm të KFOR-it në Prishtinë, ne edhe një herë falënderojmë të gjithë pjesëmarrësit për esetë që dërguan. Ne gjithashtu duam t’ju kujtojmë edhe një herë se si u zgjodhën fituesit. Një fitues u përcaktua drejtpërdrejt përmes një votimi publik në formën e pëlqimeve dhe shpërndarjeve në “Facebook”. Dy fituesit e mbetur u zgjodhën nga një juri profesionale e përbërë nga personeli ushtarak i KFOR-it dhe anëtarët e personelit të redaksisë sonë, të cilët kanë punuar në këtë që nga mbyllja e fazës së votimit. Prandaj, të gjitha esetë që plotësuan kriteret e konkurrencës, të cilat lidhen me përmbajtjen, stilin, gramatikën dhe cilësinë e pikësimit të punimeve, u analizuan.

 

Urime fituesve, gjersa të tjerët i ftojmë të na ndjekin në platformat tona sociale, “Facebook” dhe “Instagram”, si dhe në faqen tonë të internetit, për më shumë befasi dhe lajme.

 

Këta janë fituesit e konkursit

 

  1. Yllka Zeqiri – fituese e votës publike me 1k (1141) pëlqime dhe 1000 shpërndarje;
  2. Besion Bobaj – fitues me vendim të jurisë;
  3. Ernit Sylejmani – fitues me vendim të jurisë.

 

  1. Sofija Adjançiq – fituese e votës publike me 501 pëlqime dhe 8 shpërndarje;
  2. Marija Curçiq – fituese me vendim të jurisë;
  3. Mihajlo Sofronijeviq – fitues me vendim të jurisë.
PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE