FORENZIKA – SHKENCA KUNDËR KRIMIT

 

CSI, Bones, CSI Navy, janë vetëm disa prej serive televizive, të cilat në vitet e fundit kanë arritur që t’i mbërthejnë miliona shikues në mbarë botën. Ajo që i bashkon të gjitha këto seri është pasqyrimi i punës së pjesëtarëve të forenzikës ose teknikës kriminalistike siç njihen në Kosovë. Përmes aplikimit të pajisjeve teknologjike dhe njohurive shkencore, këto njësi ndihmojnë në zbardhjen e krimeve më të ndërlikuara. Por, shikuesit mund të pyesin veten: a mundet vërtetë forenzika që të bëjë zbulime sikurse që paraqiten në seritë televizive?

 

Forenzika e PK-së ndër më të mirat në Ballkan

Revista 4U ia bëri këtë pyetje nënkolonelit Bashkim Spahiu, Drejtorit të Drejtorisë të Teknikës Kriminalistike pranë Departamentit të Hetimeve të Policisë së Kosovës. Sipas tij, Policia e Kosovës, është në gjendje që të zbulojë dhe mbledhë prova dhe dëshmi ashtu siç edhe janë pasqyruar në seritë në fjalë. Nënkoloneli Spahiu theksoi që Policia e Kosovës (PK) krenohet që njësitë e saj të teknikës kriminalistike janë ndër më të përgatiturat në tërë rajonin e Ballkanit.

 

Teknologjia dhe shkenca në shërbim të drejtësisë

“Departamenti i teknikës kriminalistike i Policisë së Kosovës është shërbim i specializuar në mbledhjen e dëshmive, dokumentimin, hulumtimin dhe identifikimin e të gjitha gjurmëve të gjetura në një skenë krimi,” tha nënkoloneli Spahiu. Ai vazhdoi më tej: “Misioni ynë fillon në terren dhe vazhdon në laborator ku ekipet e ekspertëve dhe shkencëtarët i përdorin pajisjet dhe teknologjinë tonë të re që të identifikojnë të dyshuarit.”

 

Gjatë bisedës sonë, nënkoloneli Spahiu theksoi se sektori më i rëndësishëm në këtë drejtori është sektori për fotografi, video analizë dhe ekzaminim të pajisjeve të teknologjisë informative (TI). Funksioni i këtij sektori është që të bëjë qartësimin e videove dhe pamjeve të vendeve të ngjarjeve. Funksioni tjetër është përgjegjësia për ekzaminimin e të gjitha pajisjeve të TI-së si kompjuterëve, telefonave, tabletave, USB-ve, DVRve, dhe të gjitha pajisjeve të tjera të ngjashme.

 

Ne mund t’i zgjidhim rastet më shpejtë

Kur bëhet fjalë, për punën hetuese, nënkoloneli Spahiu shtoi: “Ajo që duhet të kuptohet në lidhje me sekuestrimin dhe ekzaminimin e pajisjeve të ndryshme teknologjike, njësia jonë i ruan provat në lokacion të sigurt.” “Kjo do të thotë që sapo anëtarët e njësisë sonë të forenzikës e gjejnë dhe sekuestrojnë një pajisje, ata i kanë pajisjet dhe procedurat e nevojshme për t’u siguruar që të dyshuarit në asnjë mënyrë të mos mund të qasen në pajisjet e sekuestruara për të fshirë apo dëmtuar provat e mundshme.” Për më tepër, kjo njësi ka edhe ekspert të certifikuar deri në nivelet më të larta të mundshme të teknikës kriminalistike. Ata janë në gjendje që të rikthejnë materiale dhe dëshmi edhe nga pajisjet e dëmtuara fizikisht.

 

“Nuk ekziston krimi i përsosur dhe kriminelët gjithmonë lënë gjurmë dhe ne do t’i identifikojmë ata. Me pajisjet dhe teknologjinë e re ekzistuese si dhe zyrtarët policor të profesionalizuar ne mund t’i zgjidhim rastet më shpejt,” shtoi nënkoloneli Spahiu.

 

Në fund ai ua rikujtoi edhe njëherë të gjithë lexuesve tonë që Policia e Kosovës është në shërbim të të gjithë njerëzve në Kosovë! Prandaj, njerëzit në Kosovë duhet t’i drejtohen Policisë së Kosovës sa herë që kanë nevojë, pasi që ata i shfrytëzojnë mënyrat moderne për t’i kapur kriminelët, duke kontribuar kështu në sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë.

 

Rreth Drejtorisë së Teknikës Kriminalistike

Drejtoria e Teknikës Kriminalistike është e strukturuar si drejtori e specializuar që vepron në kuadër të Divizionit për Hetimin e Krimit. Detyrë e kësaj drejtorie është ofrimi i ekspertizës në kërkimin, gjetjen, identifikimin, mbledhjen dhe dokumentimin e gjurmëve të krimit të gjetura në vendin e ngjarjes. Drejtoria e Teknikës Kriminalistike ofron shërbime teknike-shkencore për Policinë e Kosovës, Institutin e Mjekësisë Ligjore, organet e drejtësisë dhe organizatat e tjera të zbatimit të ligjit.

PDF Magazine

Tetor

(ALB_ENG)210

READ MORE

NEW MAGAZINE