FRIKA, STRESI DHE SHËNDETI MENDOR GJATË PANDEMISË COVID-19

 

Nuk ka dyshim se stresi dhe frika janë vetëm disa prej efekteve negative anësore të izolimit në shtëpi, ndonëse mbajtja e distancës është e domosdoshme si masë parandaluese për përhapjen e pandemisë COVID-19. Madje, me kalimin e kohës, niveli i frikës dhe stresit sa vjen dhe shtohet duke e ngarkuar në mënyrë të posaçme mirëqenien e shëndetit tonë mendor.

 

Mos kini frikë që të shprehni ndjenjat e juaja

Ajo që duhet ta kuptojmë në këtë situatë është se një reagim i tillë është plotësisht normal. Madje, vetë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) është duke i kushtuar shumë rëndësi kësaj çështjeje dhe ka publikuar materiale të shumta në lidhje me këtë në llogarinë e tyre në Facebook. Në të gjitha këto materiale, porosia kryesore është se është normale që në një situatë të tillë të ndjehemi të mërzitur, të stresuar, të hutuar, të frikësuar apo të zemëruar. Ajo që ka rëndësi është që ne të mos ndjehemi të turpëruar të flasim për këto ndjenja me familjarët tonë. Ky është hapi i parë drejt përmirësimit, gjegjësisht mbajtjes së kontakteve me të dashurit tanë kudo që ata janë përmes teknologjisë. Stërvitja, ushqimi i shëndetshëm dhe fjetja me rregull po ashtu, janë tejet të rëndësishme për mirëqenien e shëndetit tonë mendor.

 

Informohuni për situatën

Një tjetër hap i rëndësishëm është që të informoheni për këtë situatë. Mirëpo, këtë informacion duhet ta marrim nga burime të sigurta siç është ueb faqja e OBSHsë apo institucionet e tjera shëndetësore kombëtare dhe lokale. Sidoqoftë, nuk duhet harruar që sa më shumë kohë të kalojmë duke dëgjuar lajme në lidhje me këtë situatë, aq më shumë e rrisim edhe nivelin tonë të shqetësimit. Prandaj, siç edhe thotë proverbi i vjetër: “Gjella me kripë por, kripa me karar!” Pra ne duhet të informohemi por, edhe duhet të kujdesemi që të mos e teprojmë në këtë drejtim.

 

Po ashtu, është tejet e rëndësishme që ta kuptoni se përdorimi i substancave si duhani, alkooli apo drogat nuk ndihmojnë në përballimin e këtyre emocioneve. Kursi i vetëm i drejtë i veprimit në këto raste është që të bisedoni me të afërmit e juaj apo edhe me specialist të shëndetit mendor.

 

Zhvilloni zakone të reja për mirëqenien e shëndetit tuaj mendor

Kjo nuk është hera e parë që njerëzimi përballet me një vështirësi të tillë. E kaluara e njerëzimit ka plot raste të tilla të sëmundjeve me pasoja fatale. Prandaj, masat e propozuara nga organizata të tilla si OBSH dhe zbatimi i tyre kanë dhënë dhe janë duke dhënë rezultate pozitive. Për këtë arsye, është mirë që këto masa të përgjithshme t’i shohim dhe kuptojmë si zhvillimin e zakoneve të reja të cilat e sigurojnë mirëqenien tonë fizike dhe mendore. Krahas zakoneve të tilla të përbashkëta mundohuni që gjatë kësaj kohe të zhvilloni edhe disa zakone individuale të cilat do t’ju ndihmojnë të përballeni me emocionet e juaja dhe që të siguroni mirëqenien tuaj. Disa prej këtyre zakoneve mund të jenë:

 

  1. Përqendrohuni çdo ditë në atë se çka mund të bëni dhe veproni, pa marrë parasysh sa të vogla janë këto veprime

Zgjidhjet që nuk kërkojnë kushedi çfarë teknologjie janë të rëndësishme. Në përputhje me udhëzimet zyrtare gjeni mënyra për të zhvilluar aktivitet dhe ushtrime fizike. Filloni e thirrni në telefon, përmes cilësdo platformë që e keni në dispozicion, familjarët dhe miqtë tuaj, madje edhe ata që nuk i keni thirrur për një kohë të gjatë. Mundohuni që të jeni më të vëmendshëm dhe më mbështetës për të gjithë njerëzit përreth jush. Ne të gjithë mund të mësojmë se është më e rëndësishme që të fokusohemi në atë se çka mund të bëjmë në të tashmen se sa në atë se çka nuk mund të bëjmë.

 

  1. Eksploroni dhe formësoni veglat e reja për mirëqenien mendore

Pandemia COVID-19 në mënyrë masive është duke i vënë në pah burimet në rritje të cilat mund të qasen online. Mundohuni që t’i eksploroni dhe zotëroni këto mundësi për zhvillimin domethënës dhe pozitiv të kontakteve, vëmendjes, vetëkujdesit, mësimit në distancë, etj. Kjo është koha më e mirë që të vlerësojmë shfrytëzimin tonë të teknologjisë. Sigurisht, aplikacionet nuk ofrojnë automatikisht mirëqenie, gjumë apo fundin e brengave. Mirëpo, ato janë vegla përmes të cilave ne mund të mësojmë që të përmirësojmë veten dhe të tjerët.

 

  1. Fuqizoni njerëzit përreth jush

Ne të gjithë mund të ofrojmë mbështetje për komunitetet tona (familjet, lagjet, punën dhe kolegët, etj.). Sipas disa studimeve në SHBA, porositë më të suksesshme për parandalimin e përhapjes së COVID-19 janë ato që i marrin në konsideratë detyrën dhe përgjegjësitë ndaj familjes, miqve dhe bashkëqytetarëve, dhe jo vetëm ato për agjenda personale. Me fjalë të tjera, COVID-19 mund të jetë një mundësi për të gjithë ne që të punojmë drejt krijimit të një komuniteti më të qëndrueshëm global, një komuniteti që praktikon higjienë fizike dhe mendore. Tani është koha që veprimet individuale dhe ato kolektive të orientohen drejt mirëqenies së të gjithë neve.

 

(Ky artikull iu dedikohet prindërve dhe fëmijëve)

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE