FSK E RINDËRTON URËN QË I BLLOKOI 1800 BANORË SHQIPTAR, SERB DHE ROM NË KOMUNËN E KAMENICËS

 

Të reshurat e shumta që erdhën në fillim të janarit të këtij viti sollën edhe vërshime, të cilat shkaktuan dëme të konsiderueshme anekënd Kosovës, sidomos në infrastrukturën rrugore. Në mesin e objekteve të dëmtuara nga këto vërshime është edhe ura në fshatin Hajnoc në Komunën e Kamenicës.

 

Si pasojë e dëmtimit të kësaj ure rreth 1800 banorë të 10 fshatrave të kësaj ane të banuara me shqiptar, serb dhe rom mbetën të bllokuara pasi që kjo ishte rruga e tyre e vetme e kalueshme gjatë muajve të dimrit. Për këtë arsye, kërkesës së komunës për ndihmë në restaurimin sa më të shpejtë të urës në fshatin Hajnoc iu përgjigjën Garda Kombëtare e Kosovës, gjegjësisht Regjimenti i Xhenios, të cilët e ngritën një urë mobile Mabey-Johnson 200 Compact me gjatësi prej 36,58 metra, gjerësi 6 metra dhe kapacitet bartës deri në 40 tonelata.

 

Kapiten Ardian Ramadani, komandant i kompanisë së ndërtimeve, Regjimenti i Xhenios, pjesë e Gardës Kombëtare, theksoi se pas përfundimit të punimeve përgatitore, më 10 shkurt një forcë prej 23 pjesëtarëve të FSK-së e filloi montimin e urës në fjalë. Më pak se njëzet ditë më vonë, më saktësisht më 1 mars 2021, ura Mabey-Johnson u përfundua dhe u lëshua në përdorim.

 

Me rastin e përurimit të kësaj ure, Kryetari i Komunës së Kamenicës, z. Qëndron Kastrati, u shpreh jashtëzakonisht i kënaqur me përfundimin e kësaj ure dhe rrjedhimisht zhbllokimin e rreth 1800 banorëve të kësaj ane.

 

“Ashtu si tërë Komuna e Kamenicës që është një komunë shumë etnike, edhe kjo zonë është e përzier etnikisht. Vet fshati Hajnoc është fshat serb kurse fshatrat e tjera janë të banuara me shqiptar dhe rom. Dëmtimi i kësaj ure pothuajse e bllokoi në tërësi qarkullimin e banorëve të këtyre fshatrave, dhe po ashtu e çrregulloi edhe ofrimin e shërbimeve arsimore dhe shëndetësore,” deklaroi z. Kastrati. Ai vazhdoi më tej duke rikujtuar se gjatë kësaj kohe mësimi u ndërpre, kurse sa i përket shërbimeve mjekësore e tëra që komuna ka mundur të bëjë është vendosja e një ekipi teknik shëndetësor. “Për këtë arsye jam shumë i lumtur që kemi arritur që ta ndërtojmë këtë urë të përkohshme, deri në ndërtimin e një ure të përhershme,” theksoi z. Kastrati.

 

Në fund z. Kastrati i porositi të gjithë banorët e Kosovës dhe sidomos të rinjtë që të punojmë sa më shumë të bashkuar dhe t’i respektojmë institucionet e Kosovës.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE