FSK NË SHËRBIM TË TË GJITHA KOMUNITETEVE QË JETOJNË NË KOSOVË

 

Më 7 prill 2021 kompania e materialeve të rrezikshme pranë Regjimentit të Mbrojtjes Civile të Gardës Kombëtare të Kosovës të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), e zhvilloi një inspektim në depon e materieve të rrezikshme në premisat e kompanisë “Euro Steel” në Pejë. Kapiteni Bujar Ferizi nga kjo kompani theksoi se kjo është një prej dymbëdhjetë depove të tilla që ekzistojnë në tërë territorin e Kosovës.

“Tash e njëzet vite KFOR-i dhe FSK bashkërisht e kryejnë inspektimin dhe monitorimin e mbetjeve toksike industriale. Ne i monitorojmë dhe i inspektojmë këto pika, për t’u siguruar që ato të mos kthehen në një kërcënim dhe të rrezikojnë shëndetin dhe pronën e qytetarëve,” theksoi kapiteni Ferizi.

 

Materiet toksike trashëgimi e fabrikave të dikurshme

Të gjitha këto pika të mbetjeve toksike industriale janë krijuar nga mbetjet e materialeve të cilat janë përdorur si lëndë e parë në procesin e prodhimit në fabrikat e ndryshme në Kosovë. Kështu për shembull, në depon në Pejë gjenden materialet e mbetura nga ish fabrika për prodhimin e pjesëve të makinave “Zastava”. Pas privatizimit, ndonëse destinacioni apo më mirë të themi aktiviteti ekonomik i të gjitha këtyre ish fabrikave ka ndryshuar, kompanitë privatizuese i kanë trashëguar edhe këto mbetje. Deri në krijimin e një depoje qendrore adekuate për depozitimin e këtyre mbetjeve kompanitë privatizuese sikurse “Euro Steel” në Pejë bashkë me ndihmën e FSK-së, KFOR-it dhe institucioneve të tjera të Kosovës duhet që t’i depozitojnë këto materie dhe të mos lejojnë që ato të kthehen në kërcënim për ambientin, sigurinë dhe shëndetin e qytetarëve.

 

Në pritje të deponisë adekuate qendrore

Gjatë inspektimit në Pejë ishin të pranishëm edhe inspektorët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Me këtë rast inspektorja Safete Kuqi deklaroi se është duke u punuar në krijimin e një depoje të mirëfilltë për depozitimin e të gjitha mbetjeve industriale toksike që gjenden në Kosovë. “Aktualisht komisionit qendror përkatës i janë prezantuar tri lokacione ku mund të ndërtohet deponia në fjalë. Pasi që ky komision të merr vendimin dhe të përcaktojë lokacionin do të kalojmë në fazat e tjera për realizimin e këtij projekti shumë të rëndësishëm,” shtoi znj. Kuqi. Ajo më tej theksoi se falë punës së pjesëtarëve të FSK-së dhe të KFOR-it, gjatë dy viteve të fundit ka pasur zhvillime pozitive në të gjitha dymbëdhjetë pikat, pasi që pronarët tashmë i kanë kaluar ato në depo më të sigurta. Njëherit FSK i ka zëvendësuar të gjitha fuçitë e këtyre mbetjeve të cilat kanë qenë të dëmtuara nga korrozioni duke e rritur kështu nivelin sigurisë së tyre.

 

Të punojmë së bashku për një të ardhme më të mirë

Në këtë inspektim mori pjesë edhe tetari Anel Emini, i cili po ashtu është pjesëtar i kompanisë së materialeve të rrezikshme të FSK-së. Në lidhje me rolin e tij në kuadër të kësaj kompanie ai tha: “Jam i stërvitur që me pjesëtarët e tjerë të njësisë në kuadër të detyrave tona të zhvillojmë operacione kundër materialeve të rrezikshme. Ne jemi gjithmonë të gatshëm që t’iu shërbejmë të gjitha komuniteteve në Kosovë për të kontribuuar në krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë ne.” Ai vazhdoi më tej duke iu bërë thirrje të gjithë të rinjve që me punë të ndershme dhe me aftësitë tona të punojmë për të ecur përpara dhe që të jemi të mirë ndaj njëri-tjetrit për të krijuar një mjedis me kushte sa më të mira. Tetari Emini iu bëri thirrje të gjithë të rinjve dhe sidomos atyre nga minoritetet që të aplikojnë për t’u bërë pjesë e FSK-së, sepse në këtë mënyrë do të kontribuojnë për mirëqenien e tërë qytetarëve të Kosovës.

 

Ta mbrojmë mjedisin së bashku

Në lidhje me këtë inspektim ekipi ynë bisedoi edhe me majorin Norbert Bognar nga Shtabi i Përgjithshëm i KFOR-it. Ai theksoi se në këto inspektime KFOR-i kryesisht e ka një rol mbikëqyrës. “Pas çdo inspektimi unë e përgatis një raport të cilin ia dorëzojë komandantit tim dhe çdo vit ne i paraqesim sugjerimet tona për gjendjen si dhe për uljen e kërcënimit nga lokacionet e tilla në tërë Kosovën,” deklaroi majori Bognar. Në fund të këtij prononcimi për revistën tonë majori Bognar i porositi të gjithë që të angazhohemi që ta mbrojmë mjedisin sepse kur ne e mbrojmë ambientin nuk e mbrojmë atë vetëm për ne, por edhe për pasardhësit tonë. Me fjalë të tjera, sipas tij, mjedisi është trashëgimia jonë për brezat e ardhshëm!

PDF Magazine

Tetor

(ALB_ENG)210

READ MORE

NEW MAGAZINE