FSK – NË SHËRBIM TË TË GJITHË NJERËZVE NË KOSOVË

 

Sa herë që paraqiten situata të rrezikshme është thelbësore që të kemi një shërbim adekuat që do të jetë në gjendje që të përballet me to. Në Kosovë, përgjegjësinë për t’u përgjigjur ndaj situatave të tilla e ka Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), njësitet e së cilës janë të ndara në kompani të specializuara të Zjarrfikësve, Kërkim Shpëtimit, Menaxhimi i Materialeve të Rrezikshme (HAZMAT) dhe Deminimi (EOD).

 

Zjarrfikësit

Shumica e komunave të Kosovës tashmë kanë shërbime aktive të zjarrfikësve. Sidoqoftë, sa herë që ka nevojë kompania e zjarrfikësve të FSK-së është gjithmonë e gatshme që t’iu dalë në ndihmë atyre, kudo në Kosovë. Kjo u pa qartë gjatë intervenimeve të tyre për të ndihmuar në fikjen e zjarreve të pyjeve të cilat shpërthyen në disa komuna të Kosovës gjatë muajve të kaluar.

 

Kërkim shpëtimi

Për arsye praktike, aktivitetet e njësisë së kërkim shpëtimit janë të ndara në kërkim shpëtim malor dhe urban. Kërkim shpëtimi urban është përgjegjës për të gjetur njerëzit e humbur në mjedise urbane. Gjegjësisht, shërbimet e tyre kërkohen më së shumti në raste të tërmeteve të mëdha kur njerëzit mbesin të bllokuar nën rrënojat e ndërtesave. Sa i përket kërkim shpëtimit malor, ata përfshihen kur ka nevojë që të kërkojnë dhe shpëtojnë për njerëz që humbin ose pësojnë aksidente në male, si për shembull në rastin e alpinistëve.

 

Menaxhimi i materialeve të rrezikshme (HAZMAT)

HAZMAT është shkurtesë në gjuhën angleze për Hazardous Materials – Materiale të Rrezikshme, dhe siç nënkuptohet nga vet emri kjo njësi është reaguesi kryesor për t’u përballur me emergjenca që rezultojnë nga aksidente me kimikate që e rrezikojnë shëndetin dhe jetët e banorëve të Kosovës. Siç kemi raportuar më parë në edicionin e muajit prill të revistës sonë, kjo njësi është e angazhuar gjatë tërë vitit në inspektimin dhe monitorimin e dymbëdhjetë pikave të grumbullimit të mbeturinave toksike në tërë Kosovën, së bashku me KFOR-in. Këto depozita të mbeturinave toksike, janë mbetje të lëndëve të para kimike të cilat janë përdorur në prodhimtarinë e ish fabrikave të Kosovës.

 

Deminimi (EOD)

Sikurse njësia e HAZMAT-it, edhe njësia e deminimit është aktive në terren gjatë tërë vitit. Detyra e tyre është që të gjejnë çfarëdo mjete të pashpërthyera dhe që t’i largojnë ato në mënyrë të sigurt dhe profesionale. Falë përpjekjeve të tyre, me mijëra metra katror të tokave, pyjeve dhe ndërtesave tashmë janë pastruar nga të gjitha mjetet e tilla.

 

Pa marrë parasysh llojin e kërcënimit apo kërkesës për ndihmë, një gjë është e përbashkët për të gjitha këto njësi: ato janë të gatshme që të reagojnë në çdo kohë dhe t’iu dalin në ndihmë të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë – pa kurrfarë përjashtimi.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE