“FUTURE NOSTALGIA” E DUA LIPA FITON GRAMMY PËR ALBUMIN MË TË MIRË POP VOKAL

Do të mbahet, nuk do të mbahet! Nëse mbahet si do të mbahet? Këto ishin vetëm disa prej dilemave që e rrethuan ceremoninë e sivjetme të Çmimeve Grammy, e cila u mbajt të hënën (15/03/2021) herët në mëngjes sipas kohës sonë.

 

Gjëja e parë që ra në sy ishte se kjo ceremoni e reflektoi pandeminë e COVID-19 me të cilën është duke u përballur tërë bota. Kështu, kjo ceremoni, falë motit të ngrohtë në Los Angjelos të Kalifornisë u mbajt në një skenë të hapur në ambient të jashtëm ku në prapavijë shiheshin pjesë të qytetit. Po ashtu, mysafirët e pranishëm ishin në përputhje të rreptë me masat anti COVID-19.

 

Për shikuesit në hapësirat shqiptare, padyshim pjesa më e rëndësishme e kësaj ceremonie sivjet ishte nëse Dua Lipa do të arrinte të fitonte në ndonjërën prej gjashtë kategorive në të cilat ishte e nominuar. Edhe kësaj here Dua nuk na dëshpëroi pasi që ajo u shpërblye me një Grammy për kategorinë e Albumit më të Mirë Pop Vokal (Best Pop Vocal Album). Më këtë fitore Dua e çoi në tre numrin e Çmimeve Grammy të fituara deri tani. Kujtojmë se në vitin 2020 Dua Lipa u shpërblye me dy Grammy: Artistja e Re më e Mirë (Best New Artist) dhe Regjistrimi më i Mirë Dance (Best Dance Recording).

 

Në fjalimin e saj falënderues me rastin e pranimit të shpërblimit të saj Dua në mes të tjerash theksoi se albumi “Future Nostalgia” ishte tejet domethënës për të pasi që i kishte mësuar asaj sa e rëndësishme është lumturia. Krahas falënderimeve për të gjithë bashkëpunëtorët, familjen dhe miqtë që e kanë përkrahur që kur filloi t’i hidhte hapat e parë në muzikë si 17 vjeçare, një falënderim të veçantë Dua e shprehu për adhuruesit e saj: “Dua që të shpreh një falënderim masiv; masiv për adhuruesit e mi… e tërë kjo është falë jush.”

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE