GJËRAT QË JU ZËNË VEND POR QË NUK JU DUHEN

 

Prilli është një muaj që ka atë energjinë e veçantë. Ditët janë më të gjata, dielli shfaqet më shpesh dhe edhe ne vetë duket sikur kemi më shumë vullnet të lëvizim. Është ai moment i vitit kur të lind dëshira të ndryshosh diçka. Jo domosdoshmërisht gjëra të mëdha. Ndonjëherë mjafton të fillosh duke pastruar hapësirën ku jeton.

 

Nëse të ndodh që dhoma jote është plot, por prapë ke ndjesinë se gjithçka të mbyt, nuk je i vetmi. Pikërisht dollapët dhe sirtarët shpesh bëhen vendi ku përfundon çdo gjë që nuk të duhet më, por që “të vjen keq ta hedhësh”. Kështu rrëmuja grumbullohet ngadalë, pothuajse pa u vënë re. Pastrimi pranveror nuk ka pse të jetë i lodhshëm apo perfekt. Nuk ka të bëjë me të pasurit pak gjëra, por me të pasurit gjërat që të duhen vërtet dhe me të cilat ndihesh mirë. Kur çlirohesh nga tepricat, hapësira bëhet më e lehtë,  dhe shpesh edhe ti vetë ndihesh më i çliruar.

 

Me rëndësi është të fillosh

Edhe pse nuk ekziston një metodë e përsosur apo udhëzimi më i mirë për ta zgjidhur këtë detyrë, një praktikë e mirë është të filloni nga maja e dollapit dhe të ecni ngadalë “drejt poshtë”. Filloni më parë me heqjen paraprake, duke u çliruar nga gjërat për të cilat është më e qartë se duhet të ndaheni prej tyre. Nxirrni jashtë grumbullin e rrobave, filloni t’i provoni dhe pastaj i renditni sipas nevojës. Nëse po pyesni çfarë të bëni me atë palë pantallonash që nuk i keni veshur që nga viti 2023 – përgjigjja është mjaft e thjeshtë: hidhini ose dhuroni. Kur jeni në këtë fazë të pastrimit, është jashtëzakonisht e rëndësishme t’i provoni vërtet të gjitha gjërat, sidomos ato për të cilat nuk jeni të sigurt nëse ju duhen apo jo. Në fund, besoni ndjesisë suaj: nëse hezitoni shumë gjatë për diçka, ky është tashmë një shenjë se ajo gjë nuk e ka më vendin në dollapin tuaj. Dollapi duhet t’jua lehtësojë përditshmërinë, jo ta komplikojë edhe më shumë.

 

Gjëra të vogla por që krijojnë rrëmujën më të madhe

Shpesh mendojmë se problemin e krijojnë gjërat e mëdha, por në të vërtetë janë gjërat e vogla, çorapet me vrima, bluzat që e kanë humbur formën, dorezat pa palë, çadrat e vjetra, bizhuteritë që nuk i vendosni kurrë, por i ruani “për çdo rast”. Pastaj janë karikuesit e telefonit për të cilët as nuk e dini më se për çfarë shërbejnë, kabllot e ngatërruara dhe shishet bosh të parfumit që rrinë në raft pa asnjë qëllim. Të gjitha këto gjëra, veç e veç, duken të padëmshme, por së bashku zënë vend dhe krijojnë rrëmujë.

 

Pastrimi pranveror si një “reset” i vogël

Nuk keni pse t’i bëni të gjitha për një ditë. Mjaftojnë njëzet minuta, pak muzikë në sfond dhe vendimi për të filluar. Pranvera na kujton se është në rregull të lëshojmë gjërat që nuk na shërbejnë më, si në hapësirë, ashtu edhe në mendje. Më pak gjëra shpesh do të thotë më pak presion. Prandaj pikërisht prilli është momenti ideal për të krijuar vend për atë që vjen.

 

Mbani mend: nuk ka rregulla dhe nuk ka nxitim. Pastrimin pranveror e bëni për veten, jo për rend të përsosur apo për fotografi në rrjete sociale. Hapësira juaj duhet të jetë vendi juaj i sigurt. Kur keni më pak gjëra të tepërta rreth vetes, merrni frymë më lehtë, mendoni më qartë dhe krijoni më lehtë hapësirë për gjërat e reja që po vijnë.

Our team delivers reliable solutions tailored to your specific needs. We prioritize quality and customer satisfaction in every project.

Address :

Info :

Best KINDERGARTEN Theme

All Demos Included

With Kindergarten WordPress Theme you will have everything you need to create a memorable and enchanting online presence. Start create your dream education site today.