Disa thonë se maji është muaji më i bukur i vitit dhe është e vështirë të mos pajtohesh. Nuk është shumë nxehtë, por mjaftueshëm ngrohtë që të bëjë të duash të kalosh gjithë ditën jashtë. Natyra duket më e gjallë se kurrë, ditët janë më të gjata dhe duket sikur papritur ke më shumë energji dhe më pak arsye për të qëndruar brenda.
Pikërisht për këtë arsye, maji është ideal për plane spontane dhe për t’u larguar nga rutina e përditshme. Nuk të duhet një buxhet i madh apo planifikim i ndërlikuar. Një piknik njëditor është ndoshta opsioni më i thjeshtë dhe, me disa ide të mira, mund të kthehet lehtësisht në diçka shumë më tepër sesa thjesht të ulesh në bar.
Shëtitje dhe piknik
Një nga opsionet më të mira është të kombinoni piknikun me një shëtitje të lehtë. Nuk ka nevojë të jetë e lodhshme, mund të jetë një ecje e shkurtër në park, një ngjitje e lehtë drejt një pamjeje të bukur, apo edhe një shëtitje më e gjatë në një pjesë më të qetë të qytetit. Qëllimi nuk është të lodheni, por të shijoni rrugën. Shpesh, kjo pjesë del më mirë sesa pritet, biseda, të qeshura, ndalesa të shkurtra dhe ajo ndjesia e të “shkuarit” diku, edhe pa një plan të saktë. Kur më në fund arrini në vendin tuaj dhe e bëni një pushim, pikniku merr një kuptim krejt tjetër. Gjithçka ndihet më e relaksuar, qëndroni më gjatë dhe thjesht e shijoni momentin më shumë.
Çiklizëm në natyrë
Nëse dëshironi një përvojë më aktive, çiklizmi është një zgjedhje e shkëlqyer. Ai ofron ndjenjë lirie, sepse nuk keni nevojë të ndiqni një plan të caktuar, mund të ndryshoni drejtim, të bëni pushime kur të dëshironi dhe të ndaloni aty ku ju pëlqen më shumë. Lëvizja pranë lumit apo nëpër natyrë është veçanërisht e këndshme për shkak të pamjeve. Kur gjeni një vend të bukur, pak bar, hije apo një pamje të mirë, mund të ndaloni, të bëni një piknik të shkurtër dhe të pushoni. Nuk ka nxitim, nuk ka rregulla të forta, gjithçka është spontane. Shpesh, këto ndalesa të paplanifikuara bëhen momenti më i bukur i ditës.
Ecje dhe lojëra në natyrë
Nëse shkoni në grup dhe e dini që nuk do të qëndroni gjatë ulur, përfshini disa aktivitete. Kombinimi i ecjes dhe lojërave në natyrë e krijon balancën perfekte mes lëvizjes dhe relaksimit.
Dhe sigurisht, ushqimi
Ushqimi është një pjesë e rëndësishme e çdo pikniku, por nuk ka nevojë të jetë i ndërlikuar për të qenë i shijshëm. Në fakt, është më i mirë kur është i thjeshtë, praktik dhe i lehtë për t’u ndarë. Sanduiçët dhe ‘wrap-et’ janë gjithmonë një zgjedhje e sigurt, sepse janë të lehtë për t’u paketuar dhe për t’u ngrënë. Frutat janë ideale për freski. Snacks dhe diçka e ëmbël shtojnë një prekje ekstra, dhe mos harroni limonadën, lëngjet dhe, sigurisht, ujin. Është mirë që gjithçka ta përgatisni paraprakisht, në mënyrë që kur të arrini, të mos keni punë shtesë, thjesht hapni dhe shijoni.
Mos harroni, qëllimi nuk është që pikniku të jetë i organizuar në mënyrë perfekte. Përkundrazi, ideja është të dilni jashtë, të ndryshoni ritmin dhe të krijoni një ditë ndryshe nga të tjerat, sepse pikërisht këto ditë mbeten më gjatë në kujtesë.



