
Falë një ftese miqësore nga Z. Hajdin Islami, ekipi ynë e pati nderin dhe kënaqësinë që të vizitonte Gjimnazin “Eqrem Çabej” në Vushtrri. Kjo shkollë prestigjioze, e njohur për historinë e saj të gjatë dhe arritjet e jashtëzakonshme akademike, po e vendos një standard të lartë për shkollat në Kosovë. Sukseset e saj të jashtëzakonshme janë një shembull i shkëlqyer që të gjitha institucionet akademike duhet ta synojnë, dhe ne jemi të ngazëllyer që ta ndajmë historinë e tyre me ju.
I themeluar në vitin 1963, ky gjimnaz është shndërruar në një nga institucionet më të respektuara arsimore në Kosovë dhe përtej saj, duke ofruar mbështetje të fortë për nxënësit e qytetit dhe fshatrave përreth. Që nga viti 2013, shkolla e ka një ndërtesë moderne që ofron kushte të shkëlqyera për mësim. Me rreth 7,000 metra katrorë hapësirë, nxënësit përfitojnë nga klasa të mjaftueshme, kabinete të specializuara për lëndë të ndryshme dhe objektet sportive, ku përfshihet një palestër, si dhe fushat e hapura për volejboll, futboll dhe basketboll. Aktualisht, shkolla i ka 740 nxënës, nga të cilët 62 për qind janë vajza dhe 38 për qind janë djem. Mësimi zhvillohet në dy ndërrime: ku ndërrimi i mëngjesit e fillon punën në orën 7:10 ndërsa ndërrimi i pasdites përfundon në orën 18:20. Një ekip prej 51 mësimdhënësish, së bashku me drejtorin, zëvendës drejtorin, sekretarin, pedagogen, psikologun, bibliotekistin dhe stafin teknik, punojnë çdo ditë për të mbështetur rritjen dhe suksesin e këtyre nxënësve.

Një traditë e shkëlqyer në gara
Nxënësit e Gjimnazit “Eqrem Çabej” kanë arritur sukses të jashtëzakonshëm në shumë fusha. Në vitin 2024, ekipi i futsallit për djem u bë kampion kombëtar i Kosovës, ndërsa ekipet e basketbollit dhe hendbollit për vajza e arritën vendin e dytë në nivel kombëtar. Suksese janë arritur edhe në shkenca pasi që nxënësit e kësaj shkolle kanë arritur vende të larta në garat e fizikës në vitet 2024 dhe 2025. Madje nxënësi, Erti Rushiti, do ta përfaqësojë Kosovën edhe në gara ndërkombëtare në fizikë. Në kimi, nxënëset si Anesë Kutllovci, Melika Tiriqi, Tina Gashi, Armelinda Shala dhe Redon Hajrizi kanë arritur rezultate të shkëlqyera në nivelin rajonal dhe tani janë duke konkurruar në nivel kombëtar. Në art, talentet e rinj nga shkolla kanë fituar çmime ndërkombëtare nga organizata si GIZ dhe INDEPI, duke e sjellë një Tabelë të Mençur (Smart Board) si shpërblim për shkollën e tyre. Shkolla është gjithashtu krenare për klubet e nxënësve të saj. Klubi Kundër Diskriminimit, i drejtuar nga Profesori Artin Dushi, ka ndihmuar në sjelljen e pajisjeve të reja në shkollë, duke e përfshirë një dron dhe një laptop, përmes projekteve të suksesshme. Këto arritje e tregojnë shpirtin e fortë të nxënësve dhe mësuesve që punojnë së bashku.
Përgatitja për të ardhmen me teknologji
Duke i kuptuar nevojat e botës së sotme, shkolla ka investuar në teknologji për të përmirësuar mësimin. Çdo mësues tani e ka një laptop personal, duke e bërë më të lehtë përgatitjen e mësimeve dhe punën me nxënësit. Projekti tjetër është akoma më ambicioz: shkolla planifikon të instalojë Tabela të Mençura në të gjitha klasat. Këto mjete interaktive do ta bëjnë mësimin më dinamik, vizual dhe tërheqës. Nxënësit do të kenë mundësinë të punojnë me video, grafikë dhe aplikacione, duke i zhvilluar aftësitë për shekullin e 21-të. Shkolla është gjithashtu aktive në projekte mjedisore. Nën drejtimin e Profesorit Fitim Haliti, Klubi Ekologjik e ka përmirësuar mjedisin shkollor duke instaluar rubinete me sensor, ndriçim efikas dhe duke mbjellë pemë dhe pisha në mjediset e shkollës.

Një mesazh për nxënësit: Ndërtojeni të ardhmen tuaj sot
Drejtori Galip Avdiu beson se suksesi vjen nga puna e palodhur, njohuritë dhe vlerat e forta. Ai ua rikujton të gjithë të rinjve se e ardhmja nuk është diçka që e presim, por është diçka që e ndërtojmë sot. Mesazhi i tij është i qartë: “Mos kini frikë të ëndërroni, por më e rëndësishmja, mos ndaloni së punuari për ëndrrat tuaja. Mbani mendjen të mprehtë, shpirtin e pastër dhe karakterin e fortë, sepse këto janë armët e vërteta që çojnë në sukses dhe lumturi.”
Në Gjimnazin “Eqrem Çabej”, nxënësit nuk po arrijnë vetëm rezultate të shkëlqyera në gara dhe teste si “Testi i Maturës”, por ata po përgatiten gjithashtu të regjistrohen në universitetet më të mira të Kosovës dhe jashtë saj. Me punë të palodhur, mbështetje nga mësuesit dhe një vizion të fortë për të ardhmen, nxënësit e kësaj shkolle vazhdojnë ta bëjnë krenarë komunitetin e tyre.