GJIMNAZI “HAMDI BERISHA” NË MALISHEVË

 

“Me krenari dhe përgjegjësi e ushtroj pozitën e drejtorit në këtë shkollë, e cila në vazhdimësi ka treguar rezultate të larta në regjionin e Malishevës dhe më gjerë. Kjo shkollë identifikohet me suksesin e nxënësve, por edhe të personelit arsimor në përgjithësi.” Me këto fjalë e përshkruan z. Izet Hoti përvojën e tij tetëvjeçare në krye të gjimnazit të shkencave natyrore dhe shoqërore “Hamdi Berisha” në Malishevë.

 

Kjo është një ndër shkollat më të mëdha në Kosovë

Me 1600 nxënës, 85 mësimdhënës, 13 punëtor teknik dhe 5 punëtor administrativ, kjo është një ndër shkollat më të mëdha në Kosovë, dhe drejtimi i saj është një sfidë më vete. Mirëpo, sipas drejtorit Hoti, punën e tij e lehtëson jashtëzakonisht shumë përkushtimi në punë i mësimdhënësve gjë që më pas pasqyrohet edhe në punën dhe suksesin e vet nxënësve.

 

 

Së shpejti do të investohen mbi € 700.000

Vlen të theksohet se përkundër që ndërtesa kryesore e shkollës është ndërtuar rreth 40 vjet më parë, falë disa intervenimeve objekti aktual ofron kushte mjaft të mira për zhvillimin e mësimit. Nga drejtori Hoti mësuam se kohëve të fundit është rinovuar tërësisht salla e sportit. Ndërsa, në të kaluarën janë ndërtuar dy anekse si shtojcë për objektin kryesor. Falë këtyre intervenimeve, shkollës i është mundësuar që të ketë edhe një kabinet për Fizikë-Kimi-Biologji dhe dy kabinete për lëndën e Teknologjisë Informative. Me këtë rast, Drejtori Hoti theksoi që kjo shkollë e ka përfituar një donacion prej € 60.000 për kabinetin e TIK-ut, nga ana e kontingjentit turk në kuadër të KFOR-it. Sipas tij, tashmë janë kryer të gjitha procedurat dhe brenda pak javësh pritet që të arrijnë pajisjet kompjuterike. Mirëpo, projekti më domethënës të cilin e ka fituar kjo shkollë dhe që së shpejti do të fillojë edhe realizimi i tij është një investim prej € 700.000 për ta kthyer atë në një ndërtesë me efikasitet të lartë energjetik. Në kuadër të këtij projekti të sponsoruar nga BE-ja, parashihet një ndërhyrje shumë e madhe në aspektin e infrastrukturës dhe hapësirave të brendshme. Shkollës do t’i ndërrohet komplet kulmi, do të bëhet izolimi i saj me materiale moderne, do të ndërrohet sistemi i ngrohjes, do të ndërrohet i tërë sistemi elektrik. Ndërsa, pas përfundimit të këtij projekti të BE-së, me financim nga Komuna e Malishevës do të përfundohet edhe digjitalizimi i plotë i kësaj shkolle.

 

Prindërit të angazhohen më shumë!

Kur e pyetëm për bashkëpunimin nxënës-shkollë-prind drejtori Hoti theksoi se ai është i kënaqshëm pasi që mësimdhënësit mbajnë kontakte të vazhdueshme me prindërit. Mirëpo, sipas tij, lë për të dëshiruar iniciativa nga ana e prindërve për të kontaktuar me shkollën: “Mbase kjo ka të bëjë me faktin se jemi shkollë e mesme dhe prindërit e ndjejnë sikur fëmijët nuk kanë nevojë që ata të jenë shumë të pranishëm në shkollë. Mirëpo, unë personalisht besoj që prindërit duhet të jenë edhe më aktiv se sa gjatë shkollës fillore, sepse fëmijët në shkollën e mesme kanë nevojë shumë të madhe që ta shohin angazhimin e prindërve të tyre për të bashkëpunuar me shkollën për të krijuar një ambient sa më mbështetës. Shpresoj që kjo në të ardhmen të përmirësohet.”

 

Në fund z. Hoti i porositi të gjithë të rinjtë që të angazhohen maksimalisht për të realizuar potencialin e tyre. Për këtë qëllim ata duhet të vazhdojnë të mësojnë sa më shumë, të absorbojnë sa më shumë dituri, të shfaqin sjellje shembullore, por mbi të gjitha që t’i absorbojnë sa më shumë trendët global të arsimit, punës dhe përgatitjes profesionale.

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE