GJIMNAZI I SPECIALIZUAR MATEMATIKOR NË PRISHTINË

 

Gjimnazi i Specializuar Matematikor (GJSM) në Prishtinë, aktualisht është ndër shkollat e mesme më të reja në Kosovë pasi që u themelua në vitin 2014. Mirëpo, ajo që e dallon atë nuk është mosha por, koncepti i themelimit si dhe personeli i saj.

 

Institucion i dedikuar për studimin e matematikës

Sa i përket konceptit, vet emri është mjaft i qartë për të treguar se ky institucion i dedikohet studimit të matematikës dhe shkencave ekzakte. Kjo nuk është ndonjë risi, do të thoni ju, pasi që gjimnaze matematikore ekzistojnë edhe nëpër disa qytete të tjera. Dallimi është se GJSM është krijuar për t’i mbledhur matematikanët e rinj dhe nxënësit më të mirë nga e tërë Kosova të cilët në të ardhmen e tyre synojnë që të studiojnë në shkencat ekzakte apo edhe ato kompjuterike.

 

Mësimdhënësit janë profesorë të nivelit universitar

Krahas, faktit që nxënësit vijnë nga e tërë Kosova, edhe mësimdhënësit janë të veçantë. Specifika e dytë që e dallon këtë gjimnaz nga të tjerët është se aty është një konglomerat profesorësh, që janë profesorë të Universitetit të Prishtinës (UP) – kryesisht nga departamenti i matematikës. Pastaj, ka profesorë edhe nga Fakulteti Teknik, nga Fakulteti i Edukimit, dhe ai ekonomik. Po ashtu, janë edhe profesorët e përzgjedhur nga Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA). Me një fjalë, të gjithë mësimdhënësit e kësaj shkolle janë bashkëpunëtorë të jashtëm dhe asnjëri prej tyre nuk ka kontratë të rregullt.

 

Organizimi administrativ sfidë e veçantë

Një organizim i tillë, në aspektin akademik, pa dyshim që ofron përparësi të jashtëzakonshme në krahasim me shkollat e tjera. Mirëpo, në aspektin administrativ kjo shkakton mjaft vështirësi pasi që, edhe organizimi i strukturave të tjera qeverisëse të shkollës dallon. Në fillim kjo shkollë e ka pasur Bordin me 16 anëtarë, kurse tani ky organ quhet Këshill dhe përbëhet nga 5 anëtarë – një përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH-i), që mund të jetë këshilltar i ministrit, një përfaqësues i DKA-së, , një profesor i pavarur nga UP, dhe një nga matematika si dhe drejtori i shkollës. Në këtë Këshill Drejtues nuk ka prindër, mirëpo, duke e ditur rëndësinë e tyre, në shkollë është krijuar edhe Këshilli i Shkollës me prindër.

 

Konviktet janë të domosdoshme

Një problem tjetër me të cilin përballet GJSM është mungesa e konvikteve. Duke qenë se nxënësit e kësaj shkolle vijnë nga e tërë Kosova, madje disa edhe jashtë saj, konviktet janë domosdoshmëri, në mënyrë që nxënësit të mos kenë nevojë të udhëtojnë çdo ditë apo të kërkojnë zgjidhje alternative të ndërlikuara.

 

Përfaqësues të Kosovës në garat e matematikës

Sa i përket përgatitjeve për fillimin e vitit shkollor, përparësi e madhe është fakti se objekti i shkollës i ka 4900 metra katror, 20 klasa të mësimit dhe 6 kabinete. Në kombinim me numrin e vogël të nxënësve (25 për paralele), hapësira dhe rrjedhimisht edhe cilësia në mësimdhënie nuk është aspak problem. Rezultatet e kësaj cilësie konfirmohen në faktin që nxënësit e kësaj shkolle janë pjesë e ekipeve të ndryshme të nxënësve që e përfaqësojnë Kosovën në gara ndërkombëtare matematikore sikurse që është Olimpiada Evropiane e Matematikës.

 

Sukseset nuk mungojnë

Përkundër këtyre vështirësive sukseset nuk mungojnë. Këtë më së miri e vërteton fakti se niveli kalueshmërisë së nxënësve të kësaj shkolle në Testin e Maturës është njëqind për qind që në afatin e parë. Më pas, një pjesë e mirë nxënësve të diplomuar në GJSM i kanë vazhduar studimet në Amerikë.

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE