GJIMNAZI I SPECIALIZUAR MATEMATIKOR NË PRISHTINË

 

Gjimnazi i Specializuar Matematikor (GJSM) në Prishtinë, aktualisht është ndër shkollat e mesme më të reja në Kosovë pasi që u themelua në vitin 2014. Mirëpo, ajo që e dallon atë nuk është mosha por, koncepti i themelimit si dhe personeli i saj. Sa i përket konceptit, vet emri është mjaft i qartë për të treguar se ky institucion i dedikohet studimit të matematikës dhe shkencave ekzakte. Kjo nuk është ndonjë risi, do të thoni ju, pasi që gjimnaze matematikore ekzistojnë edhe nëpër disa qytete të tjera. Dallimi është se GJSM është krijuar për t’i mbledhur matematikanët e rinj dhe nxënësit më të mirë nga e tërë Kosova të cilët në të ardhmen e tyre synojnë që të studiojnë në shkencat ekzakte apo edhe ato kompjuterike.

 

Krahas faktit që nxënësit vijnë nga e tërë Kosova, edhe mësimdhënësit janë të veçantë. “Specifika e dytë që e dallon këtë gjimnaz nga të tjerët është se këtu e kemi një konglomerat profesorësh, që janë profesorë të Universitetit të Prishtinës (UP) – gjithsejtë 17, kryesisht nga departamenti i matematikës. Pastaj, kemi profesorë edhe nga Fakulteti Teknik, nga Fakulteti i Edukimit, dhe ai ekonomik. Po ashtu, i kemi edhe 14 profesorë të përzgjedhur nga Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA). Me një fjalë, të gjithë mësimdhënësit e kësaj shkolle janë bashkëpunëtorë të jashtëm dhe asnjëri prej tyre nuk ka kontratë të rregullt,” shtoi drejtori Shemsi Berisha.

 

Sipas drejtorit Berisha, një organizim i tillë, në aspektin akademik, pa dyshim që ofron përparësi të jashtëzakonshme në krahasim me shkollat e tjera. Mirëpo, në aspektin administrativ kjo shkakton mjaft vështirësi pasi që, edhe organizimi i strukturave të tjera qeverisëse të shkollës dallon. “Në fillim e kemi pasur Bordin me 16 anëtarë, kurse tani ky organ quhet Këshill dhe përbëhet nga 5 anëtarë – një përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH-i), që mund të jetë këshilltar i ministrit, një përfaqësues i DKA-së, i cili në këtë rast është drejtori i DKA-së, një profesor i pavarur nga UP, dhe një nga matematika si dhe unë si drejtor i shkollës. Në këtë Këshill Drejtues nuk ka prindër, mirëpo, duke e ditur rëndësinë e tyre, unë e kam krijuar Këshillin e Shkollës me prindër,” theksoi drejtori Berisha.

 

Një problem tjetër me të cilin përballet GJSM është mungesa e konvikteve. Duke qenë se nxënësit e kësaj shkollë vijnë nga e tërë Kosova, madje disa edhe jashtë saj, konviktet janë domosdoshmëri, në mënyrë që nxënësit të mos kenë nevojë të udhëtojnë çdo ditë apo të kërkojnë zgjidhje alternative të ndërlikuara.

 

Përkundër këtyre vështirësive dhe faktit se shkolla ende nuk e ka të plotësuar as personelin administrativ dhe aktualisht të gjitha punët administrative kryhen nga drejtori i shkollës, sukseset nuk mungojnë. Këtë pohim, sipas drejtorit Berisha më së miri e vërteton fakti se niveli kalueshmërisë së nxënësve të kësaj shkolle në Testin e Maturës është njëqind për qind që në afatin e parë. Më pas, ai e thekson faktin se deri tani një pjesë e mirë nxënësve të diplomuar në GJSM i kanë vazhduar studimet në Amerikë.

 

Sa i përket përgatitjeve për fillimin e vitit shkollor në kushtet e pandemisë së COVID-19, z.Berisha theksoi se i kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që mësimi të zhvillohet pa probleme. Përparësi e madhe është fakti se objekti i shkollës i ka 4900 metra2, 20 klasa të mësimit dhe 6 kabinete. Në kombinim me numrin e vogël të nxënësve (25 për paralele), zbatimi i masave parandaluese si mbajtja e distancës por, edhe higjienës nuk është aspak problem.

 

Duke qenë se aktualisht, pandemia COVID-19 është një ndër shqetësimet më të mëdha globale, edhe z.Berisha i porositi të gjithë të rinjtë që t’i respektojnë udhëzimet e institucioneve përgjegjëse në lidhje me mbrojtjen dhe parandalimin e përhapjes së pandemisë që janë: ruajtja e distancës, bartja e maskave dhe mbajtja e higjienës.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE