GJIMNAZI “SKËNDERBEU” – KAÇANIK

Themelimi i Gjimnazit “Skënderbeu” në Kaçanik nuk ishte aspak i lehtë pasi që, vendimi për hapjen e tij u mor në vitin 1967. Mirëpo, u deshën dy vite që ky vendim të zbatohej nga organet e atëhershme krahinore. Pas hapjes së tij në vitin 1969, fillimisht gjimnazi u vendos në objektin e Shkollës Fillore “Emin Duraku”, ku vazhdoi që të operonte deri në vitin shkollor 1972-1973 kur edhe përfundoi ndërtimi i ndërtesës në të cilën kjo shkollë vepron sot e kësaj dite. Krahas, këtyre hapave të parë tejet të vështirë, kjo shkollë është e veçantë edhe për shkak të shtrirjes gjeografike të vet Komunës së Kaçanikut, për shkak të së cilës, nxënësit nga fshatra si Glloboqica, Kotlina, Ivaja, Semaja, Begraca, etj., udhëtojnë mbi 30 kilometra çdo ditë për të vijuar mësimet e tyre. Pa dyshim, ky fakt vendos një përgjegjësi tejet të madhe mbi supet e personelit të kësaj shkolle të cilët janë përgjegjës për të ofruar arsimim sa më cilësor për këto vajza dhe djem të rinj.

Fjala kryesore është bashkëpunimi
Sipas drejtorit të kësaj shkolle, z. Ibush Vishi, gjimnazi i ka gjithsejtë 44 mësimdhënës dhe të gjithë ata janë të kualifikuar për të ligjëruar në lëndët përkatëse. Madje, sipas tij, shumë prej tyre kanë edhe tituj master por, ç’ është edhe më e rëndësishme ata i kanë kryer edhe të gjitha trajnimet e nevojshme për të ligjëruar sipas kërkesave moderne të mësimdhënies. “Ne kemi qenë në grupin e parë të shkollave që para 4 vitesh janë përzgjedhur si pilot projekt për të filluar punën sipas kurrikulës së re. Andaj, të gjithë mësimdhënësit tonë e kanë marrë me shumë përkushtim këtë projekt,” rikujtoi z. Vishi. Ai vazhdoi më tej duke theksuar se asokohe preokupimi kryesor ishte se si do t’ia dilnin mbanë. Sipas tij, pikërisht kjo qasje për ta bërë sa më të përsosur harmoninë programore çoi deri në krijimin e një marrëdhënieje të jashtëzakonshme në mes të personelit të shkollës. “Fjala kryesore në këtë rast është bashkëpunimi në mes të gjithë mësimdhënësve pa marrë parasysh profilin dhe lëndën e tyre. Kështu, mësimdhënësit tonë i bashkojnë forcat dhe në asnjë moment nuk hezitojnë që t’i dalin në ndihmë njëri-tjetrit, qoftë për sa i përket shkëmbimit të përvojave dhe praktikave që ata i shfrytëzojnë në orët përkatëse apo edhe duke i ofruar shkathtësitë dhe njohuritë e tyre për kolegët e tyre,” shtoi z. Vishi.

 

Sivjet shpresojmë që të marrim një grant për ndërtimin e një aneksi
Një ndër problemet kryesore me të cilat përballet kjo shkollë është mungesa e hapësirës së mjaftueshme në mënyrë që mësimi të zhvillohet në një ndërrim të vetëm, siç edhe parashihet me kurrikulën e re. Kjo edhe është arsyeja pse mësimi duhet të zhvillohet në dy ndërrime. Sidoqoftë, falë përkushtimit të sipërpërmendur të mësimdhënësve, punës së nxënësve si dhe dy laboratorëve të teknologjisë informative (TI-së), të cilët shfrytëzohen si laboratorë virtual edhe për lëndët e tjera, mund të thuhet se kjo shkollë i plotëson kushtet optimale për mësim. Sidoqoftë, drejtori Vishi shpreson që sivjet Ministria e Arsimit të ndajë një grant i cili do të mundësojë ndërtimin e një aneksi, i cili ka qenë i paraparë qysh në planin fillestar të kësaj shkolle.

Nxënësit e meritojnë notën më të lartë në trekëndëshin pedagogjik
“Aktualisht i kemi 750 nxënës, dhe për këto vite të përvojës sime kam ardhur në përfundimin se nëse do ta bënim një kategorizim të trekëndëshit pedagogjik, nota më e lartë i takon nxënësve. Pastaj radhiten mësimdhënësit dhe prindërit janë të tretët. Më vjen keq, por mua më duhet ta them këtë sepse, prania e tyre në shkollë është modeste në raport me nevojat e mësimdhënies dhe shkollave moderne. Nuk dua të them se jemi më të mirët dhe as që kemi shumë probleme. Por, do t’ju them se nxënësit tonë janë të gatshëm që t’i pranojnë këshillat, sugjerimet e madje edhe urdhrat kur kjo kërkohet,” theksoi z. Vishi. Ai e ceku më tej se ky kombinim i punës dhe përkushtimit të nxënësve dhe mësimdhënësve të shkollës ka rezultuar me rezultate pozitive në gara, punëtori dhe aktivitete të tjera në disiplina të ndryshme si teatër, recitime etj. Me këtë rast z. Vishi në veçanti e theksoi se ekipi i vajzave të kësaj shkolle në futsal e kanë zënë vendin e parë në nivel të Kosovës dhe janë kualifikuar për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror në futsal i cili do të zhvillohet në muajin maj në Lion të Francës.
Në fund z. Vishi i porositi të gjithë të rinjtë që ta duan jetën dhe përkundër vështirësive të bëhen heronj të zhvillimit të jetës së tyre profesionale dhe morale, me dashuri dhe me përgjegjësi ndaj vetvetes ndaj prindërve por, edhe ndaj shkollës që i konsideron si fëmijët e vet gjithmonë.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE