GJIMNAZI “XHEVDET DODA”

 

Vetëm deri pak vite më parë, Gjimnazi “Xhevdet Doda” gjendej në zemër të Prishtinës, dhe si i tillë ishte gjithmonë në qendër të vëmendjes. Padyshim, kjo vëmendje ishte një shtysë shtesë për të gjithë mësimdhënësit, por edhe nxënësit që të mbanin një nivel të lartë të punës dhe angazhimit dhe rrjedhimisht edhe të rezultateve dhe sukseseve. Prandaj, nuk është për t’u habitur se konsensusi i përgjithshëm është se ky gjimnaz është ndër shkollat më të mira të mesme në mbarë Kosovën.

Tani, kjo shkollë ka kaluar në një objekt të ri, paksa më larg qendrës, por tradita e punës nuk ka ndryshuar dhe ndonëse objekti është ndryshuar, ajo që ka mbetur e njëjtë është puna dhe përkushtimi që kjo të mbetet ndër shkollat më të mira.

Këtë pohim e konfirmoi për ne, edhe zëvendësdrejtori i shkollës z. Bardhyl Kabashaj. Ai shtoi se ndonëse vet është një anëtar i ri i personelit në këtë shkollë, mësimdhënësit më të vjetër, por edhe ish nxënësit tregojnë një nostalgji për ndërtesën e vjetër. Mirëpo, sipas tij objekti i ri, falë hapësirës së mjaftueshme dhe laboratorëve të shumtë për të gjitha lëndët që kanë nevojë (gjuhë dhe komunikim, matematikë, fizikë, biologji, kimi, informatikë, etj.) kanë bërë që cilësia e mësimit të rritet edhe më shumë.

“Fakti me të cilin ne si shkollë krenohemi më shumë është se nxënësit që janë shkolluar këtu, sot janë personalitete të shquara të jetës publike në Kosovë në të gjitha fushat e jetës. Ne jemi krenar që jemi djepi i këtyre kuadrove që si sot edhe në të kaluarën, gjithmonë e kanë pasur një rol thelbësor në organizimin e jetës publike në Kosovë,” theksoi z. Kabashaj. Ai vazhdoi më tej duke theksuar se për këtë arsye që nga themelimi i tij, ky gjimnaz gjithmonë ka qenë qendra që i ka reflektuar të gjitha zhvillimet e kohës nëpër të cilat kemi kaluar si shoqëri.

Sot në këtë shkollë i vijojnë mësimet 1178 nxënës, të ndarë në 12 paralele për vit, që gjithsejtë janë 36 paralele. Për këta nxënës kujdesen 56 mësimdhënës të rregullt, 3 mësimdhënës me mësim zgjedhor me bazë në këtë shkollë, 4 mësimdhënës me plotësim norme, dhe 15 punëtorë administrativ dhe teknik, duke e çuar në 78 punëtorë numrin e personelit të shkollës.

Një tjetër aspekt me të cilin krenohen në këtë shkollë, sipas z. Kabashaj është bashkëpunimi me prindërit: “Ne synojmë vazhdimisht që ta përparojmë shkollën tonë dhe të vazhdojmë të jemi prijës në edukimin e brezave të rinj që lënë gjurmë në jetën publike në Kosovë. Bashkëpunimi me prindërit dhe rrjedhimisht edhe nxënësit është gurthemel i këtij synimi.” Ai vazhdoi më tej duke rikujtuar: “Ne kemi prindër që kanë nivel akademik dhe edukativ bukur të lartë dhe kërkesat tona për prindërit dhe fëmijët dhe kërkesat e prindërve ndaj neve si shkollë ndihmojnë në ngritjen e cilësisë dhe arritjen e rezultateve të sipërpërmendura.”

Duke e pasur këtë parasysh, nuk është për t’u habitur fakti që në Testin Kombëtar të Maturës, pothuajse nëntëdhjetë e nëntë për qind e nxënësve kalojnë që në afatin e parë. Përndryshe, në vitin e kaluar vetëm katër nxënës i janë nënshtruar këtij testi për herë të dytë, kur edhe e kanë kaluar.

Më tej, z. Kabashaj na informoi se një ndër projektet kryesore që është duke u përgatitur në këtë shkollë është festimi i pesëdhjetëvjetorit të themelimit të shkollës. Në mesin e aktiviteteve të shumta, është duke u përgatitur edhe një darkë e donatorëve ku do të jenë të ftuar ish nxënësit e shkollës por, edhe institucionet e përgjegjëse qeverisëse dhe të shoqërisë civile. Me këtë rast, para tyre do të prezantohet vizioni se si duhet të duket dhe të funksionojë Gjimnazi “Xhevdet Doda” në shekullin e 21-të. Të ftuarve do t’iu kërkohet që të kontribuojnë me donacionet e tyre për të filluar zbatimin e këtij vizioni të krijuar pikësëpari në bazë të kërkesave të nxënësve, dhe më pas të prindërve por edhe mësimdhënësve dhe menaxhmentit të kësaj shkolle.

Në fund të bisedës sonë, z. Kabashaj i porositi të gjithë të rinjtë që të tregojnë sa më shumë përkushtim në raport me zhvillimin e tyre akademik, por edhe me orientimin e tyre në karrierë, sepse kjo është një zgjedhje që do të zgjasë për një kohë të gjatë, dhe mbase për tërë jetën.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE