GOOGLE CLASSROOM

 

Rindërprerja e mësimit si pasojë e COVID-19, tregon se fitorja ndaj këtij armiku të padukshëm nuk do të jetë edhe aq e lehtë. Njëkohësisht, tani është edhe më e qartë se nuk janë pjekur ende kushtet që mësimi në distancë ose online t’ia lëshojë vendin mësimit tradicional dhe rikthimit të të gjithë nxënësve në bankat shkollore.

 

Kjo na çon në një klasë, të cilën mund ta merrni me vete kudo që të shkoni, të cilën mund ta bartni edhe në xhepin tuaj falë teknologjisë së telefonave të mençur. Kjo është “Google Classroom”, një shërbim i cili ofrohet nga Google. Për dallim nga Khan Academy, ku gjenden ligjërata, shpjegime dhe ushtrime nga lëndë të ndryshme, Google Classroom është më shumë një Sistem për Menaxhimin e të Mësuarit. Në vijim ju ftojmë që t’i lexoni disa prej përparësive të përdorimit të këtij burimi online.

 

I lehtë për t’u përdorur dhe i qasshëm nga çdo pajisje

Edhe nëse nuk jeni përdorues i Google, përdorimi i Google Classroom është i lehtë sa më s’ka. Përpos që ofrohet përmes shfletuesit Chrome, gjë që e mundëson qasjen nga të gjithë kompjuterët, telefonat mobil dhe tabletat, përmes këtij shërbimi e keni vërtetë të lehtë që të shtoni sa nxënës që të doni, që të krijoni dokumente në Google (Google documents) për të menaxhuar detyrat dhe shpalljet, që të postoni video nga YouTube, të shtoni linqe (vegza), apo që të bashkëngjisni dokumente nga Google Drive. Edhe nxënësit do ta kenë po aq të lehtë që të regjistrohen si dhe t’i pranojnë dhe dorëzojnë detyrat e tyre.

 

Komunikim dhe shpërndarje efektive

Një nga përparësitë më të mëdha të Google Classroom janë Google Docs; këto dokumente ruhen online dhe mund të ndahen me numër të pakufizuar të njerëzve. Me fjalë të tjera, ju nuk keni më nevojë për postën elektronike (e-mail) për të shkëmbyer informacione. Thjesht e krijoni një dokument dhe e ndani atë me sa nxënës që doni dhe kaq!

 

Përshpejtimi i procesit të detyrave

Procesi i detyrave nuk ka qenë kurrë më i shpejtë dhe më efektiv se sa në Google Classroom, ku fare lehtë mund të kontrolloni kush i ka dorëzuar detyrat dhe kush është duke i punuar ende ato, dhe po ashtu, ju mund të reagoni menjëherë.

 

Reagim efektiv

Kur flasim për reagimin, përmes Google Classroom ju e keni mundësinë që menjëherë t’u jepni mbështetje online nxënësve tuaj. Kjo do të thotë se reagimi është më efektiv, pasi që komentet dhe vërejtjet e freskëta kanë ndikim më të madh në mendjet e nxënësve.

 

Nuk ka nevojë për letra

Duke i centralizuar materialet për mësim elektronik (eLearning), në një lokacion qendror në të ashtuquajturat “cloud”, ju e keni mundësinë që të mos përdorni më letra dhe të mos shqetësoheni më për shtypjen, shpërndarjen apo edhe humbjen e punës së nxënësve tuaj!

 

Ndërfaqe e pastër dhe miqësore për përdoruesin

Në përputhje me standardet e paraqitjes së pastër të Google, Google Classroom ju ofron një mjedis ku çdo detaj i dizajnit është i thjeshtë, intuitiv dhe miqësor për përdoruesin. S’do mend përdoruesit e Google do të ndihen shumë rehat.

 

Është për të gjithë

Edhe mësuesit mund të bashkohen përmes Google Classroom. Kjo do të thotë se ju mund ta krijoni një klasë në Google Classroom, për ju dhe kolegët e juaj dhe ta shfrytëzoni atë për takime, shkëmbim të informacioneve apo për zhvillim profesional.

 

Sigurisht, si çdo gjë tjetër, edhe Google Classroom ka mangësi dhe hapësirë për përmirësime. Tek e fundit, asgjë nuk mund ta zëvendësojë komunikimin e drejtpërdrejt mësues-nxënës, apo ndërveprimin në mes të nxënësve. Sidoqoftë, shfrytëzimi i këtij shërbimi pa dyshim që do ta lehtësojë shumë punën jo vetëm për mësuesit dhe nxënësit por, edhe për prindërit.

PDF Magazine

Tetor

(ALB_ENG)210

READ MORE

NEW MAGAZINE