H.E.R.: NE JEMI NDRYSHIMI QË DËSHIROJMË TË SHOHIM

 

Ajo quhet Gabi Wilson (Gebi Uillson), por ju e njihni atë si H.E.R. dhe në moshën 21 vjeçare, ajo fitoi dy çmime të mëdha në 61-vjetorin e “Grammy Awards”: “Albumi më i mirë R&B” dhe “Performanca më e mirë R&B”. Këtë vit, në edicionin e 63-të të çmimit “Grammy”, H.E.R. e fitoi titullin “Kënga e vitit” për këngën “I Can’t Breathe”.

 

Megjithëse nëse e keni shikuar “The Today Show” rreth nëntë vite më parë, mund ta kishit parashikuar këtë moment. Kur ishte 12 vjeç, Willson u mirëprit si një fëmijë me talent të jashtëzakonshëm dhe ri-interpretoi këngën e mrekullueshme të Alicia Keys “No One” në programin televiziv “The Today Show”. Vite më vonë, kur ia doli mbanë, Wilson i anashkaloi të gjithë precedentët. Ajo zgjodhi të ‘farkëtojë’ vetë gjurmët e saj – kjo është ajo që na sjell tek emri i saj misterioz i skenës, H.E.R. Kur produksioni “RCA” e publikoi albumin e parë të H.E.R në vitin 2016, pakoja e shtypit nuk kishte asnjë informacion në lidhje me artisten. Gjithçka do të zbulohej me kohë, thuhej në pako. Përshtatshëm, edhe emri H.E.R. do të thotë: “Having Everything Revealed” (Të zbulosh gjithçka).

 

Nga lindi ky koncept i lartë?

Wilson – në atë pikë e njohur vetëm si H.E.R. – i tha revistës “Times” të Los Anxhelosit se emri i lindi ndërsa ajo ishte duke marrë veten nga një ndarje. “Më kujtohet duke thënë se nuk do të jem kurrë ajo vajzë; nuk do të jem kurrë ajo që bie në dashuri me djalin e gabuar. Unë vazhdimisht kritikoja vajzën e tillë dhe në fund e gjeta veten duke qenë pikërisht ajo vajzë, duke qenë ajo,” tha Wilson.

 

Albumi pasues e përcolli evolucionin e saj në atë person.Gjatë intervistave, Wilson shprehu interesin për të paraqitur procesin e pjekjes. “Nuk mund t’i shmangesh thyerjes së zemrës; nuk mund t’i shmangesh shumë gjërave. Duhet t’i kalosh ato në mënyrë që të bëhesh personi që do të jesh. Pra, të jesh H.E.R. është thjesht evolucioni i të qenit një grua”, tha Wilson për “Now Toronto”. H.E.R. përfaqëson gjithçka që ajo do të mësojë gjatë formësimit të saj.

 

Më në fund në vitin 2017 u zbulua identiteti i Wilson. Sidoqoftë evolucioni i saj është ende duke vazhduar dhe nga këtu e tutje ne e kemi kënaqësinë ta shohim atë duke u shpalosur.

 

Albumi i saj përmbledhës “I Used to Know Her” u publikua në vitin 2019, ai i solli asaj nominime në “Grammy” për “Albumin më të mirë të vitit”, si dhe për “Këngën më të mirë të vitit” me këngën “Hard Place”. H.E.R. edhe sivjet e vazhdoi vargun e nominimeve “Grammy”, duke fituar edhe tre nominime, përfshirë edhe titullin “Kënga e vitit” për himnin “Black Lives Matter” me këngën “I Can’t Breathe”.

 

Kënga e saj i mundi bashkë-nominuesit e tjerë si Beyoncé, Roddy Ricch, Taylor Swift, Post Malone, Billie Eilish dhe JP Saxe ku paraqitet edhe Julia Michaels. “Gjëja e parë që dua të them është se kurrë nuk kam qenë më krenare që jam një artiste. Të gjithë të nominuarit e tjerë, ato këngë ishin për mua “Kënga e vitit” dhe të gjitha ishin mahnitëse. Ne e shkruam këtë këngë përmes “Facetime” dhe nuk e imagjinova që frika ime dhe dhimbja ime do të ktheheshin në ndikim dhe ndoshta do të ktheheshin edhe në ndryshim. Dhe mendoj se pikërisht për këtë bëhet fjalë dhe kjo është arsyeja pse unë shkruaj muzikë, prandaj e bëj këtë”, tha H.E.R. gjatë pranimit të çmimit.

 

“Ne jemi ndryshimi që dëshirojmë të shohim”, përfundoi ajo. Kënga e saj e fundit “Fight for You” do të paraqitet në kolonën zanore të filmit “Judas and the Black Messiah”.

PDF Magazine

Tetor

(ALB_ENG)210

READ MORE

NEW MAGAZINE