HAXHI KRASNIQI BEFASON ME KONKAUTIMIN E DOMINIC BOESEL NË RAUNDIN E TRETË

 

Kosova gjithmonë ka pasur boksier të shkëlqyer, sidoqoftë data 10 tetor 2020 do të mbahet mend gjatë nga adhuruesit e boksit në Kosovë falë fitores së Haxhi Krasniqit në duelin kundër Dominic Boesel dhe rrjedhimisht shpalljes së tij kampion bote i IBO dhe WBA në kategorinë e mesme të lehtë (79 kg). Për adhuruesit e boksit kjo fitore ishte e rëndësishme sepse, kjo është hera e parë që një boksier shqiptar ka arritur që të shpallet kampion bote. Në anën tjetër, kjo fitore jo vetëm që e vërtetoi thënien e vjetër “e treta e vërteta” por, edhe ishte mënyra më e mirë e mundshme për Haxhi Krasniqin që ta ringjall karrierën e tij.

 

Beteja kundër gjasave

Në një vit të mbushur me befasi dhe nokaut që do të mbahen mend gjatë në skenën e boksit, 33 vjeçari i lindur në Kosovë – i cili aktualisht jeton në Munih të Gjermanisë – e ka futur emrin e tij në konkurrencë pasi e rrëzoi Dominic Boesel në raundin e tretë të meçit të tyre në Arenën GETEC në Magdeburg, në Gjermani.

 

Nga pikëpamja e gjasave, gjatë vitit 2020 ka pasur befasi më të mëdha. Mirëpo, në aspektin statistikor ngritja e Krasniqit dhe mënyra se si e përfundoi ndeshjen ishte një befasi e papritur. Tradicionalisht, në të kaluarën Krasniqi dështoi sa herë që luftoi në ndeshje vendimtare gjatë karrierës së tij 15 vjeçare. Në prill të vitit 2013, ai humbi me pikë pas 12 raundeve kundër Nathan Cleverly, titullarit të WBO, i cili asokohe ishte pa humbje. Kurse, në mars të vitit 2015 humbi në raundin e nëntë në ndeshjen për titullin e WBA kundër Jurgen Braehmer.

 

Në anën tjetër, Boesel (tri vjet më i ri se Krasniqi) erdhi pas një serie të fitoreve. Boksieri me 10 vjet karrierë profesionale nga Freyburg, në Gjermani, vinte pas gjashtë fitoreve duke e përfshirë edhe një paraqitje mbresëlënëse në nëntorin e vitit të kaluar në meçin kundër Sven Fornling, i cili u ndërpre në raundin e 11-të, me ç’ rast Boesel e fitoi titullin e kampionit. Madje humbjen e vetme në karrierën e tij, Boesel e pësoi kundër Karo Murat në vitin 2017. Fitorja kundër Krasniqit do t’ia kishte dhënë Boesel mundësinë për t’u ndeshur për një prej titujve të mëdhenj.

 

Një gabim i madh mbulohet nga përfundimi dramatik

Mirëpo, ishte Krasniqi ai i cili paraqitet si një befasi në një kategori të mesme të lehtë shumë të fortë. Kjo ishte ndeshja e dytë për të sivjet, ndërsa Boesel kishte pushuar që nga fitorja e tij në nëntor kundër Fornling. Meçi mes tyre u bë dramatik në minutën e fundit të raundit të tretë, kur një gabim i madh i gjyqtarit në ring u harrua falë përfundimit dramatik. Krasniqi e dha një goditje me të djathtën nga e cila Boesel u lëkund përpara para se të rrëzohej në dysheme kur duheshin edhe 54 sekonda për të përfunduar raundi. Ndonëse ishte një nokaut i pastër gjyqtari

Oliver Brien e cilësoi atë si një rrëshqitje, mbase për shkak të mënyrës se si Boesel fillimisht ra drejt Krasniqit përpara se të binte në tapet. Mirëpo, kjo rezultoi e parëndësishme, pasi që Krasniqi e përsëriti lëvizjen e tij sërish vetëm pak sekonda më vonë. Një e djathtë e pastër e hodhi Boesel (30-2, 12KOs) drejt në shpinë nën litarët e ringut. Gjyqtari e filloi numërimin por, shpejt e ndaloi ndeshjen kur kishin kaluar 2minuta e 25 sekonda të raundit të tretë.

 

Ky ishte një rezultat i papritur duke e pasur parasysh pikën në të cilën gjendej karriera e Krasniqit dhe numrin relativisht modest të fitoreve me nokaut, vetëm 18 sosh nga 56 ndeshje në karrierë, gjegjësisht 32,1% fitore me nokaut. Me këtë fitore Krasniqi e përmirësoi rekordin e tij në 51 fitore (19 me nokaut) dhe 6 humbje. Brezi i kampionit tani i jep atij mundësinë për një ndeshje me titullarin e dytë Jean Pascal, ose Kampionin e WBA për peshën super të mesme të lehtë Dmitry Bivol.

 

Vend meritor në Historinë e Boksit të Kosovës dhe Botës

Pa marrë parasysh, se kundër kujt apo cili do të jetë rezultati i ndeshjes së radhës, një gjë është e sigurt, me fitoren e tij më 10 tetor 2020 Haxhi Krasniqi tanimë e ka shkruar emrin e tij në historinë e Boksit të Kosovës dhe të Botës.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE