HISTORIA E AKULLORES

E keni pyetur ndonjëherë veten se qëkur ekziston dhe si është krijuar akullorja – një nga ëmbëlsirat më të dashura për fëmijët? Atë e hamë në shkop, në kaush, në “topa”; ajo mund të ketë shije të çokollatës, qumështit, frutave… variacionet janë të shumta dhe vazhdimisht shtohen forma dhe shpikje të reja. Akulloret, po ashtu, dallojnë edhe nga vendi në vend – në Itali është i njohur Gellato – një formë pak më e fortë dhe më e ëmbël, nordikëve iu pëlqejnë lëngjet e ngrira të frutave, kurse turqit e përgatisin një hallvë çeten të ngrirë përplot me sheqer dhe strukturë të dendur.

 

Tradita e shijimit të akullores është mijëra vjet e vjetër, sipas shkrimeve historike që nga Kina në Mesopotami dhe në mbarë botën e vjetër dhe më tej. Në Kinë, para më se 4000 vjetëve njerëzit kënaqeshin me një lloj sirupi të ngrirë. Disa shekuj më vonë, në Oborrin Mbretëror Persian është pirë sherbeti. Kjo ishte diku 400 vjet p.e.s. Sherbeti ose sorbe ose sirupi janë receta që kanë rrjedhur nga pija antike e cila ftohej me borë, shërbehej e ftohtë, kurse baza e saj ishte sirupi i qershive, ftonjve apo kaçave.

 

Legjenda thotë se, përpara se ta pushtonte Aleksandri i Madh Persinë, në vitin 330 p.e.s., Aleksandrin e kishte pushtuar sherbeti i ftohtë me mjaltë nga Persia. Më pas këtë pije të ftohtë e morën grekët dhe romakët. Në Oborrin e Neronit, në periudhën e hershme të Perandorisë Romake, njiheshin banketet në të cilat piheshin lëngjet e frutave të ftohura me dëborë dhe të ëmbëlsuara me mjaltë. Kurse nga mesi i viteve 1920, Marko Polo solli nga Kina “Dëborën me Shije” dhe disa receta e përfshinin edhe qumështin.

 

Për këtë ëmbëlsirë, shumë të kërkuar sot, nevojitej dëborë ose akull, gjë që asokohe mund të sigurohej vetëm në majat e larta të maleve apo në shpella. Kështu filloi tregtia e akullit. Njerëzit sillnin dëborë dhe akull nga malet dhe më pas e paketonin në kashtë. Kështu u krijuan edhe “shtëpitë e akullit” në të cilat akulli ruhej në errësirë dhe nën izolim të trashë.

 

 

Në shekullin e 17 u krijuan dhomat e akullit për tregti me të, kurse në shekullin e 18 nëpër qytete ekzistonin “shtëpitë e akullit” dhe akulli shitej derë më derë. Shtetet filluan që të tentonin të rregullonin shitjen e akullit. Në vitin 1807 në Napoli u paraqitën 43 shitës të akullit të cilët mund ta shisnin vetëm gjatë verës.

 

Më pas akullores i shtohet edhe dimensioni i qumështit. Disa thonë se kjo ndodhi me ardhjen e Marko Polos nga Kina, kurse të tjerët thonë se ky është veçse një mit.

 

Kuzhinierët e përdorin teknikën endometrike në mënyrë që të shtojnë ajkën në qumësht për këtë ëmbëlsirë. Kjo do të thotë që qumështi vendosej në një enë metalike e cila mbështillej me akull dhe kripë për ta përthithur ngrohtësinë në mënyrë që masa të forcohej.

 

 

Dëshmia e parë e kësaj teknike daton nga viti 1550 në traktatin e botuar nga mjeku spanjoll i cili jetonte në Romë – Bals de Vilafranka. Kjo magji më pas u përhap në Itali dhe u përshkrua në Magia Naturalis në vitin 1558 nga ana e Giambattista della Porta nga Napoli, si një sherbet i verës i përfituar me metodën endometrike.

 

Besohet se akulloret e para janë krijuar në Itali në shekullin e 17 dhe më pas u përhapën në Francë dhe në Angli. Në fillim ato ishin ëmbëlsira për aristokracinë. Sot, ato janë ëmbëlsirat më të dashura për tërë botën, madje tek ne ajo shërben edhe si paralajmëruesi i parë i verës. Fjala “Ice-cream” si e tillë është paraqitur për herë të parë gjatë viteve 1970.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE