HOTELI MË I VJETËR NË BOTË

 

Sot nuk mund ta paramendojmë botën pa hotele, dhe nuk ka pothuajse asnjë vend në botë që nuk e ka të paktën një të tillë. Por, a e keni menduar ndonjëherë se si dhe kur ka filluar gjithçka dhe se ku gjendet hoteli më i vjetër në botë?

 

Sipas Librit të Rekordeve të Guinness, që nga viti 2011, në kategorinë e hotelit më të vjetër në botë fituesi gjendet në qytetin Hayakawa, në prefekturën Yamanshi në Japoni. Hoteli në fjalë njihet me emrin ‘Koshu Nishiyama Hot Spring, Keiunkan’ i njohur shkurt si Keinukan Inn dhe ai është hapur besoni apo jo në vitin e largët 705.

 

Keinukan Inn është ndërtuar në vendin ku takohen lumenjtë Hayakawa dhe Yukawa, dhe njëherit ky hotel është edhe llixha më e vjetër në botë me burimet e ngrohta që rrjedhin lirshëm.

 

Me një pamje të mahnitshme në malet dhe lumenjtë përreth tij, ky hotel e ka ruajtur pamjen e vet tradicionale, dhe përgjatë ekzistencës së tij ai i ka pasur plot 52 pronarë. Një numër ky, jo edhe aq i madh kur kihet parasysh se ka ekzistuar për 1300 vjet.

 

Në bazë të vlerësimit të kompanisë së njohur Trip Advisor, ky hotel ofron qëndrim të përsosur, dhe ushqim të mirë, andaj vlerësimi i tij nuk bie kurrë nën notën 4.

 

Keinukan Inn përbëhet nga 35 apartamente të rregulluara në stilin japonez minimalist. Çmimi për një natë sillet diku rreth 269 dollarë amerikan. Në këtë çmim është përfshirë edhe shfrytëzimi i baseneve të shumta me ujë termal e cila buron shumë afër hotelit.

 

Hoteli nuk e ofron bufenë suedeze. Ushqimi shërbehet në dhomë dhe atë sipas renditjes së caktuar. Përndryshe, ushqimi që shërbehet bazohet tërësisht në ushqimet e rritura në rajon – peshk dhe perime.

 

Përkundër që ky hotel është ndër më të vjetrit në botë, punëtorët e tij sillen sikur ky fakt nuk ka aspak rëndësi. Prandaj shërbimi dhe pritja e mysafirëve është gjithmonë në klasën e parë dhe për këtë lirisht mund të themi që të gjitha hotelet e tjera mund të mësojnë nga diçka nga Keinukan Inn.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE