IBCM – NGA TEORIA NË PRAKTIKË

 

“Nuk janë dallimet tona ato që na ndajnë, është paaftësia jonë për t’i njohur, pranuar dhe lartësuar ato dallime!”, tha një herë me maturi poetja Audre Lorde. Sepse, pasi që të jemi në gjendje të shohim përtej dallimeve tona, ne do t’ia hapim derën bashkëpunimit dhe përparimit të vërtetë. Studentët e Kolegjit Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë (IBCM) janë shembulli më i mirë, pasi këto vajza dhe djem të rinj kanë vendosur të kenë një qasje më pak të zakonshme për arsimimin e tyre në kolegj. Ata kanë vendosur që të vijojnë mësimet në IBCM, pasi ai fokusohet në diversitetin dhe në një mënyrë moderne të mendimit dhe mësimit.

 

IBCM është unik sepse i ka dy kampuse, njëri në Mitrovicën e jugut dhe tjetri në të veriut. Studentët nga grupet e ndryshme etnike i ndjekin mësimet së bashku të cilat zhvillohen në të dy lokacionet. Në këtë mënyrë, përveç mësimit dhe zhvillimit të aftësive të tyre profesionale për të ardhmen, studentët edhe njihen me njëri-tjetrin, shkëmbejnë pikëpamjet dhe përvojat e tyre. Me fjalë të tjera, ata përgatiten për një të ardhme më të mirë dhe më të bukur, duke ndërtuar së bashku ura miqësie.

 

Shoqërohuni dhe njihuni me njëri-tjetrin sa më shumë!

Së fundmi, ekipi ‘For You’ mori pjesë në një nga ligjëratat në IBCM dhe folëm me disa nga studentët lidhur me përvojat e tyre dhe bashkëpunimin me pjesëtarët e komuniteteve të tjera etnike. Kristijan Lazareviq është 21 vjeç dhe vjen nga Mitrovica e Veriut. Ai është një person komunikativ dhe mendjehapur, i cili beson se takimi dhe bashkëpunimi me bashkëmoshatarët e tij nga etnitë e tjera në Kosovë i hap perspektiva të reja dhe pozitive.

 

“Kam bashkëpunim të shkëlqyeshëm me shokët e mi të klasës nga komuniteti shqiptar dhe mund të them me bindje se kemi më shumë ngjashmëri sesa dallime. Më pëlqen ky vend dhe miqësitë që kam krijuar. Diversiteti është ajo që më pëlqen më së shumti sepse kam mësuar shumë për të tjerët dhe për veten time”, tha Kristijan. Ai na tha se shumica e punëve dhe detyrave i kryejnë në grup, kështu që bashkëpunimi dhe ndihma mes studentëve është diçka që është e dukshme. Kristijani gjithashtu shoqërohet me shokët e klasës pas shkollës ku diskutojnë të njëjtat tema si të rinjtë e tjerë – muzikë, udhëtime, ushqim. Mesazhi i tij për të rinjtë në Kosovë është i thjeshtë: “Bukuria e jetës, rritja dhe shoqërimi qëndron te diversiteti. Fillimisht duhet të njihemi, ndaj le të jemi të hapur për bashkëpunim me të gjithë!”.

 

Të përballemi me diversitetin!

Kolegia e Kristijanit, Fatlume Karaçica, është 19 vjeçe dhe është në vitin e dytë të studimeve. Në lidhje me përfitimet e një mjedisi multietnik ajo tha: “Përballja me diversitetin është pjesë e natyrshme e jetës. Jeta përbëhet nga një mori situatash, përmes së cilave, ne takojmë njerëz të kombësive të ndryshme, kulturave të ndryshme, që flasin gjuhë të ndryshme dhe që kanë hobi dhe interesa të ndryshme. Besoj se brezat e ri duhet të jenë më të hapur ndaj ndryshimeve. Ndryshimet dhe përmirësimet duhet të synojnë të përmirësojmë veten, familjet dhe komunitetet tona. Toleranca ndëretnike luan një rol të rëndësishëm dhe shokët dhe shoqet e klasës dëshmojnë se ne mund të punojmë, të mësojmë dhe të zhvillohemi së bashku.”

 

Shfrytëzoni rrugët më pak të frekuentuara

Harry Tuomola është drejtor ekzekutiv i IBCM dhe sipas tij, ajo që e veçon këtë kolegj nga të tjerët, është atmosfera e veçantë e multietnicitetit. Gjëja më e rëndësishme për z. Tuomola dhe mesazhi i tij për lexuesit e revistës sonë është “guxoni që të jeni ndryshe”. “Bëhuni të guximshëm, shfrytëzoni rrugët më pak të frekuentuara, mos shkoni verbërisht atje ku shkojnë të gjithë të tjerët dhe suksesi do të vijë automatikisht!”

 

Pranimi është pjesë e jetës

Nga studentët në IBCM dëgjuam se pranimi është pjesë e jetës dhe diçka që na bën më të mirë, më të pasur dhe më të pjekur. Nga ana tjetër, stereotipat dhe paragjykimet janë pengesa të mëdha. Herën tjetër kur të jeni në dyshim, përpiquni të mos e shmangni dikë bazuar në atë që besoni se janë, ose sepse i përkasin një grupi të caktuar, por shfrytëzoni mundësinë për të bërë miq të ri dhe për të takuar njerëz interesantë, filloni të bëni gjëra të reja dhe të eksploroni perspektiva të reja.

 

Të fillojmë e të mendojmë për bukurinë e diversitetit.