ILIR SHAQIRI BALERINI QË NA I RRËMBEU ZEMRAT

 

Edicioni i parë i Big Brother Albania VIP (BBAVIP) do të  mbahet mend gjatë në historinë e programeve televizive shqiptare si programi me numra rekord të shikueshmërisë që nuk ishin arritur kurrë më parë nga asnjë program televiziv shqiptar. Rrjedhimisht, emrat e pjesëmarrësve të këtij “Reality Show” u kthyen në personazhe të njohura dhe shumë të dashura për teleshikuesit shqipfolës kudo që ata jetojnë. Në fund, banori më i pëlqyer për publikun shqiptar dhe fitues i këtij programi u shpall Ilir Shaqiri. Padyshim, BBAVIP e ktheu Ilirin në një emër të njohur nga të gjitha moshat dhe shtresat e shoqërisë shqiptare, por fama për atë nuk është diçka e re pasi që ai u formësua si balerin klasik në Shqipëri, por u shndërrua në një balerin modern tepër të suksesshëm në Itali, ku gëzon famë dhe respekt në një profesion me konkurrencë të jashtëzakonshme. Në vijim ju ftojmë që të lexoni intervistën ekskluzive që revista jonë e ka realizuar me Ilir Shaqirin.

 

Një ditë e Ilirit jashtë skenës dhe larg kamerave?

Përtej asaj që është bota e profesionit tim – kërcimi, skena, telekamera, televizioni – kur unë i kam ditët e lira i dedikohen familjes – prindërve, partneres Emanuelës, vajzës Emily, kafshëve të mia, që i kam shumë qejf, qenit dhe maceve të mia, dhe mbi të gjitha pasionit tim për peshkimin. Unë e adhuroj natyrën, që i vogël kam dashur të jem pak Robin Hood, pak Robinson Cruzo dhe këto gjëra i bëj sapo kam kohë të lirë.

 

Sipas një studimi të Dr. James A. Nicholas të botuar në vitin 1975 në “Journal of Sports Medicine”, baleti radhitet si aktiviteti më kërkues në aspektin fizik dhe psikik, pasuar nga lufta me dema dhe më pas futbolli. Duke e pasur parasysh këtë fakt, çka ju ka ndihmuar që të mos dorëzoheni për të arritur ku jeni?

Baleti vërtetë është klasifikuar si një ndër profesionet më të vështira të artit skenik, sepse ka të bëjë me një përgatitje psiko-fizike të jashtëzakonshme që fillon që i vogël, nga mosha 8-9 ose 10 vjeç maksimumi, dhe e ka një kohëzgjatje përgatitore së paku tetë vjeçare duke studiuar çdo ditë orë të tëra. Është i krahasuar nga lodhja fizike me futbollin dhe me boksin, kurse sa i përket lodhjes dhe dedikimit nga ana mendore, ajo që ndikon më shumë është durimi dhe kërkimi tek vetvetja për t’u përmirësuar, për të modifikuar trupin, për të formuar atë që është muskulatura e duhur për të përballuar gjithë këtë stres psiko-fizik. Ajo që mua më ka ndihmuar shumë është familja ime. Unë jam bir arti, si nëna edhe babai kanë qenë balerinë të parë të Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë. Nëna është artiste e merituar, me një çmim që i është dhënë në kohën e komunizmit ku titujt fitoheshin me shumë djersë dhe me shumë punë. Kështu që, falë një disipline, falë një dedikimi si personal si familjar unë kam arritur të jem ai që jam sot e kësaj dite.

 

Cila është gjëja që më së shumti ua përsëritni balerinëve të rinj që aspirojnë të bëhen balerin të suksesshëm, ku bën pjesë edhe vajza e juaj?

Atëherë, këshilla që unë ua jap më shpesh të gjithë studentëve të mi, por edhe vajzës sime që studion jo vetëm kërcim por edhe aktrim dhe këngë, është: “Mos u demoralizoni kurrë, përpiquni që gjithmonë te jepni maksimumin e vetvetes, dhe ëndërroni shumë sepse është e drejta juaj ta bëni këtë gjë. Mirëpo, punoni edhe më shumë se sa ajo që ëndërroni. Vetëm kështu mund t’ia dilni një ditë të jeni dikush dhe të realizoheni, pavarësisht nëse do të bëheni apo jo balerinë.”

 

Filozofi romak Seneka ka thënë: “Fati është ajo që ndodh kur përgatitja e takon mundësinë (rastin)”. Nga përvoja e juaj a mendoni se qëndron kjo?

Kjo shprehje përputhet shumë saktë me atë që unë ju them edhe studentëve të mi, dhe që ia kam thënë edhe vetes sime që i vogël dhe është formula e duhur për t’u bërë dikush në jetë. Nëntë punë, një talent, sepse unë mendoj që talente ka shumë, ama njerëz që duan të punojnë seriozisht ka pak. Një gjë tjetër që është shumë e rëndësishme në çdo profesion, në çdo fushë të jetës, për çdo të ri që do që të realizojë diçka në jetë, është fati i madh që të ketë një profesor, një maestro, një mësues të vlefshëm, sepse ti mund të kesh shumë dëshirë të realizosh, mund të kesh shumë dëshirë të punosh për t’u bërë dikush në jetë, mund të kesh edhe shumë talent, ama nuk e ke fatin të kesh një mësues që të të japi atë që ti dëshiron të bëhesh, ose sepse nuk di ose sepse nuk do. Ose anasjelltas, mund të jesh mësues shumë i mirë, por ama ke të bësh me njerëz në sallën e punës që nuk kanë dëshirë të punojnë.

 

Baleti klasik apo baleti modern?

Kjo është pyetje shumë e vështirë për mua. Unë e kam pasur fatin që t’i provojë që të dyja këto zhanre të kërcimit, sepse e kam nisur si balerin klasik. E kam mbaruar Akademinë e Kërcimit në Tiranë dhe pastaj kam arritur të marr edhe titullin Balerin i Parë në Teatrin e Operës dhe Baletit, me të cilin edhe e mbylla karrierën në Tiranë. Më pas shkova në Itali ku u transformova në një balerin modern dhe për 20 e ca vite kam punuar në televizionin italian. Janë dy zhanre komplet të ndryshme, po që i përputh, i bashkëngjit e njëjta ideologji, disiplina, serioziteti, puna, djersa, përpikëria, virtuoziteti.

 

Nga kush keni mësuar më së shumti?

Sigurisht, nga nëna ime, që është muza e jetës sime profesionale, por unë përpiqem të mësoj çdo gjë edhe nga një nxënës i ri, sepse përmirësimi nuk ka kurrë fund dhe arritja profesionale ndodh vetëm përmes praktikës, dëgjimit dhe studimit.

Kush është partneri profesional më i mirë me të cilin keni punuar?

Unë kam kërcyer me shumë balerina të njohura si në Itali edhe në Shqipëri. Kam kërcyer me Tatiana Sulejmanin në Shqipëri, kam kërcyer me Rosela Breshën (Rossella Brescia) në Itali. Kam pasur edhe shumë kolegë meshkuj, që për shumë kohë kemi kërcyer bashkë, siç është Kledi Kadiu, një tjetër balerin shqiptar me sukses të jashtëzakonshëm në Itali. Nuk mund t’i veçoj, sepse çdonjëri prej tyre më ka dhënë një ndjesi dhe më ka rritur edhe mua nga ana profesionale. Mirëpo, mbase do të veçoja Rosela Breshan.

 

A ju ka shkuar ndonjëherë mendja që të lini gjithçka pas dhe të nisni diçka të re?

Nëse një ditë do të lija pas shpatullave atë që është profesioni im, gjë që e shikoj shumë vështirë, sepse është jeta ime, do të përpiqesha të jetoja detin sepse e dua shumë detin. Më pëlqen liria, më pëlqen kur nuk ka kufizime, kështu që do të mund të merrja një varkë dhe të navigoja atë që është pafundësia e detit. Thjeshtë të isha një peshkatar i lirë.

 

Paraqitja e juaj skenike më e mirë dhe më e keqe?

Sigurisht është e vështirë që ta them paraqitjen time më të mirë skenike, sepse gjithmonë do të doja të them diçka si për televizionin si për skenën e teatrit.

 

Në skenën e teatrit sigurisht ka qenë baleti Lola, ku kam kërcyer me Tatiana Sulejmanin në Teatrin e Operës dhe Baletit. Isha në rolin e Pablos, rol që e kanë kërcyer profesorët e mi, e ka kërcyer babai im. Për më tepër, rolin e Lolës e ka kërcyer nëna ime. Kështu që, nga ky balet që zgjat dy orë e gjysmë, unë kam mbresa nga më të jashtëzakonshme edhe kujtime shumë të bukura.

 

Nga ana televizive, sigurisht do të veçoja Amici-n, sepse më ka dhënë jashtëzakonisht shumë si program televiziv për vite me radhë. Ky program zgjat 9 muaj në vit dhe është super i ndjekur në Itali. Andaj, ai jo vetëm dhuron ëndrra, por edhe realizon artistë në brendësi të tij si format televiziv, artistë që pastaj arrijnë të jenë dikush në jetë dhe të çajnë në botën e artit, të realizohen.

 

Performanca më e keqe ka qenë një herë kur, si të gjithë balerinët, jam rrëzuar. U rrëzova, sepse dyshemeja ishte lagur atë natë, pasi që skena ishte në të hapur dhe kishte pak lagështi. Unë fluturova dhe jo vetëm që rrëshqita, por desh rashë nga skena. Mirëpo, e gjeta forcën dhe u ngrita me shumë shpejtësi dhe duke qeshur e vazhdova koreografinë. Për ta përfunduar, lum ai që ngrihet kur rrëzohet, sepse po nuk u rrëzove nuk do të mësosh kurrë se si të ngrihesh.

 

Facebook, Instagram, Snapchat, WhatsApp, TikTok apo…?

Atëherë, Facebook-un e përdor shumë për punë, sepse unë e kam një “Fan Page” zyrtare për sa i përket publikut shqiptar në përgjithësi. Instagramin e përdor për komunikim me njerëzit si shqiptar dhe italian. Unë përpiqem që t’i kthej përgjigje dhe mesazhe falënderimi çdokujt që më shkruan dhe kjo gjë më jep shumë kënaqësi. WhatsApp e përdor për komunikim kur jam jashtë duke shëtitur, sepse është super komod. Nuk ka rëndësi çfarë platforme të mediave sociale e përdor, rëndësi ka si i përdor rrjetet sociale.

 

Telefonatat, posta elektronike (email), apo porositë (SMS)?

Sigurisht, preferoj më shumë një telefonatë sesa një mesazh, për punë e preferoj emailin, kurse miqtë dhe shokët kam qejf t’i takoj dhe pse jo për një drekë, një darkë, një kafe, një çaj.

 

Për çfarë ke dëshirë të mbahesh në mend më së shumti?

Sigurisht, dua të mbahem në mend nga vajza ime Emily, e cila më intereson më shumë në këtë botë, si një baba i dashur, si një baba gjithmonë prezent, si një baba që do të bënte çdo gjë për lumturinë e vajzës së vet. Për këtë gjë do të doja të mbahesha mend.

 

Radhiti sipas rëndësisë: Puna, Talenti dhe Pasioni për Baletin?

Atëherë, është një pyetje shumë e bukur dhe e ndërlikuar. Gjithsesi, unë mendoj që pasioni është ai që e shtyn talentin të punojë fort dhe një ditë dikush të realizohet në jetë. Por, në qoftë se do i rendisja, do e rendisja në vend të parë punën sepse përmes punës një talent arrin të realizojë atë që është pasioni i tij.

 

Cila është porosia e juaj për lexuesit tanë?

Lexuesve të 4You Magazine ua uroj të gjitha të mirat dhe i uroj nga zemra vetëm suksese e fitore paçi.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE