JEHONA SHAQIRI PIONIERJA E ROKUT SHQIPTAR

Ajo u shfaq si pioniere në skenën e rokut shqiptar kur e themeloi Rok Bendin e parë shqiptar “Terrorr” në vitin 1994, kur ishte vetëm 14-vjeçare. Çfarë e shtyu atë në fushën e rokut? Për këtë e ka “fajin” vëllai i saj i madh Beni, një maestro i kitarës, gishtat e të cilit thurnin magji me kompozimet instrumentale të Paco de Lucia, duke e rrënjosur brenda saj një përzierje të trazuar admirimi dhe zilie. Ajo i mësoi në fshehtësi akordet e saj fillestare, “A minor” dhe “E minor”, përmes vëzhgimit të mprehtë, dhe më pas ushtrimeve në kitarën e vëllait të saj. Kështu u ndez shkëndija e pasionit, e cila ia hapi rrugën një lidhjeje të dashurisë së përjetshme me joshjen e papërpunuar dhe të pafalshme të muzikës rok.

 

Njiheni si pioniere në skenën e rokut shqiptar, si themeluese e grupit “Terrorr” në vitin 1994. Çfarë ju frymëzoi për t’u futur në muzikën rok?

Në vitet ‘94-‘95 isha vetëm 14 vjeçare, dhe frymëzimi im ishte vëllai Beni, i cili ishte tre vjet më i madh se unë! Asokohe ai ishte edhe idhulli im në kit arë. E kisha një përzierje të ndjenjave: dashuri dhe urrejtje gjatë performancave të tij :). Aq bukur manovronte me gishta me kompozimet instrumentale të Paco de Lucia, sa që stepesha nga dëshira dhe pasioni. Daja, po ashtu, ishte një kitarist që e luante muzikën e emrave si Elvis Presley, Beatles etj. Kështu, unë dy akordet e para “A mol” dhe “E mol” i kam mësuar duke i “vjedhur” me sy se çfarë bënin ata dhe më pas duke i praktikuar vetëm me kitarën e vëllait tim.

 

Me çfarë sfida jeni përballë si një kitariste femër në një industri të dominuar nga meshkujt?

Unë do ta zëvendësoja fjalën “sfidë” me “privilegj”, pasi që gjithmonë kam hasur në mbështetje, dashuri dhe përparësi nga gjinia mashkullore, sepse isha femra e vetme, bashkë me “Terrorrkat” e mia! Andaj, u jam tejet mirënjohëse shumë kolegëve dhe miqve, që sot janë emra shumë të mëdhenj në industrinë e muzikës.

 

A mund të ndani me ne ndonjë përvojë nga paraqitjet tuaja të hershme me grupin “Terrorr”?

Ka aq shumë, sa nuk do të mjaftonte as një dokumentar i tërë ! Gjithsesi, do ta veçoja paraqitjen në Diskotekën “Casablanka” në vitin 1995, ku unë dola këmbëzbathur në skenë, dhe ky rebelizmi im i bardhë më përcjell edhe sot e kësaj dite.

 

Si ka ndikuar edukimi juaj klasik në qasjen tuaj ndaj kompozimit dhe performancës, veçanërisht në zhanrin rok?

Pa dyshim, muzika klasike ma ka dhënë kornizën e kësaj që jam sot! Mirëpo, kjo përzierje e Rokut, Klasikes, Kompozimit, Pianos dhe Kitarës për mua është si ato ëmbëlsirat “kripë & sheqer” që e bëjnë shijen e përsosur… ose më mirë të themi Djathë me Reçel Fiku :).

A mund të na tregoni për frymëzimin që qëndron pas këngës “Ku jam unë e ku je ti”?

Frymëzimi jam unë dhe karakteri im! Një femër me zemër të madhe që dashuron marrëzisht, edhe qan, edhe qesh, edhe lëndohet por, kurrë nuk Dorëzohet.

 

Si ishte bashkëpunimi juaj me Hekuranin në “Sa shumë lot”?

“Heki” është një super djalë dhe artist, gjithçka ka qenë shumë mirë. Unë isha mysafire në atë projekt, por falë këtij bashkëpunimi edhe sot kemi raporte shumë të mira shoqërore.

 

Çfarë ju shtyri të hynit në “Kënga Magjike 2022” dhe si kontribuoi kjo përvojë në rritjen tuaj si artiste?

Unë nuk jam për festivale garuese! Jam e lindur për publikë pa garë. Jam shumë transparente dhe nuk duroj padrejtësi. Isha, e shijova, u rrita pak por, nuk ishte për mua.

 

Grupi juaj, ‘JehonaBand’, ka performuar në qytete si Sofje, Cyrih, Berlin dhe Selanik. Çfarë shpresoni të arrini përmes këtyre performancave dhe si i përgjigjet publiku jashtë vendit muzikës suaj?

Publiku i Evropës për mua është shumë i ngrohtë e fjalëmbël. Mirëpo, ajo që më ka bërë përshtypje më shumë është qetësia që ata e kanë gjatë performancës e cila përcillet me buzëqeshje plot dashamirësi, ku ty si artist të motivon për të ecur tutje dhe nuk e ndjen lodhjen aspak.

 

Cilat janë aspiratat tuaja për të ardhmen e karrierës suaj muzikore?

Koncerte të mëdha. Përzierje e rokut me frymën moderne duke përfshirë edhe simfoni klasike – Vullkan!

A mund të na tregoni për ndonjë projekt apo bashkëpunim të ardhshëm?

Kohëve të fundit e kam përfunduar një projekt në bashkëpunim me mikun tim Robert Berishën. Gjithashtu, jam duke e punuar një baladë, të cilën shpresoj ta përfundojë në muajin Maj, si dhe shumë e shumë befasi të tjera për publikun që kanë qenë besnik gjatë gjithë rrugëtimit tim.

 

Çfarë mendoni për ndikimin e rrjeteve sociale në promovimin e muzikës sot?

Janë të detyrueshme, sepse sot jetojmë me rrjete sociale dhe ato janë promovimi më i mirë (po flasim për të sotmen).

 

Cili është këngëtari/ja juaj i/e adhuruar?

Nuk e veçoj dot asnjë, sepse ka shumë që më pëlqejnë varësisht nga gjendja ime. Me ndonjërin qesh, me tjetrin pastroj, me njërin fle gjumë, me tjetrin vallëzoj, me disa këndoj etj.

 

Cili është mesazhi juaj nëpërmjet muzikës për dëgjuesit tuaj?

Mesazhi im është: një grimcë lumturi nga Jehona sado që të zgjatë, qoftë edhe një sekondë!

Cila është këshilla më e mirë që ua kanë dhënë ndonjëherë?

Duaje veten para se ta duash tjetrin!

 

Tri momentet kyçe në jetën tuaj?

Sfidat në jetë janë momente kyçe për mua: Rënia, Ngritja dhe Mbijetesa!

 

Cila është fitorja më e madhe në jetë?

Paqja dhe lumturia me më të dashurit.

 

Facebook, Instagram, Snapchat, WhatsApp, TikTok apo…?

Instagram, Netflix dhe Librat :).

 

Telefonatat, posta elektronike (email), apo porositë (SMS)?

TELEFONATAT me Zëëëë me emocion, hahaha.

 

A përdorni simbole (emoji) në komunikimin tuaj dhe cilat i përdorni më shpesh?

Patjetër që po: 🕊😂🍒❤ (💙kjo shkon për Diellin dhe babin. Për mamin ka shumë).

A mund ta shkruani një porosi vetëm me simbole dhe të na e shpjegoni?

🕊 – paqe, dashuri dhe liri nën qiellin e hapur; pa luftë,.. pa dallime ngjyrash, etnish e religjionesh.

Cili është pengu më i madh në jetën tuaj profesionale?

Që nuk kam qenë më e zëshme në talentin dhe artin tim, shpeshherë modestia e tepruar të dëmton në muzikë! Mirëpo, e kam balancuar në sferën e biznesit dhe prodhimit në ndërtim por, prapë e kam pak peng :).

 

Radhiti sipas rëndësisë: Puna, Talenti dhe Pasioni?

Talenti, Puna, Pasioni.

 

Cila është porosia e juaj për lexuesit tanë?

Për ju që po e lexoni këtë intervistë, unë e kam një porosi prej shpirtit: “Lexoni dhe mos ju ndani leximit, vetëm me dije ecim para dhe bëhemi më të mirë për veten tonë! Lini mënjanë xhelozinë, urrejtjen dhe gjërat toksike. Dobësitë dhe mangësitë që i kemi mund t’i tejkalojmë vetëm me ushqimin e trurit – LEXIMIN!