JENNIFER LAWRENCE – “GJENIU MË FJALAMAN”

 

Një aktore e re që e ka pushtuar botën viteve të fundit, Jennifer Lawrence (Xhenifer Llaurens) është një nga personazhet më të popullarizuara dhe më të njohura në planet. Fama e saj vjen jo vetëm nga talenti i saj i jashtëzakonshëm (dhe fitues i çmimit “Oscar”), të cilin e ka përdorur në dhjetëra filma fantastikë, por edhe nga pamja e saj magjepsëse dhe personaliteti argëtues. Edhe pse një personazh i famshëm i listës “A”, ajo nuk duket të ketë personalitetin e ngarkuar që ne shpesh e ndërlidhim me personat tejet të pasur dhe tejet të famshëm. Në vend të kësaj, ne e shohim një grua që është me këmbë në tokë, qesharake dhe në thelb shumë njerëzore. Në vazhdim mund t’i gjeni disa fakte që nuk janë shumë të njohura për aktoren më të preferuar në botë, J-Law.

 

ISHTE MODELE PARA SE TË BËHEJ AKTORE

Lawrence tani shihet në dhjetëra revista dhe duket se merret me modelim po aq sa edhe me aktrim, gjë që është e lehtë për t’u kuptuar, pasi që ajo përveç se është një aktore e talentuar, është edhe një grua e bukur. Megjithatë, përpara se të fillonte karriera e saj si aktore, Jennifer i pranoi disa angazhime si modele. Ajo gjithashtu refuzoi shumë sosh, sepse ishte e vendosur që aktrimi ishte diçka e natyrshme për të.

 

U VOTUA “MË FJALAMANJA” NË KLASËN E SHTATË

Kur e shihni ndonjë intervistë me Lawrence, do të vëreni se ajo është jashtëzakonisht llafazane. E gjithë kjo është pjesë e sharmit të saj. Nuk është aktrim dhe daton që nga fëmijëria ku në klasën e shtatë u votua si “Më fjalamania”. Edhe pse mund të duket sikur ishte e popullarizuar dhe kishte shumë miq, ajo ka treguar se nuk ishte kështu.

 

BËRI AUDICIONIN PËR ROLE TË TJERA KRYESORE (POR NUK I FITOI)

Jennifer Lawrence ka shkëlqyer në çdo rol që e ka marrë, aq shumë, saqë tani është e vështirë të imagjinohet që dikush tjetër t’i luajë ato role. Siç rezulton, ka disa role të tjera kryesore për të cilat ajo mori pjesë në audicion, por nuk i fitoi. Disa nga këto role i përfshijnë personazhet si Bella Swan në serinë e filmave “Twilight” (të cilin rol në fund e luajti Kristen Stewart), Lisbeth Salander në filmin e përshtatur të “The Girl with the Dragon Tattoo” (Rooney Mara) dhe Jules në filmin “Superbad” (Emma Stone).

 

E MBAROI SHKOLLËN E MESME DY VITE MË HERËT

Me një pasion për performancën dhe me interesim nga zbuluesit e talenteve, Jennifer Lawrence që në moshë të re ishte e vendosur të ndiqte një karrierë në aktrim. Megjithatë, prindërit e saj i kishin rezervat e tyre, por ranë dakord ta linin atë të shkonte në audicion për role pasi u bindën nga Agjencia e Talenteve “CESD”. Nëna e saj më pas pranoi ta linte të ndiqte ëndrrat e saj, por që ajo të mbaronte shkollën e mesme. E vendosur për të përfunduar shkollimin e saj, Lawrence u shkollua në shtëpi në Los Anxhelos dhe u diplomua dy vjet më herët me notë mesatare prej 3.9.

 

NUK KA TRAJNIM FORMAL NË AKTRIM

Lawrence e ka dëshmuar që është një aktore e jashtëzakonshme dhe ka treguar gjithanshmërinë e saj duke marrë role të ndryshme në zhanre të ndryshme (komedi, dramë, horror, etj.) Është mjaft interesante që ajo nuk ka trajnim formal për aktrim dhe as nuk ishte e regjistruar në lëndën e dramës (shfaqje teatrale) në shkollën e saj. Në një moshë shumë të re, ajo performonte për të atin si palaço ose balerinë, meqë ai punonte nga shtëpia.

 

POTHUAJSE E REFUZOI ROLIN E KATNISS EVERDEEN

Ndërkohë që Jennifer Lawrence ka gjetur shumë famë dhe sukses jashtë filmave të “The Hunger Games”, është pikërisht kjo françizë që e bëri atë një super yll botëror. Lawrence, duke e luajtur personazhin kryesor, Katniss Everdeen, është njohur nga Rekordet Botërore të Guinness-it si heroina e aksionit me fitimet më të mëdha. Por gati nuk ndodhi kështu. Pasi që iu ofrua ky rol, J-Law iu deshën tri ditë për të vendosur.

 

ËSHTË AKTORJA MË E RE E NOMINUAR NDONJËHERË PËR DY OSKARE PËR AKTOREN MË TË MIRË

Jennifer Lawrence depërtoi për herë të parë në “Winter’s Bone”, duke e parë atë të nominohej për çmimin “Oscar” (Oskar) për Aktoren më të mirë që në moshën 20 vjeçare. Kjo e bëri atë të nominuarën e dytë më të re për Aktoren më të mirë ndonjëherë, në atë kohë. Në vitin 2012, Lawrence shkëlqeu në komedinë e David O. Russell “Silver Linings Playbook”, ku ajo luajti Tiffany Maxwell, një vajzë që sa ishte bërë e ve. Lawrence u nominua edhe një herë, por këtë herë ajo do ta fitonte çmimin, gjë që e bëri atë aktoren më të re të nominuar ndonjëherë për dy çmime për Aktoren më të mirë. Ajo u bë gjithashtu aktorja e dytë më e re ndonjëherë që e ka fituar këtë çmim prestigjioz (22 vjeç e 193 ditë).

PDF Magazine

Qershor

READ MORE

NEW MAGAZINE