JETËN MUND TA KUPTOJMË DUKE SHIKUAR PRAPA, POR JETA JETOHET DUKE SHIKUAR PËRPARA

 

Muajin e kaluar në artikullin tonë “Rëndësia e trashëgimisë kulturore dhe kujt i përket?” shpjeguam se çfarë është trashëgimia kulturore dhe çfarë e cilëson atë si të tillë. Megjithatë, ajo që nuk diskutuam është: Pse është e rëndësishme ta ruajmë atë? – Përgjigja më e mirë për këtë pyetje ndoshta qëndron në fjalët e filozofit Soren Kierkegaard i cili tha: “Jetën mund ta kuptojmë duke shikuar prapa, por jeta jetohet duke shikuar përpara”. Natyrisht, këto fjalë nuk ishin menduar në lidhje me rëndësinë e trashëgimisë kulturore apo ruajtjen e saj. Megjithatë, ato mbajnë me vete një shkallë të caktuar të së vërtetës universale që është shumë e përshtatshme dhe e zbatueshme edhe në këtë rast.

 

Jetën mund ta kuptojmë duke shikuar prapa

Pjesa e parë e deklaratës së Kierkegaard-it është ndoshta shpjegimi më i mirë pse ne e ndjejmë këtë nevojë të brendshme të mbrojmë të kaluarën tonë, e cila shprehet përmes elementeve të ndryshme të trashëgimisë kulturore materiale dhe jo materiale. Nëpërmjet tyre, ne mësojmë për veten dhe të tjerët. Përveç kësaj, duke e studiuar dhe analizuar të kaluarën tonë, ne gjithashtu mund të mësojmë një ose dy gjëra nga paraardhësit tanë. Për shembull, ne jemi mësuar shumë të themi se një element i caktuar i trashëgimisë sonë kulturore (kala, kishë, xhami, mal, lumë, valle, zakon etj.) është i yni ose i tyre. Megjithatë, ajo që ne priremi të harrojmë është se ato janë të gjitha rezultat i ndërveprimit të të gjitha komuniteteve që kanë jetuar këtu së bashku për shekuj. Thjesht hidhni një vështrim më të afërt në të gjitha ngjashmëritë që i kanë këta elementë dhe do ta kuptoni se ne kemi kaq shumë gjëra të përbashkëta.

 

Një udhëtim në të kaluarën tonë

Në fakt, tipari më tërheqës i të gjithë elementëve të trashëgimisë kulturore janë historitë që na i sjellin. Një ndërtesë shekullore na tregon jo vetëm se dikush ka jetuar atje, por edhe si ka jetuar, çfarë aftësish zotëronte, mjeshtëritë e tyre, etj. Me fjalë të tjera, ne mësojmë rreth tyre dhe përvojave të tyre. Kështu, ne mësojmë për veten tonë. Me synimin për të mësuar më shumë për trashëgiminë tonë kulturore gjatë një dite me diell në fund të gushtit, kolegia im J.S. dhe unë nisëm një udhëtim për të vizituar disa vende të trashëgimisë kulturore në Kosovë dhe për të mësuar pak më shumë për të kaluarën tonë.

 

Parku arkeologjik i Ulpianës

Lokacioni i parë që e vizituam është parku arkeologjik i Ulpianës, pasi ndodhet vetëm disa kilometra larg qendrës së Prishtinës. Ashtu si në rastin e pikturës së Mona Lizës që e diskutuam në numrin tonë të mëparshëm, mbetjet arkeologjike të Ulpianës janë unike. Historianët kanë përcaktuar se ky vendbanim daton nga ilirët. Megjithatë, është gjithashtu e vërtetë se gjatë kësaj periudhe Roma veç e kishte zgjeruar tashmë sundimin e saj në këtë zonë. Kjo e bën Ulpianën romake po aq sa edhe ilire.

 

Parku Kombëtar Sharri

Destinacioni ynë i radhës ishte Parku Kombëtar Sharri. Rruga kalon nëpër rajonin e Gorës, i cili është i banuar nga një prej komuniteteve etnike më unike me identitet specifik në Kosovë. Sapo arrijmë në fshatin Brod, shohim shenjën që i njofton të gjithë vizitorët se tani po hyjnë në këtë park të bukur kombëtar. Falë më shumë se 1500 llojeve të bimëve vaskulare, 20% e të cilave janë bimë endemike dhe relikte të Ballkanit, mali i Sharrit sigurisht që përfaqëson një nga zonat më të rëndësishme të mbrojtura të Ballkanit qendror.

 

Manastiri i Arkangjelit të Shenjtë

Rëndësia e Parkut Kombëtar Sharri theksohet më tej nga shumë objekte kulturore dhe historike që gjenden në këtë zonë. Njëri prej tyre është Manastiri i Arkangjelit të Shenjtë i shekullit të 14-të, i vendosur në kanionin e Lumbardhit të Prizrenit. Në këtë manastir, vetëm tre kilometra në juglindje të Prizrenit nga qendra e qytetit, arrijmë shumë shpejt. Manastiri i Arkangjelit të Shenjtë është një dhuratë perandorake dhe një manastir mesjetar që është ndërtuar mbi themelet e një kishe më të vjetër në periudhën 1343-1352 si dhuratë e Perandorit Dushan.

 

Xhamia e Sinan Pashës në Prizren

Një objekt tjetër me rëndësi të madhe për trashëgiminë kulturore të Kosovës është Xhamia e Sinan Pashës në Prizren. Kjo xhami është ndërtuar nga Sofi Sinan Pasha i Budimit. Vlerësohet se ndërtimi i saj ka filluar ose në vitin 1600 ose 1608 dhe ka përfunduar në vitin 1615. Përveç ekzistencës së saj mbi katërqind vjet, kjo xhami është e rëndësishme edhe për shkak të veçorive unike të artit klasik osman dhe si e tillë përfaqëson një nga veprat më të rralla estetike në Ballkan.

 

Kisha Katolike në Letnicë

Kjo kishë në fshatin e largët të Letnicës është një vend jashtëzakonisht popullor pelegrinazhi. Njihet gjithashtu si Zonja Cernagora ose Kisha e Zojës së Madhe. Të dy emrat i referohen statujës së Shën Mërisë dhe foshnjës Jezus. Megjithatë, duhet theksuar se pseudonimi Cernagora nuk ka asnjë lidhje me Malin e Zi. Emri në fakt lidhet me zonën e Karadakut të Shkupit (Skopska Crna Gora), nga ku sipas legjendës është transferuar statuja. Natyrisht, emri i dytë Madona e Zezë i referohet ngjyrës së zezë të së njëjtës statujë. Janë rreth pesëqind statuja të Zojës së Madhe në të gjithë Evropën (pothuajse gjysma prej tyre – 237 – janë vetëm në Francë), por kjo është e vetmja që dihet se ekziston në të gjitha trevat shqipfolëse.

 

Jeta jetohet duke shikuar përpara

Kjo na çon në pjesën e dytë të deklaratës së Kierkegaard – por ajo (jeta) jetohet duke shikuar përpara. Kjo do të thotë që jeta nuk është statike, por vazhdon të ecë përpara dhe çdo vendim që marrim sot do të formësojë të ardhmen tonë. Kjo është arsyeja pse ne duhet të shikojmë përvojat tona të së kaluarës, të mësojmë prej tyre dhe të krijojmë një të ardhme më të mirë. Siç thotë fjala e urtë: “Njerëzit mësojnë nga gabimet e tyre, por njerëzit e zgjuar mësojnë nga gabimet e të tjerëve!”

 

Trashëgimia kulturore mund të bëhet burim i rëndësishëm i të ardhurave

Me trashëgiminë e saj të pasur dhe të larmishme kulturore, Kosova ka potencial të madh për zhvillimin e turizmit kulturor. Sipas Organizatës Botërore të Turizmit të Kombeve të Bashkuara (UNWTO), turizmi kulturor përbën të paktën 40% të të gjithë turistëve në mbarë botën. Turistët kulturorë ofrojnë më shumë përfitime ekonomike sepse ata priren të qëndrojnë më gjatë se turistët e rregullt. Turizmi kulturor mund të ndihmojë në ruajtjen e trashëgimisë materiale dhe jo materiale të një komuniteti. Ajo ofron mundësinë për të zhvilluar të gjitha llojet e aktiviteteve krijuese dhe t’u ofrojë turistëve përvoja autentike dhe të mirëfillta.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE