JONA MACULA – SIRENA E PISHINAVE TË KOSOVËS

 

Jona Macula është një vajzë 17 vjeçare nga Mitrovica e cila i përket gjeneratave të reja që janë duke u rritur në Kosovë, për të cilët asnjë ëndërr nuk është tepër e madhe. Ëndrrat e saj janë të lidhura ngushtë me sportin, gjegjësisht notin dhe fitoret në skenën evropiane dhe botërore. Kurse, kurorëzimi të gjitha fitoreve është përfaqësimi i Kosovës në Lojërat Olimpike të radhës në Paris 2024. Teksa ajo i vazhdon me përkushtim përgatitjet e saj për t’i realizuar këto ëndrra ne u takuam dhe e zhvilluam një intervistë në lidhje me karrierën e saj të deritanishme në këtë sport. Ju ftojmë që në vijim t’i lexoni përgjigjet e saj në pyetjet tona.

 

Qëkur ke filluar të merresh me not?

Kam filluar të merrem me not që nga mosha 11 vjeçare.

 

Ku dhe sa herë në javë i zhvillon stërvitjet?

Unë ushtroj gjashtë herë në javë not në pishinën Omni Sport në Mitrovicë dhe po ashtu ushtroj edhe tri herë në javë palestër.

 

Çka të ka shtyrë që të fillosh të merresh me not?

Mjeku më ka sugjeruar sportin e notit, për shkak se kam pasur probleme me boshtin kurrizor. Mirëpo, gjithmonë e kam dashur notin, dhe e kam pasur një lidhje të veçantë me ujin që kur kam qenë e vogël.

 

Sa është e vështirë të merresh me këtë sport kur dihet se ai kërkon infrastrukturë shumë specifike që është e vështirë të gjendet në Kosovë sidomos gjatë dimrit?

Është shumë e vështirë pasi që Kosova nuk i plotëson kushtet e mjaftueshme për këtë sport. Ne ende nuk kemi pishinë olimpike të mbyllur në Kosovë. Jam me fat që tani e kemi pishinën në qytetin tonë, e cila i plotëson standardet që ne të mbajmë stërvitje edhe gjatë stinës së dimrit. Po ashtu, është një prej sporteve më të shtrenjta ku ne duhet t’i mbulojmë shpenzimet financiare vetë pa ndihmën e askujt.

 

Cilat janë arritjet kryesore deri sot në garat që ke marrë pjesë brenda Kosovës?

Kam marrë pjesë në shumë gara në Kosovë, ku numëroj një numër të madh medaljesh. Në kampionatet që janë mbajtur deri tani jam shpallur kampione e shumëfishtë e Kosovës.

 

Cilat janë arritjet kryesore deri sot në garat që ke marrë pjesë jashtë Kosovës?

Gjatë karrierës sime deri më tani, kam udhëtuar dhe kam marrë pjesë në shumë gara ndërkombëtare si Festivali Olimpik për të rinj, Kampionati Evropian i Notit, etj. Kosova ende është larg për nga ana e notit. Megjithatë numëroj një numër medaljesh në garat mbarëkombëtare dhe rajonale ku marrin pjesë Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Shqipëria etj.

 

Cila është fitorja më e çmuar deri sot për ty dhe pse?

Fitorja ime më e çmuar dhe një prej garave më sfiduese dhe e preferuara e imja është Maratona Ndërkombëtare në liqenin e Batllavës që është mbajtur në muajin gusht sivjet, ku kam notuar 4,2 km dhe e kam zënë vendin e parë në Kosovë dhe vendin e dytë ndërkombëtar. Ka qenë gara ime e parë në ujëra të hapur, dhe kam pasur mjaft shumë emocione, por ka qenë një eksperiencë e paharrueshme.

 

Cili është qëllimi kryesor ose ëndrra jote që shpreson që ta arrish në not?

Një prej ëndrrave të mia është që të marr pjesë në Lojërat Olimpike në Paris 2024, por synoj që edhe në garat ndërkombëtare si Botërori e Kampionati Evropian, të marr medalje një ditë.

 

Sa është e vështirë që të kombinohet stërvitja e një sporti kaq kërkues fizikisht, shkollës dhe jetës së përditshme si një adoleshent?

Është shumë e vështirë pasi që kam një rutinë të stërngarkuar. Të merresh me sport në adoleshencë është mjaft sfiduese dhe kërkon shumë sakrifica. Nuk e kam pasur adoleshencën që e kanë pasur bashkëmoshatarët e mi. Çelësi kryesor është që të dish të menaxhosh kohën.

 

Kush është përkrahësi (tifozi) yt më i madh dhe sa ndikon kjo përkrahje në motivimin tënd për të vazhduar stërvitjen?

Natyrisht familja luan një rol të rëndësishëm në mbështetjen time, por tifozja ime më e madhe është nëna ime. Babai im luan rol parësor në sukseset e mia, sepse ai më motivon shumë dhe më përkrah jashtëzakonisht shumë. Prindërit dhe vëllai më kanë përkrahur gjithmonë dhe ende vazhdojnë të më përkrahin, si nga ana financiare, po ashtu edhe nga ana emocionale. Por, rol të veçantë normalisht kanë edhe trajnerët e mi të notit që punojnë vazhdimisht për përmirësimin e rezultateve.

 

Sa i ngjeshur është kalendari i garave dhe sa ndikon ai në performancën dhe rezultatet e tua?

Kalendari i garave është i volitshëm për mua, andaj edhe ndikon pozitivisht në rezultatet e mia.

 

Sa ka ndikuar noti në jetën tënde shoqërore dhe cili është reagimi i shoqërisë ndaj sukseseve të tua?

Noti ka ndikuar shumë në jetën time shoqërore, pasi që unë nuk dal me shoqëri natën në festa apo në klube nate. Një pjesë e shoqërisë më mbështesin dhe gëzohen kur marr medalje, sepse sukseset e mia kanë ndikim në orientimin dhe vullnetin e tyre drejt sportit.

 

A ke ndonjë pishman në lidhje me notin?

Jo, sepse e bëj me shumë pasion.

 

Duke i ditur të gjitha ato që i din sot, nëse do të mund të ktheheshe në kohë a do ta zgjidhje notin sërish si sportin tënd?

Padyshim që po.

 

Cila është porosia jote për bashkëmoshatarët e tu?

Porosia ime për bashkëmoshatarët e mi është, që të merren me sport, veçanërisht me not, sepse benefitet janë të mëdha, si në aspektin shëndetësor, po ashtu edhe atë profesional.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE