Pas një viti të plotë mësimi, detyrash shtëpie, testesh dhe provimesh, më në fund, para jush janë dy muaj e gjysmë pushime verore. Kjo do të thotë se do të kaloni më shumë kohë jashtë me miqtë tuaj duke luajtur me top, duke ngarë biçikletat ose duke notuar në lumenj ose pishina (të cilat gjenden pothuajse në çdo qytet të Kosovës). Pavarësisht se cili është aktiviteti juaj i preferuar, është e sigurt që të gjithë do të jeni pjesëmarrës aktivë në komunikacion. Si i tillë, duhet të jeni të kujdesshëm dhe të respektoni rregullat e komunikacionit, në mënyrë që argëtimi juaj veror të mos përfundojë në tragjedi.
Kujdes në rrugë
Viteve të fundit, falë zhvillimeve në teknologji, numri i pajisjeve që funksionojnë me rrymë është rritur dukshëm, veçanërisht skuterët, biçikletat dhe automjetet. Gjëja e parë që vihet re për këtë grup të ri pjesëmarrësish në komunikacion është se sa të “heshtur” janë ata në krahasim me automjetet normale të motorizuara. Rrjedhimisht, duhet të jeni më të kujdesshëm në rrugë pasi ato automjete elektrike mund t’ju befasojnë shumë lehtë. Për më tepër, shumica e tyre janë mjeti i transportit që brezi i ri ka zgjedhur, veçanërisht adoleshentët. Gjëja e dytë që duhet pasur parasysh është se sa pak vëmendje i kushtohet mbrojtjes në krahasim me shpejtësinë që ato pajisje elektrike mund të arrijnë. Më lejoni të ju pyes: sa prej jush mbani helmetën kur ngisni një biçikletë elektrike ose skuter?
Mbani gjithmonë veshjet e duhura dhe obligative mbrojtëse!
Mos e përdorni celularin në komunikacion dhe mos i mbuloni veshët me kufje!
Një tjetër rrezik për adoleshentët në komunikacion është trendi për të shikuar video ose media sociale në celularët e tyre, ose për të mbajtur kufje dhe për të dëgjuar muzikë ndërsa ecin në rrugë. Rreziku vjen nga dy arsye të ndërlidhura ngushtë. Së pari, gjatë kohës që mbani kufjet nuk mund të dëgjoni zhurmën përreth dhe për pasojë nuk do të vini re as automjetet (sidomos ato që vijnë nga pas). Së dyti, ndërsa shikoni video ose lajmet më të fundit në mediat sociale, ose mbani kufje, ju jeni të lidhur me ekranin tuaj dhe zhyteni në muzikën tuaj dhe kështu do të dështoni të kushtoni vëmendjen e duhur shenjave dhe rregullave të komunikacionit. Me fjalë të tjera, kur shikoni vazhdimisht celularin tuaj ose mbuloni veshët me kufje, do të pengoni si dëgjimin ashtu dhe shikimin.
Mësoni rregullat e komunikacionit!
Biçikletat, skuterët dhe motoçikletat ju mundësojnë të kaloni më lehtë dhe më shpejt komunikacionin e rënduar. Megjithatë një lëvizje e tillë gjithashtu rrit edhe rrezikun ndaj jush, sepse shpesh ngasësit e automjeteve nuk janë të vetëdijshëm për praninë tuaj. Kur kësaj i shtohet fakti që disa njerëz mund të mos i respektojnë plotësisht rregullat e komunikacionit, është e qartë se rreziku për aksidente mund të jetë shumë i lartë. Prandaj, është e rëndësishme që në rrugë të vishni pajisjet tuaja mbrojtëse si helmeta, por edhe të mësoni rregullat e komunikacionit, në mënyrë që t’ju ndihmojë të merrni vendimet e duhura, që do të zvogëlojnë mundësitë që ju të bëheni pjesë e ndonjë aksidenti. Mësimi i rregullave të komunikacionit përfundimisht do t’ju ndihmojë të merrni patentën tuaj të shoferit pasi të keni mbushur 18 vjet. Gjithmonë përpiquni të vëzhgoni dhe parashikoni se çfarë mund të bëjnë pjesëmarrësit e tjerë të komunikacionit, kjo do të na mundësonte të gjithë ne në komunikacion të reagonim ndaj rreziqeve të mundshme dhe t’i bënim rrugët një vend më të sigurt.
Policia e Kosovës ka nevojë për bashkëpunimin tuaj
Të gjithë e dinë se Policia e Kosovës është institucioni i parë dhe më i rëndësishmi sa i përket sigurisë në komunikacion. Prandaj, ata janë duke punuar vazhdimisht në përmirësimin dhe rritjen e sigurisë në komunikacion. Për suksesin e kësaj detyre, ata përdorin të gjitha mjetet që kanë në dispozicion, duke filluar nga organizimi i fushatave sensibilizuese e deri te patrullimet dhe shqiptimi i gjobave ndaj atyre që kryejnë kundërvajtje në trafik, në mbarë Kosovën. Megjithatë, siguria në komunikacion nuk do të jetë kurrë në një nivel të kënaqshëm nëse nuk kontribuoni për t’i bërë rrugët tona më të sigurta për ju dhe për pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion. Mos harroni, siguria në komunikacion varet nga të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion – nga këmbësorët deri tek ngasësit e mjeteve të ndryshme të motorizuara.
Disa këshilla për sigurinë në komunikacion