KAMPIONATI BOTËROR I NDËRMARRËSISË – KOSOVA PJESËMARRËSE

28.07.2020

Me 198 shtete pjesëmarrëse, Kampionati Botëror i Ndërmarrësisë (Entrepreneurship World Cup – EWC), finalja e të cilit mbahet në Riad (Arabi Saudite), konsiderohet si një ndër ngjarjet më të mëdha globale, në fushën e ndërmarrësisë. Për të dytin vit me radhë, bizneset startup dhe ndërmarrësit nga Kosova e kanë mundësinë që të garojnë për të fituar çmimin e madh prej milion dollarë dhe për mbështetje deri në 75 milionë dollarë amerikan. Kështu bën të ditur Innovation Centre Kosovo (ICK) me një postim në ueb faqen e tyre (https://ickosovo.com/news/post/organizohet-kampionati-boteror-i-ndermarresise-kosova-pjesemarrese).

 

Për shkak të gjendjes së shkaktuar nga pandemia e COVID-19, gara dhe përzgjedhja në nivel kombëtar do të mbahet online, gjatë muajve Gusht dhe Shtator. Me këtë rast ICK i fton ndërmarrësit e rinj dhe bizneset inovative startup që të garojnë për vendet që do ta përfaqësojnë Kosovën në nivel global. Drejtori Ekzekutiv i ICK-së, Uranik Begu, shprehet i lumtur me mundësinë për të rinjtë Kosovar. “Kjo është një mundësi e shkëlqyeshme për të rinjtë dhe bizneset startup nga Kosova, që të konkurojnë dhe ta përfaqësojnë shtetin në garën ku marrin pjesë ekonomitë më të zhvilluara të botës. Ju bëjmë thirrje atyre që bizneset dhe produktet inovative t’i ndajnë me botën, meqë Kosova ka shumë për të ofruar” theksoi z. Begu.

 

EWC organizohet nga Misk Global Forum, Global Entrepreneurship Network dhe The Global Education & Leadership Foundation dhe mbështetet nga një sërë partnerësh global si GSVlabs, TechCrunch, Entrepreneurs’ Organization (EO), The Wharton School of the University of Pennsylvania, WebCongress si dhe organizatat që i zhvillojnë Finalet Kombëtare të EWC në çdo kontinent.

NEW MAGAZINE