KËSHILLA PËR PASTRIM DHE HIGJENË QË TA MBANI COVID-19 JASHTË SHTËPISË SUAJ

Nga larja e rrobave e deri te përgatitja e vakteve – masa të përditshme për ta mbrojtur familjen tuaj!

A mund të infektoheni me COVID-19 nga ushqimi? Si duhet t’i laj rrobat tani? Detyrat e përditshme shtëpiake janë shndërruar në një burim të pasigurisë dhe ankthit pasi familjet mundohen të bëjnë gjërat e zakonshme duke i mbajtur të dashurit e tyre të sigurt dhe të shëndetshëm. Keqinformimi i përhapur në masë të madhe në lidhje me virusin i vë të gjithë në rrezik dhe e shton stresin për të filtruar faktet nga trillimet. Virusi mund të mbijetojë në sipërfaqe për disa orë dhe deri në disa ditë. Lajmi i mirë është se: Dezinfektuesit e zakonshëm mund ta vrasin atë! Tani çfarë do të thotë kjo për shtëpinë tuaj?

 

 

HIGJIENA PERSONALE – Masat e thjeshta të higjienës mund të ndihmojnë në mbrojtjen e shëndetit të familjes suaj dhe të të gjithë të tjerëve.

 

Lani, lani, lani duart!

Po, ju po e dëgjoni kudo, sepse është mënyra më e mirë e mbrojtjes. Lani shpesh duart me sapun dhe ujë për të paktën 20-30 sekonda. Një mënyrë e thjeshtë për ta matur kohën e larjes së duarve me fëmijët tuaj është duke kënduar dy herë tërë këngën e urimit të ditëlindjes. Pasi të keni fryrë hundën sigurohuni që të lani duart, teshtini në një pecetë, lani duart kur të përdorni banjën dhe para se të largoheni nga shtëpia e juaj dhe kur të ktheheni në shtëpi, gjithashtu, përpara se të përgatisni ose të hani ushqim, para se të vendosni grimin, para se të prekni thjerrëzat e syve (lentet), etj. Nëse përdorni një dezinfektues duarsh sigurohuni që ai të përmbajë të paktën 60 përqind alkool dhe që të gjitha pjesët e duarve të jenë të lyera me dezinfektues dhe fërkoni duart për 20-30 sekonda derisa duart të ndjehen të thata. Nëse duart janë dukshëm të papastra, atëherë gjithmonë lani duart me sapun dhe ujë. A e dini se? Uji i ftohtë dhe uji i ngrohtë janë po aq të efektshëm në vrasjen e mikrobeve dhe viruseve, përderisa e përdorni sapunin dhe i lani duart në mënyrën e duhur. Mos e prekni fytyrën tuaj, shmangni prekjen e syve, hundës dhe gojës, mos u kollitni ose teshtini në duar, kur kolliteni ose teshtini mbuloni gojën dhe hundën me bërrylin tuaj ose me pecetë! Pecetat e përdorura hidhni menjëherë!

 

Trajtimi dhe përgatitja e ushqimit

Ndërsa aktualisht nuk ka prova se njerëzit mund të infektohen me COVID-19 përmes ushqimit ose paketimit të ushqimit, është e mundur që njerëzit të infektohen nga prekja e fytyrës pasi që të kenë prekur një sipërfaqe ose objekt të kontaminuar. Rreziku më i madh vjen nga kontakti i ngushtë me njerëzit e tjerë gjersa dalim për të blerë ushqim ose gjatë pranimit të një dërgese ushqimore (si pranimi i ndonjë dërgesë ushqimore në zonat me përhapje lokale). Si gjithmonë, kur merremi me ushqim higjiena e mirë është e rëndësishme, në mënyrë që të parandalojmë çdo sëmundje që mund të vijë nga ushqimi. Pra, largoni çdo paketim të panevojshëm të ushqimit dhe hidheni atë në një kosh mbeturinash me kapak! Largojeni ushqimin e porositur nga paketimet dhe vendoseni në pjata të pastra, ndërsa paketimet e tyre hidhni në mbeturina! Paketimet si kanaçet mund të pastrohen me dezinfektues para se të hapen ose të magazinohen. Lani mirë me ujë të rrjedhshëm produktet pa paketim si pemët dhe perimet!

 

Pastrimi në shtëpi

Pastrimi dhe dezinfektimi i rregullt i sipërfaqeve që preken më së shumti në shtëpinë tuaj është një masë paraprake e rëndësishme për të ulur rrezikun e infeksionit. Çdo shtëpi dallon nga tjetra, por sipërfaqet që zakonisht preken më së shumti në shtëpi janë: dorëzat e dyerve, tavolinat, karriget, parmakët, sipërfaqet e kuzhinës dhe banjës, çezmat, tualetet, ndërprerësit e dritave, telefonat mobil, kompjuterët, tabletat, tastierat, telekomandat, komanduesit e lojërave dhe lodrat e preferuara.

 

 

MASKA NË MODË PËR FYTYRËN – Vendosja e maskës mbrojtëse gjatë pandemisë është bërë e DOMOSDOSHME në shumë vende. Për shkak të mungesës së këtyre maskave, njerëzit kanë gjetur mënyra të ndryshme krijuese dhe interesante për të mbrojtur veten e tyre.

 

Çfarë duhet të përdorni për të pastruar dhe dezinfektuar?

Nëse një sipërfaqe është e papastër, së pari pastrojeni me sapun ose detergjent dhe ujë. Pastaj përdorni një dezinfektues që përmban alkool (rreth 70 përqind) ose zbardhues. Uthulla dhe produktet e tjera natyrore nuk rekomandohen. Në shumë vende mund të jetë e vështirë të gjesh sprej (spërkatës) dhe peceta dezinfektuese. Në raste të tilla, vazhdoni të pastroni me sapun dhe ujë. Zbardhuesit shtëpiak të përzier me ujë mund të përdoren gjithashtu në disa sipërfaqe.

 

Si të dezinfektoni?

Është e rëndësishme të mos i fshini preparatet e pastrimit menjëherë pasi t’i keni aplikuar në një sipërfaqe. Shumë produkte dezinfektuese, si pecetat e lagëta dhe spërkatësit (sprejet) duhet të qëndrojnë në një sipërfaqe, pra ajo të jetë e lagur, për disa minuta në mënyrë që këta dezinfektues të jenë efektivë. Gjithmonë lexoni udhëzimet për t’u siguruar që jeni duke i përdorur produktet ashtu siç rekomandohet dhe për të shmangur dëmtimin e sendeve të ndjeshme, siç janë telefonat mobilë dhe pajisjet e tjera elektronike. Për pajisjet elektronike konsideroni të përdorni fotrolla që pastrohen.

 

Pastrimi i rrobave

Aktualisht është e paqartë se sa kohë mund të mbijetojë virusi i ri korona në pëlhurë, por shumë sende të veshjeve kanë elemente plastike dhe metalike, në të cilat virusi mund të jetojë për disa orë deri në disa ditë.

 

Larja e rrobave në shtëpi

Pastroni rregullisht çarçafët, peshqirët dhe rrobat. Pastroni rrobat me sapun ose detergjent, duke përdor ujë më të nxehtë për ato rroba dhe thani plotësisht rrobat – të dy këta hapa ndihmojnë për të vrarë virusin. Lani ose dezinfektoni thesin dhe shportën e rrobave të palara. Mbase mund t’i futni rrobat e palara në thasë për një përdorim.

 

(Burimi: www.unicef.org)

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE