KËSHILLA PËR PUBLIKUN PËR COVID-19: THYESIT E MITEVE (PJESA E PARË)

 

Krahas problemeve shëndetësore, pandemia e COVID-19 ka çuar edhe në lindjen e shumë teorive dhe informacioneve që në rastin më të mirë mund të quhen të pasakta. Për këtë arsye, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) i ka publikuar disa këshilla për publikun në lidhje me COVID-19. Njëherit, përmes tyre synohet që të thyhen edhe disa mite që janë po aq të rrezikshme sa edhe të pasakta.

 

Ndihmoni në rrafshimin e lakores së infodemisë

Çdo ditë, të gjithë ne jemi të ekspozuar ndaj informatave të panumërta rreth COVID-19 dhe jo të gjitha janë të besueshme. Disa prej këshillave për të bërë dallimin dhe për të ndalur keqinformimin janë: mos bartja e thashethemeve, kontrollimi i fakteve, marrja e informacioneve nga burime të besueshme dhe e fundit gjithmonë pyesni se nga e dimë se diçka është e vërtetë?

 

FAKT: Vitaminat dhe mineralet nuk e shërojnë COVID-19

Vitaminat D dhe C si dhe zinku janë kritike për funksionimin e sistemit të imunitetit si dhe e luajnë një rol vendimtar në promovimin e shëndetit dhe mirëqenies për sa i përket ushqyeshmërisë. Aktualisht nuk ka udhëzime për shfrytëzimin e këtyre mikroelementeve për trajtimin e COVID-19.

 

FAKT: Studimet tregojnë se ilaçi hydroxychloroquine nuk jep efekte klinike në trajtimin e COVID-19

Ilaçi hydroxychloroquine ose chloroquine, i cili përdoret për trajtimin e malaries dhe artritit reumatik, është studiuar si trajtim i mundshëm kundër COVID-19. Të dhënat aktuale tregojnë se ky ilaç nuk e ul numrin e vdekjeve tek pacientët me COVID-19 të shtruar në spital dhe as nuk ndihmon tek ata që kanë shqetësime mesatare nga korona virusi. Nevojiten më shumë studime për të vlerësuar dobinë e këtij ilaçi tek të sëmurët mesatar si profilaktikë para apo pas ekspozimit të pacientëve ndaj COVID-19.

 

Madje, OBSH rikujton se, ky ilaç pranohet si i sigurt për pacientët me malarie dhe sëmundje të sistemit auto imun, por përdorimi i tij jashtë përshkrimit dhe pa mbikëqyrje mjekësore mund të shkaktojë efekte anësore tejet serioze dhe për këtë arsye duhet të shmanget.

 

FAKT: Njerëzit nuk duhet të bartin maska gjatë stërvitjes

Njerëzit nuk duhet të bartin maska gjatë stërvitjes, pasi që ato mund ta reduktojnë aftësinë e frymëmarrje së rehatshme. Djersa, mund ta lag maskën më shpejt dhe ta vështirësojë frymëmarrjen si dhe të nxisë krijimin e mikroorganizmave. Masa e rëndësishme parandaluese gjatë stërvitjeve është mbajtja e distancës fizike prej së paku një metri nga të tjerët.

 

FAKT: Gjasat për përhapjen e COVID-19 nga këpucët janë shumë të vogla

Gjasat për përhapjen e COVID-19 përmes këpucëve janë shumë të ulëta. Si masë parandaluese, posaçërisht në shtëpitë ku fëmijët zvarriten këmbadoras në dysheme, këpucët duhet të zbathen jashtë dhe të shmanget çdo kontakt i fëmijëve me to.

 

FAKT: Sëmundja e korona virusit (COVID-19) shkaktohet nga një virus dhe jo nga bakteret

Virusi i cili e shkakton COVID-19 është pjesë e një familjeje të viruseve të quajtur Coronaviridae. Antibiotikët nuk ndikojnë tek viruset. Disa njerëz që sëmuren me COVID-19 mund të zhvillojnë edhe infeksione bakteriale. Në rast të tillë, antibiotikët mund të rekomandohen nga mjeku. Aktualisht, nuk ekziston ndonjë ilaç i licencuar për shërimin e COVID-19. Nëse i keni simptomat, thirrni mjekun tuaj ose linjën telefonike për COVID-19 për të kërkuar ndihmë.

 

FAKT: Përdorimi i gjatë i maskave mjekësore*, kur ato barten sipas rregullave, NUK shkakton dehje me CO2 apo mungesë të oksigjenit

Përdorimi i gjatë i maskave mjekësore mund të jetë i parehatshëm. Sidoqoftë, ai nuk çon në dehjen me CO2 apo mungesë të oksigjenit. Gjatë bartjes së maskave sigurohuni që ato të kenë madhësinë e duhur për të mos ua penguar frymëmarrjen normale. Mos e përdorni sërish një maskë për një përdorim dhe gjithmonë ndërrojeni atë sapo të krijohet lagështi në të.

 

* Maskat mjekësore (njihen edhe si maska të kirurgjisë) janë të rrafshëta ose me pala; ato lidhen në kokë ose varen në vesh.

 

FAKT: Shumica e njerëzve që preken nga COVID-19 shërohen nga ai

Shumica e njerëzve që preken nga COVID-19 shfaqin simptoma të lehta ose mesatare dhe mund të shërohen nga ai falë kujdesit shëndetësor. Nëse keni kollë, ethe ose vështirësi në frymëmarrje kërkoni kujdes mjekësor herët – fillimisht telefonojuni institucioneve shëndetësore.

 

FAKT: Pirja e alkoolit nuk ju mbron nga COVID-19 dhe mund të jetë me rrezik

Konsumimi i dëmshëm i alkoolit e rrit rrezikun për probleme shëndetësore.

 

FAKT: Skanerët termal nuk e zbulojnë COVID-19

Skanerët termal janë efektiv për të zbuluar njerëzit që kanë temperaturë. Ata nuk i zbulojnë njerëzit që kanë COVID-19. Ka shumë arsye për temperaturë të rritur. Në rast se keni temperaturë telefonojini menjëherë institucioneve shëndetësore dhe kërkoni ndihmë.

 

Versionin në gjuhën angleze të këtyre këshillave e gjeni këtu.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE