KËSHILLA PËR FILLIMIN E VITIT TË RI SHKOLLOR

Teksa vetëm pak më shumë se njëzet ditë na ndajnë nga data 1 shtator, si prindërit edhe fëmijët duhet të fillojnë që gradualisht të përgatiten për fillimin e vitit të ri shkollor. Mirëpo, siç e dimë të gjithë shumë mirë, ky vit shkollor do të fillojë në rrethana të jashtëzakonshme për shkak të pandemisë së COVID-19. Prandaj edhe përgatitja e fëmijëve duhet të përshtatet me rrethanat e reja.

 

Për t’iu dalë në ndihmë prindërve në këtë drejtim organizata jo qeveritare Save the Children, ditë më parë në llogarinë e tyre në rrjetin social Facebook, i publikoi disa këshilla praktike se si prindërit mund t’i përgatisin fëmijët e tyre për vitin e ri shkollor, qoftë ata që do të ulen për herë të parë në bankat shkollore qoftë ata që do të rikthehen në shkollë pas pushimeve verore.

 

Në vijim mund t’i lexoni këto këshilla.

 

Siguroni fëmijët për masat e sigurisë

Shpjegojuani fëmijëve masat që shkolla e tyre do t’i ketë në mënyrë që nxënësit dhe mësimdhënësit të jenë të sigurt. Mundohuni ta imagjinoni një ditë normale së bashku dhe mendoni për gjërat që mund të jenë ndryshe nga normalja.

 

Tregohuni pozitiv

Kujtojuani fëmijëve të gjitha arsyet pozitive për t’u kthyer në shkollë si për shembull: ata mund t’i takojnë mësimdhënësit e tyre, të vazhdojnë të mësojnë gjëra të reja, të luajnë me shokët dhe shoqet, etj.

 

Diskutoni se si po ndjehen ata

Pyesni fëmijët tuaj se si po ndjehen për kthimin në shkollë. Siguroni ata se ndjenjat e tyre janë normale.

 

Tregojuni se çka dini

Tregojuni fëmijëve se kur dhe si do të hapen shkollat. Mos hezitoni që të flisni me shkollën, të ngrini çdo shqetësim apo rezervë që mund ta keni dhe të shtroni pyetje për planet që shkollat i kanë vënë në funksion.

 

Rikujtojuani fuqinë e tyre

Rikujtojuani fëmijëve tuaj se ata mund të ndalin përhapjen e virusit duke i larë duart me ujë dhe sapun dhe duke e mbuluar gojën dhe hundën kur kolliten apo teshtijnë.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE