KFOR – 23 VJET PËRKUSHTIM, PROFESIONALIZËM DHE PAANSHMËRI

 

Përkushtim, profesionalizëm dhe paanshmëri – Këto tri fjalë të thjeshta e përshkruajnë më së miri qëllimin dhe suksesin e misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO në Kosovë për më shumë se dy dekada tani. Gjatë kësaj kohe, mijëra ushtarë nga vende të ndryshme kanë zbarkuar në Kosovë në shërbim të paqes, për t’i përmbushur detyrat e KFOR-it sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999. Falë kësaj përpjekjeje të kombinuar të shumë kombeve, paqja, stabiliteti dhe liria e lëvizjes është përmirësuar vazhdimisht, dhe rrjedhimisht Kosova ka prosperuar. Le ta hedhim një vështrim nga afër pse këto tri fjalë e përshkruajnë më së miri misionin e KFOR-it në Kosovë.

 

 

Përkushtimi

Që nga dita e parë e zbarkimit, KFOR-i është përkushtuar që t’i shërbejë të gjithë njerëzve në Kosovë, duke krijuar kështu një mjedis të qetë dhe të sigurt për t’i përkrahur dhe koordinuar përpjekjet e gjera humanitare të organizatave ndërkombëtare dhe për ta nxitur zhvillimin e një Kosove stabile, demokratike, shumetnike dhe paqësore. Përkushtimi është një faktor kyç i detyrës, duke i dalluar personat me motivim të brendshëm dhe të vendosur nga ata pa dedikim të dukshëm në jetë. Përkushtimi e mban shkallën më të lartë të vendosmërisë, e madje edhe në kohë krizash dhe konflikti, i jep punës tuaj autenticitetin e nevojshëm për t’i kapërcyer vështirësitë. Përkushtimi tregon se nga është krijuar karakteri i personit, duke e përforcuar aftësinë për ta ndryshuar pamjen e gjërave.

 

Profesionalizmi

Profesionalizmi ndikon në çdo aspekt të mënyrës se si e bëni punën tuaj. Sidomos në misionet paqeruajtëse siç është KFOR-i, është me rëndësi të madhe të jeni në gjendje dhe të aftë t’i kryeni të gjitha detyrat tuaja në nivelin më të lartë të mundshëm, pasi ky lloj misioni, në të njëjtën kohë ka nevojë për ushtar dhe diplomat. Ruajtja e paqes do të thotë një kontakt i vazhdueshëm me popullsinë dhe përfaqësuesit e tyre, një marrëdhënie pune të ngushtë dhe të besueshme me institucionet që zhvillohet për të mirën e vendit, të shkatërruar nga lufta, dhe dukjen si kujdestarë të qetësisë dhe sigurisë para njerëzve pas kohës së konfliktit. Disiplina, vigjilenca, ndërgjegjja, një grup i qartë i rregullave dhe niveli i detyrueshëm i ndërgjegjësimit kulturor janë disa nga karakteristikat kryesore që shfaqin tipin modern të paqeruajtësit. Duhen shumë vite trajnim dhe përvojë në lidership për të zhvilluar aftësi të tilla. KFOR-i shërben në Kosovë për më shumë se dy dekada, duke i përkrahur përpjekjet e vendit për ta kapërcyer të kaluarën dhe për ta krijuar të ardhmen e vet. Paqja, stabiliteti, toleranca ndëretnike, ngritja organizative e institucioneve dhe madje edhe zhvillimi ekonomik kanë qenë sfida të jashtëzakonshme për Kosovën gjatë 23 viteve të fundit, ku KFOR-i ishte në gjendje që ta përkrahte me disa nga ekspertët më të mirë të cilët kombet pjesëmarrëse mund t’i ofrojnë. Niveli më i lartë i mundshëm i profesionalizmit për ushtarët dhe civilët e tij është baza e detyrueshme që KFOR-i përpiqet të sigurojë, duke krijuar mjedisin më të mirë të mundshëm për popullatën dhe gjeneratat që vijnë.

 

Paanshmëria

Kosova është e njohur për popullsinë e saj shumetnike dhe historinë e saj me plot ngjarje. Në rrethana të tilla, paanshmëria luan një rol edhe më të madh, duke marrë parasysh përbërjen e forcave të 28 kombeve nën komandën e KFOR-it. Vetëm me një udhëheqje të vendosur dhe të dallueshme, një mendje vërtetë të hapur për homologët dhe aplikimin e rregullave të barabarta për të gjitha palët, KFOR-i si mision ka qenë ofrues i fortë, i suksesshëm dhe i besueshëm i një mjedisi të qetë dhe të sigurt, dhe njihet nga të gjitha palët e konfliktit të mëhershëm si garantues i paqes, stabilitetit dhe lirisë për shumë vite tani. Mbajtja e qëndrimit të paanshëm ndaj të gjithë njerëzve në Kosovë ka krijuar besim dhe tregon besueshmëri dhe llogaridhënie. Projektet dhe donacionet e panumërta që KFOR-i ka realizuar deri më tani për të gjitha etnitë, komunat dhe institucionet janë dëshmia më e mirë e qasjes së tyre të barabartë, indiferente dhe të paanshme. Këto projekte janë përhapur për të mirën e të gjithë njerëzve në Kosovë, pa dallim etnie, feje dhe gjinie. Në 23 vitet e fundit, KFOR-i ka arritur që të kontribuojë në paqe, siguri dhe stabilitet. Niveli i qetësisë dhe sigurisë në Kosovë është përmirësuar vazhdimisht, e kështu edhe prosperiteti i Kosovës dhe i njerëzve që jetojnë këtu. KFOR-i do t’i mbajë vlerat e shfaqura dhe do ta vazhdojë misionin në Kosovë, duke e përkrahur Kosovën në rrugën e saj, përderisa kjo përkrahje konsiderohet e nevojshme.

 

 

Njëzet e tre vjet më parë, më 12 qershor 1999, elementët e parë të Forcës së Kosovës (KFOR) të udhëhequr nga NATO, filluan misionin e tyre në Kosovë pas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. KFOR-i fillimisht përbëhej nga rreth 50,000 burra dhe gra nga vendet anëtare, partnere dhe jo anëtare të NATO-së. Në fillim të vitit 2002, KFOR-i u reduktua në rreth 39,000 trupa. Mjedisi i përmirësuar i sigurisë i mundësoi NATO-së që ta reduktojë nivelin e trupave të KFOR-it në 26,000 deri në qershor 2003, pastaj në 17,500 deri në fund të 2003 dhe sot, në rreth 3,500.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE