KFOR-i IA DHURON 3 KONDICIONERË SHOQATËS HANDIKOS NË DRENAS

 

Thonë se “historia përsëritet!” – Në rastin e Shoqatës së Personave me Aftësi të Kufizuara “HANDIKOS”, në Drenas ditë më parë kjo thënie rezultoi më se e vërtetë, pasi që ata i përfituan tre kondicionerë të ajrit nga KFOR-i. Sipas drejtorit të kësaj shoqate, z. Behxhet Binaku, njëzet vjet më parë ishte KFOR-i që e ndërtoi objektin në të cilin gjendet kjo shoqatë. Tani, njëzet vjet më vonë, është sërish KFOR-i që përmes një donacioni tejet të domosdoshëm i doli në ndihmë kësaj shoqate duke iu mundësuar atyre që të ofrojnë shërbime cilësore.

 

Donacioni në fjalë u realizua në kuadër të projekteve të bashkëpunimit civilo-ushtarak CIMIC të KFOR-it dhe në ceremoninë modeste të realizuar me këtë rast ishte i pranishëm edhe Zëvendëskomandanti i Komandës Rajonale-Lindje, Koloneli Noel Hoback, cili në mes të tjerash deklaroi: “Sot jemi te Shoqata HANDIKOS, për të dhuruar këtë sistem të kondicionerëve të ajrit që do t’i ndihmojë ata që të mirëmbajnë temperaturën adekuate dhe kështu të vazhdojnë me edukimin e fëmijëve dhe të rriturve.” Ai vazhdoi më tej duke theksuar se një nga arsyet pse ky donacion është i rëndësishëm, është sepse kjo shoqatë punon me pjesën më të ndjeshme të popullatës. “Ne e vlerësojmë shumë punën e tyre dhe bashkëpunimin që KFOR-i e ka me këtë Shoqatë, si dhe bashkëpunimin e KFOR-it me të gjitha institucionet e Kosovës. Të rinjtë janë e ardhmja jo vetëm në Kosovë, por në mbarë botën. Prandaj, është e rëndësishme që t’i ndihmojmë ata që të bëhen vlerë e çmueshme e popullsisë në Kosovë,” shtoi në fund koloneli Hoback.

 

Në anën tjetër z. Binaku theksoi se: “Ky është një donacion dhe një dhuratë shumë e çmueshme, sepse falë saj ne gjatë muajve të dimrit mund ta ngrohim objektin tonë, kurse gjatë verës që ta ftohim atë. Me fjalë të tjera, tani ne do të jemi në gjendje që të ofrojmë shërbime cilësore për të gjithë fëmijët dhe të rriturit që janë përfitues të shërbimeve tona.” Më tej, z. Binaku bëri të ditur se aktualisht, përfitues direkt të shërbimeve të kësaj qendre janë fëmijët prej moshës 1 deri në 18 vjeç, që marrin shërbime të edukimit joformal dhe terapisë primare fizikale, si dhe personat me aftësi të kufizuara, mbi moshën 18 vjeçare, të cilët marrin shërbime të rehabilitimit. Për më tepër, falë këtij donacioni, kjo qendër tani do ta ketë mundësinë që të rris dinamikën e punës, si dhe të përfshijnë një numër më të madh të fëmijëve në këto kohë të dimrit, theksoi z. Binaku.

 

Gëzimin për pranimin e këtij donacioni e shprehu edhe 34 vjeçarja Arlinda Zeneli, përfaqësuese e personave me aftësi të kufizuara në Drenas. Sipas saj, deri tani, shqetësimi kryesor për të dhe kolegët e saj në HANDIKOS ishin temperaturat. “Si vera ashtu edhe dimri ishin problematike për të gjithë dhe sidomos për ne përdoruesit e karrocave. Verës ishte tepër ngrohtë, kurse dimrit ishte tepër ftohtë. Rrjedhimisht, ishte pothuajse e pamundur për ne që t’i mbanim mbledhjet e tona por, edhe që të ofronim shërbime cilësore për të gjithë ata që kanë nevojë për ato. Prandaj, dhurimi i këtyre kondicionerëve është një lehtësim i madh për ne,” shtoi znjsh. Zeneli.

 

Në fund z. Binaku bëri të ditur se aktualisht janë 36 fëmijë që marrin shërbime në baza ditore në këtë Shoqatë dhe shtoi se në këtë komunë janë gjithsejtë 1250 persona me aftësi të kufizuara prej të cilëve 150 janë fëmijë. Ai po ashtu, u bëri thirrje të gjitha institucioneve të Kosovës që të ofrojnë përkrahje më të madhe për shoqatën që ai e drejton. Sepse, në këtë mënyrë do të ndihmojnë në krijimin e kushteve që kjo shoqatë të ofrojë shërbime cilësore dhe profesionale për të gjithë personat me aftësi të kufizuara në komunën e Drenasit.

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE