Pjesëtarët e KFOR-it të Komandës Rajonale ‘Perëndim’ ua dorëzuan gjashtë tabela elektronike interaktive, gjashtë video-projektorë dhe gjashtë llaptopë shkollave në Shtërpcë. Projekti i financuar nga NATO do ta përmirësojë shumë cilësinë e sistemit arsimor lokal, dhe 2000 nxënës nga komuna e Shtërpcës të cilët vijojnë mësimin në gjashtë shkolla fillore dhe të mesme, do të kenë përfitime të veçanta.
Ky projekt u iniciua nga Ekipi i Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak nga Shtabi i KFOR-it dhe u finalizua bashkërisht nga ushtarët italianë dhe polakë.
Ceremonia solemne e dhurimit të tabelave të bardha interaktive u mbajt në shkollën “Staja Markoviq” në Shtërpcë ku mori pjesë Komandanti i Komandës Rajonale ‘Perëndim’ të KFOR, kolonel Gianluca Figus, së bashku me drejtorët e shkollave shqipe dhe serbe. Me atë rast, shumë nxënës patën mundësinë që t’i provojnë pajisjet e reja për herë të parë të cilat do ta lehtësojnë shumë procesin mësimor.
Fëmijët janë ardhmëria, kështu që ne duhet të investojmë në arsimimin e tyre, veçanërisht gjatë kohës së pandemisë, konsideron Komandanti i Komandës Rajonale ‘Perëndim’, koloneli Gianluca Figus, i cili theksoi posaçërisht për revistën “For You” se kjo ndihmë është e domosdoshme gjatë pandemisë COVID-19. Ai e vërtetoi përkushtimin e paanshëm të KFOR-it për përkrahje të të gjitha institucioneve në Kosovë që punojnë për bashkëjetesën dhe bashkëpunimin ndërmjet të gjitha grupeve etnike, me fokus të veçantë në arsimimin e brezave të rinj. Fëmijët e Shtërpcës do të përfitojnë nga ky donacion. Gjatë pandemisë COVID-19, kjo ndihmë mund të jetë shumë e dobishme pasi që do ta përmirësojë sistemin arsimor. Virusi dhe pandemia nuk do të na ndalojnë; ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me institucionet dhe do të vazhdojmë t’i përkrahim shkollat në të mirë të arsimimit më të mirë të fëmijëve.
Drejtoresha e shkollës fillore “Osman Mani”, Ganimete Xhemajli, shprehu kënaqësinë e saj me donacionin e KFOR-it duke theksuar se nxënësit do të fillojnë t’i përdorin tabelat e bardha interaktive sapo të fillojë mësimi nëpër shkolla. Sipas saj, donacioni është i rëndësishëm për të gjithë fëmijët që jetojnë në komunën e Shtërpcës pasi që do të kontribuojë shumë në përparimin e tyre në mësim dhe në modernizimin e arsimit.
Drejtori i shkollës fillore “Staja Markoviq”, Çedomir Nikoliq, u pajtua me të dhe i shprehu mirënjohje të madhe KFOR-it për bashkëpunimin. Ai u dërgoi një mesazh të gjithë nxënësve që të tregojnë qëndrueshmëri në këto kohëra të këqija dhe t’i përshtaten situatës në mënyrë që ta ruajnë shëndetin dhe të jenë të gatshëm për mënyrat moderne të mësimit dhe arsimit.
Shpesh shihemi me ushtarët e KFOR-it, bashkëpunojmë, ata na ndihmojnë dhe shkëmbejmë mendime kështu që mund të them se bashkëpunimi është i shkëlqyeshëm. Kjo shkollë kanevojë për ndihmë pasi që ka shumë nxënës, duke pasur parasysh hapësirën që kemi, por me ndihmën e njerëzve të mirë, mund t’i përmirësojmë kushtet tona të punës, theksoi Nikoliq. Ai shtoi se pajisjet elektronike të dhuruara do ta përmirësojnë mësimin online dhe do t’i përmirësojnë standardet arsimore sipas standardeve evropiane.
Tabelat e bardha interaktive do ta bëjnë mësimin më atraktiv dhe më të lehtë për ta kuptuar, thotë nxënësja Natalija Nikoliq, e cila i vijon mësimet në klasën e 8-të të shkollës fillore “Staja Markoviq: “Mësimi do të jetë më i lehtë me ndihmën e këtij donacioni. Kjo ndihmë do të thotë shumë për ne dhe shpresoj se do të komunikojmë më lehtë edhe me mësimdhënësit tanë,” theksoi ajo.
Ekipet e KFORit që morën pjesë në këtë ceremoni premtuan se do të vazhdojnë me përkushtimin e tyre për mjedis të sigurt duke u ndihmuar të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Që nga shpërthimi i koronavirusit, KFOR-i rregullisht i ka kryer aktivitetet e veta dhe i ka ndihmuar të rinjtë në Kosovë me donacione të shumta në kohën e pandemisë COVID-19 për ta kapërcyer pandeminë dhe për ta përmirësuar cilësinë e jetës së tyre.