KHAN ACADEMY – LIGJËRATA MODERNE PËR SHKOLLA MODERNE

Përhapja e pandemisë së COVID-19, pa dyshim që e ka theksuar shumë nevojën që mësimi të zhvillohet përmes përdorimit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK), ose thënë më thjeshtë mësimit në distancë dhe atij online. Duke qenë se, kalimi nga mësimi tradicional në atë online ishte i papritur dhe tejet rrënjësor, ende nuk e kemi një vlerësim përfundimtar për suksesin e tij. Sidoqoftë, një gjë është e sigurt, plotësimi i mësimit tradicional me metodat e reja të mësimdhënies përmes shfrytëzimit të TIK-ut është standardi i së ardhmes. Për ta kuptuar, më mirë rëndësinë e kësaj teknologjie për mësimin në të ardhmen, në këtë numër do të flasim për një prej burimeve online më të suksesshme, e cila në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) përdoret nga shumë nxënës, mësues e madje edhe shkolla si mjet shtesë, ndihmues por edhe përcjellës për të siguruar sukses sa më të lartë të nxënësve. Ky mjet quhet Khan Academy.

 

Çka është Khan Academy?

Khan Academy është një faqe e internetit lehtë e përdorshme dhe jo fitimprurëse. Ajo u krijua nga Salman Khan dhe i përmban rreth 3400 video ligjëruese të cilat iu ndihmojnë nxënësve që të mësojnë materiale të reja dhe ofron teste interaktive si dhe programe përmes të cilave mësuesit mund të përcjellin përparimin e nxënësve. Fillimisht, kjo faqe u krijua me qëllimin që t’i ndihmonte ata që dëshirojnë të mësojnë gjëra të reja në mënyrë të pavarur por, shumë shpejt u shndërrua në një mjet fantastik për mësimdhënie. Khan Academy, ofron ndihmë në lëndë të ndryshme si matematikë, ekonomi, art dhe shkenca kompjuterike. Ajo është e hapur dhe mund të qaset nga të gjithë, andaj, është një program që mund t’i ndihmojë të gjithë që të mësojnë. Duhet theksuar se tashmë në këtë faqe mund të gjenden edhe materiale të përkthyera në gjuhën shqipe.

 

Pse është Khan Academy një mjet i mirë për mësim?

Sipas krijuesit të saj, Salman Khan, mënyrat e vjetra të mësimdhënies nuk janë po aq efektive si dikur. Shkollat nuk mund të vazhdojnë t’i grumbullojnë nxënësit sipas moshës dhe t’i ngarkojnë me informacion, me shpresën se ata të gjithë do të mësojnë me ritmin e njëjtë. Përderisa, klasifikimi sipas moshës nuk është një aspekt që duhet ndryshuar, mënyra e mësimdhënies, padyshim, që ka nevojë për pak modernizim.

Disa shkolla, tashmë i shfrytëzojnë videot në këtë faqe ashtu që fëmijët të mësojnë në shtëpi duke i shikuar ato, kurse gjatë kohës në klasë ata i bëjnë “detyrat e shtëpisë” dhe ushtrimet. Në këtë mënyrë, atyre iu jepet mundësia që të mësojnë sipas ritmit të tyre. Kjo iu jep fëmijëve mundësinë që të kalojnë më shumë kohë me temat që i kuptojnë me më shumë vështirësi dhe t’i kalojnë shpejt e shpejt temat që i kuptojnë lehtë. Khan Academy, nuk e zëvendëson mësimdhënien por, i ndihmon nxënësit që kanë mbetur mbrapa që të përmirësohen përpara se të vijë koha e provimeve. Përmes saj, nxënësit mund të parapërgatiten për temën që do të ligjërohet në shkollë, kështu që mësuesi duhet të kalojë më pak për ligjërim dhe t’i përkushtohet më shumë punës individuale me fëmijët.

Sipas ekspertëve arsimor: “Për vite të tëra, mësuesit janë ankuar se janë lodhur duke ligjëruar për nxënësit mesatar sepse ata më të mirët mërziten gjatë përsëritjes së ligjëratave. Kurse, ata që kanë ngecur mbrapa nuk i kuptojnë njësitë e reja. Prandaj, shfrytëzimi i Khan Academy është mënyra e përsosur për ta ndryshuar këtë situatë.” Khan Academy, i ka shumë aspekte pozitive edhe nëse përdoret nga shkollat, sepse, krahas të qenit falas për përdorim nga të gjithë, kjo faqe e internetit i ka edhe shumë vegla që e bëjnë shumë të përshtatshme për përdorim në klasë.

 

Si mund ta shfrytëzojnë mësimdhënësit Khan Academy?

Me rastin e përdorimit të këtij burimi online, mësuesit mund të regjistrohen si “trajnues” dhe nga kjo pozitë mund të angazhohen me të mësuarit e nxënësve të tyre. Më këtë rast ata mund ta shohin se sa kohë e kalon secili nxënës në secilën temë veç e veç por, edhe në tërësi. Rrjedhimisht, ata mund ta krijojnë një pasqyrë më të mirë për përparimin e secilit nxënës. Po ashtu, mësuesit mund edhe të angazhohen në motivimin e nxënësve të tyre përmes ofrimit të çmimeve për sukseset e arritura nga nxënësit. Me fjalë të tjera, Khan Academy e bën të lehtë shpërblimin e suksesit, gjë që sipas ekspertëve është një prej mënyrave më të mira për të nxitur angazhimin dhe motivimin e nxënësve.

 

Cilat janë disa mangësi të Khan Academy?

Siç e kemi cekur në fillim, Khan Academy, ashtu si edhe çdo burim tjetër i ngjashëm, nuk e ka për qëllim zëvendësimin e plotë të të mësuarit tradicional dhe mësimdhënësve por, vetëm plotësimin dhe lehtësimin e punës së këtyre të fundit. Nëse iu jepet dorë e lirë fëmijëve, ata mund të përfundojnë në situata që iu mundësojnë keqpërdorimin e kësaj lirie dhe si rrjedhojë të mos angazhohen në mësim. Për këtë arsye, roli i mësimdhënësve është jetik në mënyrë që fëmijët të përfitojnë maksimalisht nga ky mjet i jashtëzakonshëm.

 

Cili është përfundimi?

Pa dyshim, gjeneratat e reja e mirëpresin shfrytëzimin e teknologjisë gjatë orëve të mësimit. Khan Academy, iu ofron shumë mundësi mësimdhënësve dhe nxënësve që këtë proces jetik ta bëjnë më të lehtë për t’u kuptuar dhe më argëtues. Mbase, aktualisht ai nuk mund të shfrytëzohet nga çdo shkollë, mësues apo nxënës mirëpo, ky burim ka potencial që një ditë të mund të përhapet dhe të ndihmojë arsimin në mbarë botën.

PDF Magazine

Tetor

(ALB_ENG)210

READ MORE

NEW MAGAZINE