KHAN ACADEMY NJË BURIM FANTASTIK PËR MËSIM ONLINE

 

Fakti se nuk mund të shkoni në shkollë për shkak të Corona Virusit nuk do të thotë se nuk duhet dhe nuk mund të mësoni. Për fat të mirë jetojmë në epokën e digjitalizimit kur interneti e shpalos tërë botën brenda shtëpisë sonë. Burimet dhe materialet për mësim në internet janë të pafundme. Sigurisht, tashmë edhe institucionet tona mësimore kanë filluar me organizimin e mësimeve në forma të ndryshme digjitale. Mirëpo, për të gjithë ju që keni dëshirë që të provoni diçka shtesë atëherë ne ua rekomandojmë shfrytëzimin e burimeve të Khan Academy në https://www.khanacademy.org/. Por, çka është Khan Academy.

 

Khan Academy është një organizatë arsimore jo fitimprurëse e krijuar në vitin 2008 nga Salman Khan me qëllim që të krijojë një komplet të veglave online për të ndihmuar arsimimin e nxënësve. Kjo organizatë përgatit leksione në formë të videove. Në faqen e saj të internetit janë të përfshira edhe ushtrime plotësuese dhe materiale për mësimdhënësit. Të gjitha burimet janë në dispozicion falas për përdoruesit e faqes së internetit dhe aplikacionit.

 

Faqja e internetit dhe përmbajtja e saj ofrohen kryesisht në gjuhën angleze por, edhe në gjuhë të tjera si gjuha arabe, armene, bengali, bullgare, kineze, çeke, daneze, holandeze, frënge, gjeorgjiane, gjermane, gujarati, hebraike, hindu, indoneziane, italiane, japoneze, koreane, norvegjeze, polake, portugeze (braziliane dhe evropiane), serbe, spanjolle, suedeze, tamil, telugu, turke dhe urdu.

 

Organizata u nis në vitin 2008 kur Salman Khan filloi ta mësonte matematikë një prej kushërinjve të tij përmes internetit me përdorimin e një shërbimi të quajtur Yahoo! Doodle Images. Pas pak kohe, edhe kushërinjtë e tjerë të Khanit filluan ta shfrytëzonin shërbimin e mësimeve të tij. Për shkak të kërkesës, Khan vendosi që t’i bënte videot e tij të shikueshme në internet, dhe kështu ai i publikoi materialet e tij në YouTube. Më vonë, ai e shfrytëzoi një aplikacion për vizatime të quajtur SmoothDraw, kurse tani e përdor një tablet Wacom për të vizatuar me programin ArtRage. Video mësimet u incizuan në kompjuterin e tij.

 

Reagimi pozitiv e bëri Khanin që të linte punën e tij në vitin 2009 dhe të përqendrohej me orar të plotë në këto leksione (asokohe të publikuara nën emrin Khan Academy). Sot, Khan Academy është një organizatë jo fitimprurëse 501(c)(3), kryesisht e financuar nga donacione që vijnë nga organizata filantropike. Në vitin 2010, Google i ka dhuruar 2 milionë dollarë amerikan për krijimin e kurseve të reja dhe për përkthimin e përmbajtjes në gjuhë të tjera si pjesë e programit të tyre Projekti 10^100. Në vitin 2013, Carlos Slim nga Fondacioni Carlos Slim në Meksikë, bëri një donacion për krijimin e videove në gjuhën spanjolle. Në vitin 2015, AT&T kontribuoi me 2.25 milionë dollarë për Khan Academy për versionin mobil të materialeve për qasje përmes aplikacioneve.

 

www.khanacademy.org

Një burim mësimor i personalizuar për të gjitha moshat

Khan Academy ofron ushtrime, video udhëzuese dhe një panel mësimor të personalizuar i cili i fuqizon nxënësit që të mësojnë sipas ritmit të tyre brenda dhe jashtë klasave. Aty trajtohet matematika, shkenca, programimi kompjuterik, historia, historia e artit, ekonomia dhe të tjera. Leksionet e tyre të matematikës i udhëheqin nxënësit nga çerdhet e deri te njehsimi diferencial dhe integral përmes përdorimit të teknologjisë përshtatëse më moderne e cila i identifikon pikat e forta dhe boshllëqet në të mësuar. Khan Academy, po ashtu, ka krijuar partneritet me institucione si NASA, Muzeu i Arteve Moderne, Akademia e Shkencave e Kalifornisë dhe MIT për të ofruar materiale të specializuara.

 

Vegla falas për prindërit dhe mësuesit

Khan Academy është e përkushtuar që të fuqizojë mësuesit e të gjitha llojeve që të kuptojnë më mirë nivelin e fëmijëve dhe nxënësve të tyre dhe se cila është mënyra më e mirë për t’i ndihmuar ata. Që menjëherë ta kuptojnë nëse një fëmijë apo nxënës është në vështirësi apo nëse ka ecur shumë më përpara se klasa e tij. Paneli për mësues i Khan Academy ofron një përmbledhje të performancës së klasës në tërësi si dhe të nxënësve individualisht.

 

Ju do të bëheni pjesë e një klase globale

Çdo ditë, miliona studentë nga mbarë bota, secili me historinë e tyre unike, mësojnë sipas ritmit të tyre në Khan Academy. Burimet e Khan Academy janë duke u përkthyer në mbi 36 gjuhë krahas versioneve të faqes së tyre në spanjisht, frëngjisht dhe portugalishten braziliane.

 

Nga fillimet modeste në një ekip me klasë botërore

Ajo që filloi si mësim i një njeriu për kushëririn e tij është rritur në një organizatë me mbi 150 njerëz. Sot ky është një ekip i larmishëm që është bashkuar për të punuar në një mision të guximshëm: ofrimi i arsimimit me cilësi botërore për këdo dhe kudo. Ata janë zhvillues, mësues, dizajnues, strategë, shkencëtarë dhe specialist të përmbajtjes të cilët me pasion besojnë në frymëzimin e botës për të mësuar. Çka po pritni pra? Bëhuni pjesë e Khan Academy që sot!