KHF ‘ISTOGU’ – 21 TITUJ NË 18 VJET

 

Për dallim nga shumë klube të tjera simotra, Klubi i Hendbollit i Femrave (KHF) ‘Istogu’ është një prej klubeve më të reja në Kosovë, pasi që ai u themelua për herë të parë në vitin 2004. Sidoqoftë, që nga themelim i tij, ky klub ka arritur që t’i fitojë gjithsejtë 21 trofe.

 

Mbi një trofe çdo vit

Gjatë këtyre tetëmbëdhjetë viteve të ekzistencës së tij, ky klub e ka një mesatare prej mbi një trofe të fituar për çdo vit. Sipas trajnerit Fahrush Shala kjo është një arritje për t’u krenuar dhe admiruar nga të gjithë adhuruesit e këtij sporti. Mirëpo, ai thotë që atij i jep edhe më shumë kënaqësi fakti që shumicën e trofeve i kanë fituar gjeneratat e reja (U-15 dhe U-18), një fakt ky që e tregon vazhdimësinë në punën serioze me këto gjenerata. Rrjedhimisht, sipas tij, ishte vetëm çështje kohe para se këto suksese të fillonin të pasqyroheshin edhe në arritjet e ekipit të senioreve. Siç edhe ka ndodhur gjatë gjashtë viteve të fundit ku KHF Istogu i ka fituar katër Kupa të Kosovës dhe dy tituj të Kampioneve të Kosovës.

 

Garat shkollore zhvilluesi kryesor i hendbollit

Trajneri Shala thekson se një prej katalizatorëve kryesor për zhvillimin e hendbollit në Istog janë garat e sportit shkollor në këtë komunë, të cilat zhvillohen në formën e një lige dhe të cilat e kanë një traditë shumë të gjatë. “Unë me hendbollin jam mishëruar që nga koha e shkollës fillore përmes pjesëmarrjes në garat shkollore të sportit. Njëherit, edhe shumica e hendbollisteve dhe hendbollistëve të KHF Istogu e kanë filluar karrierën e tyre pikërisht përmes këtyre garave dhe më pas kanë kaluar në klubin tonë,” rikujton z. Shala. Ai vazhdon më tej duke theksuar se një shtysë tjetër pozitive në zhvillimin e hendbollit në Istog ka ardhur edhe nga ndërtimi i palestrës si dhe nga themelimi i akademisë së klubit ku ushtrojnë vajzat e moshave 9-11 dhe 12-14 vjeçare.

 

Hezitim në fillim por tani hendbolli është një prej sporteve më të vijuara

Një tjetër arritje në zhvillimin e këtij sporti në Istog është popullarizimi i tij gjegjësisht ndryshimi i qëndrimit që prindërit e kishin në fillim për pjesëmarrjen e vajzave në gara sportive dhe qëndrimit që ata e kanë sot. “Në vitin 2004 ne ishim të detyruar që t’i lusnim prindërit që t’i sjellin fëmijët dhe sidomos vajzat në klub. Madje, ka pasur raste kur i kemi shfrytëzuar edhe lidhjet familjare për këtë qëllim. Tani, janë prindërit ata që vijnë me kërkesa për regjistrimin e vajzave të tyre në klubin tonë. Aktualisht, ne i kemi 60 vajza nga mosha 9 deri në moshën 14 vjeçare në akademinë tonë,” thekson më tej z. Shala.

 

Mungesa dhe mirëmbajtja e dobët e infrastrukturës dy probleme serioze

Më tej gjatë bisedës sonë, z. Shala theksoi se krahas nevojës për të investuar më shumë në sport, sidomos në ndërtimin e infrastrukturës së domosdoshme, vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet edhe mirëmbajtjes. Në këtë kontekst ai e ceku faktin që pothuajse të gjitha palestrat në Kosovë përballen me mungesën e klimatizimit, gjegjësisht gjatë verës ato janë tepër të ngrohta dhe gjatë dimrit tepër të ftohta. Për këtë arsye, ai iu bëri thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse për më shumë angazhim dhe mbikëqyrje në këtë drejtim. Ndërsa, të gjithë të rinjve z. Shala iu bëri thirrje që të merren sa më shumë me sport, cilido qoftë ai, mjafton që të jetë aktivitet fizik që i nxit të largohen nga rrjetet sociale dhe të ndër veprojnë me bashkëmoshatarët e tyre.

 

Asnjë fëmijë nuk lihet jashtë

Në pyetjen nëse e refuzojnë kërkesën për regjistrimin e ndonjë fëmijë në akademinë e klubit, z. Shala u përgjigj: “Qëllimi ynë është që asnjë fëmije të mos ia mohojmë mundësinë që të merret me sport. Prandaj, ne nuk e refuzojmë asnjë fëmijë që është i interesuar të luajë hendboll. Sepse, edhe nëse këto vajza nuk përfundojnë si hendbollistë në të ardhmen, është e sigurt që sporti do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e tyre psiko-fizik dhe edukativ. Prandaj, ne e shohim misionin tonë jo vetëm në kontekstin e interesave të klubit, por në kontekstin e interesave më të mira të këtyre fëmijëve gjegjësisht vajzave.”

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE