KOHË TË LUMTURA PËR TIFOZËT E REAL MADRIDIT

Përkundër pritjeve mjaft të ulëta pas lëndimeve masive të lojtarëve kyç si Thibaut Courtois, Eder Militao dhe David Alaba si dhe largimit të Karim Benzema në fillim të sezonit 2023-2024, fundi i këtij sezoni ka sjellë kohë të mira për tifozët e Real Madridit.

 

Pasi e fituan titullin e 36-të të kampionëve të Spanjës, me 95 pikë të grumbulluara, 87 gola të shënuar dhe vetëm 26 gola të pranuar, të shtunën e kaluar Reali arriti të fitonte edhe titullin e 15-të në Ligën e Kampionëve pa e shënuar asnjë humbje në këtë edicion. Me fjalë të tjera përkundër se i humbi që në fillim të sezonit portierin dhe dy qendërmbrojtësit kryesor, pa sjellë ndonjë përforcim (zëvendësim) domethënës, Reali arriti që të mbyllte këtë stinor me një prej mbrojtjeve më të mira në kontinentin e vjetër.

Sikur kjo të mos mjaftonte, dje në një postim në faqen zyrtare të klubit mbretëror u shpall lajmi i ditur tash e sa kohë, që Kylian Mbappe ka nënshkruar kontratë dhe në sezonin e ardhshëm do të luajë krahas Vinicius Jr., Jude Bellingham dhe Rodrygo Goes.

 

Në letër, ky sulm duket se do t’i torturojë mbrojtësit si në La Liga, po ashtu edhe në formatin e ri të Ligës së Kampionëve. Mirëpo, mbetet të shihet nëse një kombinim i tillë do të jetë po aq i suksesshëm edhe në praktikë. Mos ta harrojmë jo shumë kohë më parë PSG i bëri bashkë Mbappe, Leo Messi dhe Neymar Jr. në sulmin e tyre, por rezultati përfundimtar ishte minimal.

 

Përkundër asaj se si do të rezultojë gjithçka në të ardhmen, një gjë është e sigurt, në këtë moment tifozët e Real Madridit janë më të lumturit, pasi që krahas trofeve të fituar, edhe njëherë u vërtetua thënia e vjetër që Real Madrid gjithmonë arrin që t’i marri lojtarët që i synon.