KOSOVA – DIKUR DHE TANI!

 

Për më shumë se njëzet vjet në kuadër të Forcave Paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë me dhjetëra e mijëra ushtarë të vendeve të ndryshme të botës. Gjatë periudhës së shërbimit të tyre, këta burra dhe gra vijnë dhe jetojnë dhe punojnë këtu dhe bëhen pjesë e shoqërisë sonë. Ne i shohim ata çdo ditë, shumë prej nesh edhe i takojmë dhe bisedojmë me ta. Nga këto ndërveprime ne krijojmë përshtypje për ata dhe për kulturën e vendit nga ata vijnë. Mirëpo, ashtu sikurse ne edhe ata krijojnë përshtypje për ne dhe për Kosovën. Kohë më parë redaksia e jonë e pati kënaqësinë që të takohej dhe të bisedonte me tre ushtarak të vendeve të ndryshme në lidhje me përshtypjet e tyre për Kosovën dhe popullin e saj.

 

Më bën përshtypje mikpritja dhe afërsia e njerëzve me njëri-tjetrin

Personi i parë me të cilin biseduam ishte majore Elisa GUALTIERI, e cila tash e njëzet vite shërben si mjeke në kuadër të ushtrisë italiane dhe deri tani ka kryer misione në Afganistan dhe Liban. “Ky është misioni im i parë në Kosovë dhe më duhet të them se një ndër gjërat që më ka befasuar më së shumti është mikpritja e njerëzve këtu. Po ashtu, më bën shumë përshtypje se si ata ia arrijnë që të mbajnë lidhje të ngushta me njëri-tjetrin. Kjo vërehet edhe tek gjeneratat e reja të cilat përkundër se e njohin mirë teknologjinë informative dhe botën virtuale vazhdojnë që të jenë shumë aktiv edhe në botën reale,” tha majorja Gualtieri dhe shtoi: “Po të bëja një krahasim me vendlindjen time do të thosha se kjo situatë ngjason më shumë me gjendjen në jug të Italisë, përderisa në veri të Italisë njerëzit janë më të distancuar me njëri-tjetrin.”

 

Të rinjtë janë të bindur që e ardhmja e tyre është këtu

Bisedën tonë e vazhduam me kapitenin Karoly KOVACS nga forcat mbrojtëse të Hungarisë. Për dallim nga majorja Gualtieri, ky është misioni i tretë i kapitenit Kovacs në Kosovë. Misioni i tij i parë ishte në vitin 2017 dhe ai thotë se disa gjëra vazhdojnë të mbesin të pandryshuara por, disa gjëra kanë përparuar mjaft shumë. Sipas tij, ajo që nuk ka ndryshuar është mikpritja, mirësjellja dhe gatishmëria e njerëzve që të bashkëpunojnë me pjesëtarët e KFORit. Ndërsa ndryshimet që ai i sheh janë përmirësimet në kuadër të ekonomisë, infrastrukturës dhe situatës në përgjithësi. Në pyetjen se çka i bën më së shumti përshtypje në lidhje me Kosovën, kapiteni Kovacs tha se ishte vullneti i të rinjve për të punuar për një të ardhme më të mirë. “Të rinjtë që ishin në shkollë të mesme kur isha këtu në vitin 2017, tani janë rritur dhe ata tashmë i udhëheqin bizneset e tyre, punojnë në institucione të ndryshme apo shërbejnë në kuadër të policisë. Pra, ata janë duke punuar fort për t’i realizuar ëndrrat e tyre dhe për të krijuar një të ardhme më të mirë, pasi që ata janë të bindur se e ardhmja e tyre është këtu.”

 

Përmirësime në çdo fushë të jetës

Bashkëbiseduesi ynë i tretë ishte kryekapteri (warrant oficer first class) Elmar BEARZI nga njësiti i EOD (ekipi për deminim) i forcave të armatosura të Austrisë, për të cilin ky është misioni i tij i pesëmbëdhjetë në Kosovë. Në lidhje me përvojën dhe përshtypjet e tij për Kosovën, ai theksoi se për herë të parë erdhi në Kosovë në vitin 2005. “Kur erdha për herë të parë këtu isha një ushtar i ri dhe asokohe, isha i stacionuar në Suharekë. E mbaj mend se gjëja që më bënte më së shumti përshtypje gjatë atij misioni ishte mirënjohja, lumturia dhe gatishmëria e njerëzve për të bashkëpunuar me ne sa herë që dilnim në terren për të larguar mjetet e ndryshme eksplozive. Këto operacione tonat ua mundësonin njerëzve që t’i ktheheshin jetës së tyre normale dhe të zhvillonin aktivitetet e zakonshme. Më duhet të them që edhe pas pesëmbëdhjetë viteve ky qëndrim nuk ka ndryshuar.” Në kërkesën tonë për të bërë një krahasim se si ishte Kosova në vitin 2005 dhe sot, kryekapteri Bearzi thekson se zhvillimi që ka ndodhur në Kosovë është i jashtëzakonshëm. Sipas tij, që atëherë janë realizuar projekte të ndryshme dhe janë ndërtuar objekte të reja dhe të bukura. Po ashtu, rrugët e ngushta dhe të shkatërruara janë zëvendësuar me autorrugë moderne, me një fjalë, ndryshimet pozitive vërehen në çdo fushë të jetës. Mirëpo, gjëja që më së shumti i bën përshtypje atij është dallimi tek rinia: “Në vitin 2005, të rinjtë ishin të prekur nga ngjarjet e asaj kohe. Kurse tani i kemi gjeneratat e të rinjve që janë duke u rritur në paqe dhe stabilitet. Kështu që, rinia e Kosovës sot është e njëjtë me rininë në Evropë dhe ata janë në rrugë të mbarë për të ndërtuar një të ardhme shumë të mirë për veten dhe gjeneratat pas tyre.”

 

“Tepër afër mozaikut për të parë fotografinë që krijohet”

Biseda me këta tre pjesëtarë të KFOR-it na e kujtoi thënien “Tepër afër mozaikut për të parë fotografinë që krijohet”. Me fjalë të tjera, ne që jemi duke jetuar këtu shpesh nuk arrijmë që të shohim, ose më mirë të themi harrojmë se sa shumë kemi ecur përpara si shoqëri gjatë njëzet viteve të fundit. Pa dyshim, një meritë e madhe për këtë përparim i takon edhe të gjithë atyre që gjatë kësaj periudhe kanë ardhur dhe kanë shërbyer këtu në Kosovë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë ne. Mënyra më e mirë për të shprehur mirënjohjen tonë për përpjekjet e tyre është duke mësuar nga gabimet e së kaluarës dhe duke vazhduar të punojmë të gjithë së bashku për një të ardhme më të mirë.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE