KOSTUMET E GJITHËSISË – KOSTUMET MË TË SHTRENJTA NË BOTË

 

Që nga krijimi i saj, emri i NASA (National Aeronautics and Space Administration – Administrata Kombëtare e Aeronautikës dhe Gjithësisë) ka qenë dhe mbetet sinonim për arritjet teknologjike. Mirëpo, kur bëhet fjalë për arritjet teknologjike të kësaj agjencie pak kush i kushton vëmendje kostumeve të gjithësisë. Ndonëse, një ndër zbulimet më inovative të NASA-së janë pikërisht kostumet e saj. Këtë pohim e përforcon edhe më tej fakti që prodhimi i një kostumi të tillë sot kushton rreth 150 milionë dollarë amerikan. Për më tepër, kohëve të fundit është raportuar dhe diskutuar shumë nëpër mediat e ndryshme lajmi që NASA ka mungesë të kostumeve të gjithësisë!

 

Kostumet e astronautëve janë në fakt anije kozmike

Ndonëse në shikim të parë nuk e krijon këtë përshtypje, gjithësia është një ndër mjediset më të egra për ekzistencën e qenieve të gjalla gjegjësisht njerëzve, pasi që atje nuk ka presion atmosferik dhe as oksigjen dhe këto janë vetëm dy prej problemeve kryesore. Kostumet i mbrojnë astronautët edhe nga rrezatimi që vjen nga Dielli dhe trupat e tjerë, si dhe nga grimca që udhëtojnë me shpejtësi deri në 29.000 kilometra në orë. Pastaj, krahas oksigjenit për frymëmarrje, në këto kostume janë të përfshira edhe pajisjet e komunikimit, telemetrisë dhe çdo gjë tjetër që i nevojitet një astronauti për të mbijetuar për orë të tëra jashtë anijeve kozmike. Me fjalë të tjera, këto kostume janë mini anije kozmike në formën e trupit të njeriut.

 

Furnizimi me kostume çështje komplekse

Ajo që nuk duhet harruar është se jo gjithkush mund t’i prodhojë këto veshje speciale të astronautëve. Ato, po ashtu, nuk janë një njësi e vetme, por janë disa pjesë të cilat kur bashkohen e krijojnë një njësi të tërë dhe me kalimin e kohës ato janë ndryshuar dhe përshtatur. Pikërisht ky tipar e mundëson ripërdorimin e tyre si dhe e tejkalon problemin e përmasave njerëzore (jo të gjithë astronautët e kanë konstruktin e njëjtë trupor). Në anën tjetër, përshtatshmëria e këtyre kostumeve varet edhe nga natyra e misioneve – ecja në gjithësi ose kryerja e punimeve në anijet kozmike ose në stacionin ndërkombëtar të gjithësisë, zbarkimi në Hënë ose në Mars, etj. Duke i pasur parasysh faktet e mësipërme nuk është për t’u habitur që furnizimi me këto kostume është një çështje tejet komplekse. Tek e fundit, nuk është se NASA mund të shkoj në dyqanin e lagjes dhe të blej kostume të gjithësisë apo t’i porosisë ato në internet.

 

250 milionë dollarë investime për gjeneratën e re të kostumeve

Krahas mirëmbajtjes së kostumeve ekzistuese, kjo agjenci i ka investuar edhe rreth 250 milionë dollarë amerikan për krijimin e gjeneratës së re të kostumeve të gjithësisë. Sipas, njoftimeve të kësaj agjencie në lidhje me këtë çështje, kostumet e reja krahas mbrojtjes duhet të ofrojnë edhe më shumë lëvizshmëri si dhe t’i plotësojnë të gjitha nevojat që kërkohen për realizmin e misioneve të planifikuara në të ardhmen e afërt. Pra, NASA pret që kostumet e reja të jenë më pak masive se sa ekzistueset, por me funksionalitet të shtuar. Ku i dihet, mbase kostumet e reja më në fund do të ngjajnë më shumë me kostumet e paraqitura në filmat e ndryshëm fantastiko-shkencor.

 

Dyzet vjet shërbim

Në vitin 1974 NASA i zhvilloi 18 kostume për programin e Space Shuttle. Jetëgjatësia e paraparë për këto kostume ishte 15 vjet, mirëpo ato janë në përdorim tash e dyzet vjet. NASA bën të ditur se nga 18 kostumet origjinale kanë mbetur vetëm 11, ndërsa vetëm katër prej tyre janë në gjendje funksionale.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE