KUSH ËSHTË GJON’S TEARS?

 

Gjon’s tears është një tjetër talent shqiptar, qëllimi i të cilit është që zëri i tij të dëgjohet kudo në botë. I lindur në Zvicër, Gjon Muharremaj është me origjinë shqiptare, babai nga Kosova dhe nëna nga Tirana. Pavarësisht se ka lindur në Zvicër, Gjoni e flet një shqipe tepër të pastër, duke e ndërthurur dialektin e Kosovës me atë të Tiranës. Për ta njohur më shumë Gjonin, ai e ka rrëfyer historinë e tij që ju ftojmë ta lexoni më poshtë.

 

Gjon pse e ke zgjedhur që emrin e skenës ta kesh Gjon’s Tears?

Pas këtij emri fshihet një histori mjaft interesante. Për emrin Gjon’s tears ose lotët e Gjonit më ka ardhur ideja kur gjyshi im ka ardhur nga Kanadaja në Zvicër për të më dëgjuar dhe një ditë që po i bija një pianoje elektrike, duke luajtur këngën “Can’t help falling in love” të Elvis Presley-t, gjyshi më tha se duhet ta vazhdoja patjetër muzikën pasi që ishte diçka shumë e rëndësishme për mua. Teksa po e performoja këtë këngë për herë të parë për gjyshin tim, e pashë që ai ishte me lot dhe tepër i emocionuar. Unë isha i vogël dhe po mendoja se si muzika e ka këtë magji, u ndjeva si superhero. M’u duk shumë e fortë ajo çfarë ndodhi dhe kështu që vendosa ta mbaja këtë emër pasi që është një episod i jetës sime që më ka prekur shumë.

 

“Babi” është projekti juaj i parë muzikor?

Po, “Babi” është projekti im i parë muzikor, me tekstin dhe muzikën e së cilës jam marrë vetë unë. Kur isha më i vogël, kisha të tjera projekte por nuk i kisha krijuar unë por një kompozitor, dhuratë nga gjyshi.

 

Për çfarë flet kjo këngë?

Eshtë një këngë e shkruar gjysmë anglisht dhe gjysmë shqip. Ajo flet për një histori mes babait dhe djalit të tij dhe është pikërisht djali ai që i drejton këto fjalë babait të tij, i cili është një përdorues i alkoolit, duke i thënë: ” Pavarësisht se më kë bërë gjithë këto të këqija, unë t’i fal sepse të dua”.

 

Ke qenë një nga konkurrentët e “Albania’s Got Talents”, si e përshkruan atë eksperiencë?

Për mua “Albania’s Got Talents” ishte një eksperiencë shumë e veçantë dhe e bukur. Më pëlqeu shumë të takoja publikun shqiptar, andej nga është edhe origjina ime. Edhe pse më pëlqeu shumë, mendoj se isha shumë i vogël për ta jetuar eksperiencën plotësisht sepse tani që jam në “The Voice France”, e kuptoj se çfarë po më ndodh.

 

Momentalisht jeni në “The Voice France”, si po e përjetoni këtë eksperiencë?

“The Voice France” për mua është një eksperiencë e re pasi që edhe pse kam dalë në televizion kur isha fëmijë, nuk është e njëjta gjë pasi që tani e kam një koncept dhe e di ku do të shkoj dhe se çfarë muzike dua të bëj. Muzika që unë e krijoj, dëshiroj të pëlqehet si në Francë, Zvicër, Shqipëri dhe Kosovë.

 

Pse vendosët t’i dedikonit një këngë babit?

Babi është rrënja e pemës, është personi më i rëndësishëm së bashku me mamin. Kjo nuk është një histori personale, pra nuk i dedikohet babait tim. Zgjodha të bëj këtë dedikim pasi doja të trajtoja një histori ndryshe nga e imja pasi që për mua ishte shumë interesante dhe e rëndësishme të flisja për temën e alkoolit dhe familjes.

 

(Burimi: http://topawards.top-channel.tv)

PDF Magazine

Tetor

(ALB_ENG)210

READ MORE

NEW MAGAZINE