“LET’S DO IT KOSOVA” ME AKSION PËR PASTRIMIN E MBETURINAVE NË DITËN E TOKËS

Me rastin e Ditës së Tokës Organizata Joqeveritare “Let’s do it Kosova” e ndërmori një aksion për pastrimin e mbeturinave nga deponia e egër në Rrugën Tirana mbrapa Stadiumit Fadil Vokrri dhe Pallatit të Rinisë në Prishtinë. Krahas pastrimit të mbeturinave aksioni në këtë pjesë të qytetit u mbyll me mbjelljen e disa fidanëve.

 

Në lidhje me këtë aksion z. Luan Hasanaj nga Let’s do it Kosova u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të kontribuojnë në ruajtjen e pastërtisë dhe mbrojtjen e ambientit dhe sidomos të tregohen të përgjegjshëm se ku i hedhin mbeturinat. Ndërsa institucioneve të vendit z. Hasanaj u bëri thirrje që të tregohen më të vendosura dhe më rrepta për sa i përket gjobitjes së individëve apo kompanive që e ndotin ambientin. Sepse siç tha ai, kjo është hera e pestë që kjo organizatë organizon aksione për pastrimin e mbeturinave nga po i njëjti lokacion.

 

Sa i përket vet aksionit, një falënderim i veçantë shkon për nxënësit e Shkollës Fillore dhe të mesme të Ulët “Qamil Batalli” në Prishtinë të cilët iu përgjigjën thirrjes për të marrë pjesë në pastrimin e mbeturinave nga kjo pjesë e qytetit të tyre. Si gjithmonë nuk munguan as vullnetarët e Let’s do it Kosova si dhe të disa OJQ-ve të tjera si dhe punëtorët e kompanisë për trajtimin e mbeturinave.

 

Në fund të bisedës sonë z. Hasanaj i porositi të gjithë qytetarët se pa marrë parasysh rrethanat në të cilat ne jetojmë, ato asnjëherë nuk na e japin të drejtën dhe as nuk na lirojnë nga përgjegjësia jonë për të mbrojtur natyrën. Sepse, mënyra se si ne e trajtojmë natyrën është mënyra se si ajo do të na trajtojë ne. Mbeturinat që ne i hedhim pa kontroll në tokë apo në ujë, me kalimin e kohës materialet kimike që ato i lëshojnë do të përfundojnë në tryezat tona në ushqimin që e hamë dhe ujin që e pimë.