LLOJET E KRIMIT KIBERNETIK

 

Në numrin e mëparshëm të revistës sonë, e kemi diskutuar se çfarë është krimi kibernetik dhe pse ai duhet të jetë i rëndësishëm për ju. Megjithatë, këtë herë ne do të diskutojmë më në thellësi llojet e ndryshme të krimeve kibernetike, viktimë e të cilave mund të bëheni, nëse e shpërfillni sigurinë në internet ose online.

 

Malware

Viruset kompjuterike janë gjyshi i krimit kibernetik; ndoshta lloji i parë që e keni hasur. Viruset infektojnë sistemet kompjuterike, i shkatërrojnë dosjet, e ngatërrojnë funksionalitetin e përgjithshëm dhe vetë shumohen për të kaluar në pajisje dhe sisteme të tjera. Viruset janë një formë e malware-it, që i përfshin të gjitha llojet e softuerëve me qëllim të keq: çdo kod ose program i shkruar dhe i shpërndarë për të shkaktuar dëm, për të vjedhur të dhëna, për të bërë para për pronarin e tyre dhe në përgjithësi për të shkatërruar ditën tuaj. Kjo përfshin ransomware-in, i cili mund t’i bllokojë dosjet tuaja derisa të paguani një shumë të caktuar për t’i deshifruar ato, dhe adware-i që ju dërgon mesazhe të padëshiruara reklamash.

 

Vjedhja e identitetit dhe mashtrimet e tjera

Ndërsa vjedhja e identitetit nuk është ekskluzivisht një krim kibernetik, këto ditë ka më shumë gjasa që të ndodhë përmes teknologjisë. Në fakt, sot në Amerikë mashtrimi i identitetit ndodh çdo dy sekonda. Nëse një haker dëshiron të kryejë vjedhje identiteti ose mashtrim me kartën e kreditit, së pari duhet të ketë qasje të mjaftueshme në të dhënat personale të viktimës së tyre për të qenë në gjendje për të kryer krimin. Këto janë disa mënyra se si ata mund të kenë qasje:

 

  1. Phishing: Kriminelët kibernetikë e përdorin karremin në formën e mesazheve mashtruese për të joshur viktimat në sajte të rreme ku ata padashur futin informacione personale si emrat e përdoruesve, fjalëkalimet ose detajet bankare.
  2. Pharming: Duke shkuar një hap më tutje se phishing, pharming përdor malware për të ridrejtuar përdoruesit e pakujdesshëm të internetit drejt versioneve të rreme të faqeve të internetit, ku ata pa vetëdije futin të dhënat e tyre personale.
  3. Keylogging: Ky lloj i malware-it (ose për të qenë më specifik, spyware-it) e regjistron fshehurazi gjithçka që ju shkruani, duke e kapur informacionin e llogarisë tuaj dhe detaje të tjera personale.
  4. Sniffing: Nëse jeni i lidhur me një rrjet publik Wi-Fi të pasigurt dhe të pa koduar, hakerët mund të vjedhin të dhënat tuaja duke aplikuar sniffing (nuhatur) trafikun tuaj të internetit me mjete speciale (përveç nëse keni një VPN, natyrisht). Ndërsa, hakerat kanë shumë mënyra për të vjedhur të dhënat personale, ka edhe shumë mënyra të mira për të parandaluar vjedhjen e identitetit. Shmangni qasjen në llogaritë tuaja personale (veçanërisht bankat në internet) në Wi-Fi publik dhe merrni parasysh konfigurimin e një shërbimi monitorimi për t’u siguruar që llogaritë tuaja në internet nuk janë thyer.

 

Ngacmimi kibernetik

Ngacmimi ose mujsharja kibernetike i referohet të gjitha llojeve të ngacmimeve në internet, duke përfshirë ndjekjen, ngacmimin seksual, doxing (ekspozimin në internet të informacionit personal të dikujt, si adresën fizike, pa pëlqimin e tyre) dhe fraping (depërtimi në mediat sociale të dikujt dhe bërja e postimeve të rreme në emër të tyre).

 

Crypto jacking

Crypto jacking (plaçkitje e kriptomonedhave) është kur hakerët futen në pajisjen tuaj dhe e përdorin atë për të minuar kriptomonedhë pa dijeninë ose pëlqimin tuaj. Minatorët e kriptomonedhave e bëjnë këtë duke përdorur JavaScript për të infektuar pajisjen tuaj pasi të vizitoni një faqe interneti të infektuar. Kjo mund të shkaktojë probleme të performancës dhe fatura të larta elektrike për ju – gjersa kriptoplaçkitësit fitojnë fitime të mëdha.

 

Zhvatja kibernetike

Zhvatja kibernetike është pikërisht ashtu si tingëllon – një version digjital i makthit që është zhvatja. Një nga format më të zakonshme të zhvatjes është ransomware, kur hakerat infektojnë kompjuterin tuaj me malware që i kodojnë të gjitha dosjet tuaja derisa t’u paguani atyre një shumë për t’i zhbllokuar. Zhvatja kibernetike mund t’i referohet gjithashtu shantazhimit të viktimave duke përdorur të dhënat e tyre personale, fotot dhe videot personale; ose duke kërcënuar bizneset përmes përdorimit të metodave si sulmet DDoS të drejtuara nga botnet.

 

Një sulm DDoS (Mohim i Shërbimit i Distribuuar) është një tentim qëllimkeq për të penguar trafikun normal të serverit, shërbimit ose rrjetit të synuar, duke e mbingarkuar shënjestrën ose infrastrukturën përreth saj me një vërshim të trafikut të internetit.

 

Spiunazhi kibernetik

Siç e kemi cekur në artikullin tonë të mëparshëm, shumë kriminelë kibernetikë ditëve të sotme janë në fakt grupe të sponsorizuara nga shtete. Fuqitë botërore i përdorin grupet e hakerëve si një prej mjeteve në matricën e ndërlikuar të politikës globale. Vjedhja e informacioneve sekrete dhe përdorimi i malware për të sulmuar infrastrukturën jetike janë vetëm dy prej mënyrave të shumta, përmes së cilave grupet e sponsorizuara nga shtetet mund të bëjnë gjëra të frikshme në skenën botërore. Pavarësisht nga lloji i krimit kibernetik, ju mund të mbroheni duke instaluar një program të mirë sigurie që do të bllokojë viruset, vegëzat qëllimkeqe, faqet e dyshimta të internetit, shkarkimet e dëmshme dhe kërcënimet e tjera të ndryshme. Nëse kriminelët kibernetikë nuk mund t’i qasen lehtësisht kompjuterit tuaj ose të dhënave personale, ata sipas të gjitha gjasave do të vazhdojnë tek viktima tjetër. Mbrohuni me një shtresë të fortë mbrojtjeje, luftoni kundër kriminelëve kibernetikë dhe mbrohuni kundër viruseve, malware dhe kërcënimeve të tjera në internet.

 

“Kini kujdes kur jeni online. Mbroni privatësinë e të dhënave tuaja personale dhe jini të kujdesshëm ndaj çdo mashtrimi apo kërkese që mund të ndikojë në privatësinë tuaj. Flisni me prindërit ose kujdestarët tuaj për çdo ndryshim në rutinën tuaj të shfletimit për të shmangur rrezikun e ekspozimit ndaj njerëzve me qëllime të këqija,” Baki Kelani, Zëdhënës i Policisë së Kosovës.

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE