LUMBARDH SALIHU FITUESI I BIG BROTHER VIP KOSOVA 2

 

Rrugëtimi i Lumbardh Salihut drejt famës nisi në fushat e blerta të futbollit, për të vazhduar me modelim, për t’u kthyer në të preferuarin e publikut të Kosovës gjatë pjesëmarrjes në Big Brother VIP Kosova 2. Në këtë intervistë ekskluzive, ai e nxjerr në pah fuqinë transformuese të çdo takimi jetësor, duke e nënvizuar veçanërisht ndikimin e përvojës së tij në Big Brother. Për Lumbardhin kjo shfaqje shërbeu si një katalizator për kultivimin e autenticitetit të pa filtruar, duke i sfiduar normat shoqërore të rezervimit dhe duke e nxitur një rivlerësim të vetëvlerësimit. Teksa del triumfalisht nga sfera e realitetit televiziv, Lumbardhi e sqaron ndikimin e thellë të kësaj përvoje, si në jetën e tij personale ashtu edhe në atë profesionale. Bashkohuni me ne në këtë intervistë, ku Lumbardhi i ndanë sinqerisht sprovat dhe triumfet që e përcaktuan rrugën e tij drejt fitores, një dëshmi e qëndrueshmërisë, autenticitetit dhe ndjekjes së ëndrrave në qendër të vëmendjes.

 

Keni filluar si futbollist, më pas e keni provuar modelimin dhe në fund keni fituar në Big Brother VIP Kosova 2. Cilat mësime nga këto përvoja mendoni se do ju shërbejnë në të ardhmen?

Unë mendoj që çdo lloj përvoje në jetë është diçka që mund ta marrësh me veti, që të pjek dhe të burrëron. Sidomos për Big Brother Kosova mendoj që është një format që më ka mësuar të bëhem më i drejtpërdrejt. Ne të gjithë duhet të fillojmë të mësohemi që ta duam dhe ta vlerësojmë më shumë veten, sepse nëse nuk ia di vlerën vetes nuk mund as ta duash dikë tjetër.

 

Fitorja në BBVIP Kosova 2 padyshim ka qenë një përvojë e paharrueshme. Si ka ndikuar ky “reality show” në jetën tuaj private dhe profesionale?

Gjithçka! E përmenda edhe më herët kur kam qenë pjesë e shtëpisë dhe banorët më akuzonin për ndonjë gjë apo më quanin me emra si aktor, intrigant, mashtrues, këto gjëra më bënin që ta humbja vetëbesimin. Mirëpo, pasi kam dalë jashtë dhe e kam parë dhe ndjerë respektin dhe dashurinë e publikut, sinqerisht aty e kam vërejtur se sa shumë ka ndryshuar jeta ime. Në fakt, që kur kam dalë nga Big Brother Kosova më 2 shkurt, gjithçka ka ndryshuar, dhe do të thosha se puna e vërtetë tani ka filluar.

 

Si përballeni me famën dhe e ruani origjinalitetin tuaj?

Gjatë tërë qëndrimit tim në shtëpinë e Big Brother unë kam qenë gjithmonë origjinal dhe vetvetja ashtu siç kam qenë përpara se të hyja dhe jam po i njëjti edhe tani pasi që kam dalë. Për mua kjo është me rëndësi sepse nëse unë e humbi atë që e bën Lumbardhin vetëm për hir të famës nuk mund të jem i kënaqur me veten. Për këtë arsye mundohem tërë kohën që ta ruaj atë origjinalitetin tim.

A mund ta ndash me ne një moment të veçantë për ju nga BBVIP Kosova?

Kam kujtime shumë të mira nga shtëpia dhe është shumë e vështirë që të ndajë diçka që tashmë publiku nuk e ka parë. mirëpo, dua të them se të gjitha kujtimet me Kaderin janë vërtetë fantastike dhe i çmoj vërtetë shumë. Nuk ka qenë aspak e lehtë që të krijohet një lidhje dashurie në një ambient si ai i Big Brother ku je nën vëzhgimin e vazhdueshëm të kamerave dhe mikrofonave ku asgjë nuk është private. Pastaj, janë edhe momentet e tjera si ardhja e prindërve të mi për vizitën festimi i ditëlindjes sime aty brenda me fishekzjarrë, etj. Mirëpo, më duhet ta theksoj se ka qenë edhe një moment pesë ditë pas hyrjes sime në shtëpi, ku në dhomën e rrëfimit e kam kërkuar ndihmën e psikologut. Në një rrëfim në shtëpi nuk e kam përmend që e kam kërkuar ndihmën e psikologut, por vetëm që kam kërkuar të dal. Mirëpo, me të vërtetë unë jam i pari që e kam kërkuar ndihmën e psikologut aty brenda. Këtë e kam bërë sepse kam besuar që më duhet dikush që të flas për situatën dhe gjendjen e izolimit brenda shtëpisë dhe nuk e kam marrë me mend se qëndrimi në shtëpi do të mund të ishte aq i rëndë. Mirëpo, që nga ai moment e tutje asnjëherë nuk e kam menduar atë situatë me dhe kam filluar të fokusohem më shumë në të gjitha sakrificat që i kam bërë për të arritur aty dhe kështu që nuk jam ndalë dhe në fund dola fitues.

 

BBVIP Kosova pa dyshim ua ka hapur dyert në industrinë e argëtimit. Mund të na tregosh për ndonjë projekt në të ardhmen e afërt për të cilin jeni shumë i lumtur që do ta realizoni?

Jam duke menduar që të orientohem në tri drejtime. E para është modelimi ku unë jam fytyra e brendit të bukur të Blerina Kllokoqi-Rugovës, ku ajo ka qenë edhe stilistja e të gjitha rrobave që i kam veshur gjatë qëndrimit në shtëpi. Fusha e dytë në të cilën dua që të orientohem është aktrimi. Kjo është një ëndërr e imja që dua të provoj ta realizoj dhe falë Big Brother mund të them që tashmë kam oferta, por që për momentin nuk mund të jap më shumë detaje. Fusha e tretë në të cilën dua që të orientohem është përfshirja në biznes për të realizuar disa projekte që i kam menduar.

 

Si dikush që e keni përjetuar suksesin në disa fusha, çka do t’i këshilloje të gjithë ata që janë në mëdyshje për t’i ndjekur ëndrrat e tyre?

Unë mendoj që së pari duhet të keni ëndrra, të keni një vizion dhe mision. Më pas duhet të punoni për realizimin e këtyre ëndrrave. Krahas kësaj është me rëndësi që të gjithë ta kuptojnë se çdo gjë që mund ta paramendoni mund ta realizoni me punë, përkushtim dhe angazhim, sepse ne të gjithë kemi potencial të pafund. Një thënie që e kam si moto në këtë drejtim e ka thënë shkrimtari i njohur francez Volteri: “Asgjë nuk është e lindur, të lindësh do të thotë zhvillim.” Me fjalë të tjera, të gjithë njerëzit kanë potencial të pafund dhe çdo gjë që e ëndërrojnë mund ta realizojnë me punë dhe përkushtim.

 

Cili është tipari më i fortë në karakterin tënd?

Jam një njeri që përshtatem shumë lehtë pasi që qysh në moshë të hershme si shtatëmbëdhjetë vjeçar kam kaluar nga Vjena në Londër, vetëm. Pastaj, kam vazhduar në Itali, Zvicër, jam kthyer në Kosovë tërësisht vetëm pra kam qenë shumë i pavarur në jetën time kështu që kjo pjesë e jetës më ka mësuar që të bëhem një njeri që përshtatem shumë lehtë me kultura dhe gjuhë të ndryshme. kështu që unë tani flas shqip, gjermanisht, anglisht, frëngjisht, italisht dhe deri diku edhe rusisht.

 

Çfarë mendoni për ndikimin e rrjeteve sociale në industrinë e argëtimit sot?

Nuk ka dyshim që rrjetet sociale kanë ndikim mjaft shumë, por nuk duhet të harrojmë se jo domosdo fama në rrjetet sociale mund të përkthehet tërësisht në jetën reale. E them këtë duke e pasur parasysh faktin se tani ekziston mundësia për të blerë pëlqime (Like), përcjellës (Followers), abonime (Subsribe), e kështu me radhë. Për shkak të kësaj, unë personalisht mendoj që rrjetet sociale janë duke ndikuar negativisht pasi që të rinjtë janë duke zhvilluar komplekse për shkak të krahasimit të jetës së tyre me jetën e bashkëmoshatarëve le të themi në Instagram. Mirëpo, ata nuk duhet ta harrojnë që për secilin prej përdoruesve jeta që ata e ndajnë me të tjerët në Instagram, në fakt është pasqyrim i asaj se si ata dëshirojnë ta kenë jetën e tyre dhe jo se si me të vërtetë ata jetojnë. Sepse askush nuk poston gjëra negative nga jeta e tyre, por vetëm momentet më të mira. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se ata kënaqen vazhdimisht. Sigurisht, rrjetet sociale kanë sjellë edhe shumë dobi, por të rinjtë duhet të mësojnë të dallojnë çka është realiteti dhe çka është realiteti i përmirësuar.

 

Cili është këngëtari/ja, aktori/ja dhe sportisti/sportistja juaj i/e adhuruar?

Travis Scott dhe Justin Bieber nga këngëtarët e huaj kurse nga shqiptarët më pëlqen Dua Lipa, Noizy, Era Istrefi. Prej aktorëve më pëlqejnë Denzel Washington dhe Christoph Waltz një aktor ky austriak i njohur për rolet e tij në filmat “Inglorious Bastards” dhe “Django Unchained”, pastaj Colin Farrell dhe Christian Bale. Ndërsa në sport, e di që sapo të them Real Madridi, të gjithë fansat e Barcelonës do të thonë “jo bre nuk po vyjka ky” (hahahahahah), por vërtetë Real Madridin e pëlqej shumë për mënyrën si luajnë, për atë që e përfaqëson ky klub, për standardet që i mban dhe synon ky klub, dhe ajo fanellë e bardhë është ikonë në mbarë botën. Ndërsa, prej sportistëve, normalisht më pëlqen Cristiano Ronaldo. Nga gjenerata e futbollistëve të rinj janë Mbappe, Haaland, etj.

Facebook, Instagram, Snapchat, WhatsApp, TikTok apo…?

Unë i përdori më së shumti Instagramin dhe WhatsApp.

 

Telefonatat, posta elektronike (email), apo porositë (SMS)?

Unë jam njeri që kam dëshirë që të mbarojë punë shpejt. Prandaj, për këtë qëllim komunikimi më i mirë është telefonata e drejtpërdrejt ku shpejt e merr ose e jep përgjigjen nëse do të bëhet apo jo diçka.

 

Radhiti sipas rëndësisë: Puna, Talenti dhe Pasioni?

Të tria shkojnë bashkë dhe për secilin renditja ndryshon sipas këndvështrimit personal. Mirëpo, unë mendoj se pa pasion kurrë nuk mund ta kryesh punën mirë, por pa talent edhe pasioni bie poshtë. Gjithsesi pasioni është i pari, puna numër dy dhe talenti është i treti.

 

Cila është porosia e juaj për lexuesit tanë?

Porosia ime është mos e lini veten kurrë keq dhe mos e lejoni kurrë askënd që t’ju shtyp dhe t’ua ul vlerën tuaj. Vlerësojeni veten dhe vendosni vetes qëllime në jetë, sepse besoj se një njeri pa qëllime në jetë nuk ka arsye as që të ngrihet nga shtrati. Në fund, dëgjoni edhe prindërit tuaj. E di se, shumë prej jush mendoni se kohërat kanë ndryshuar dhe prindërit nuk e kuptojnë këtë, edhe unë vet kam qenë në këtë situatë, por mos harroni se edhe prindërit kanë jetuar dhe kanë përvojë dhe mësime nga jeta që mund t’ju ndihmojnë shumë në jetë dhe për më tepër askush nuk ua do të mirën si nëna dhe babai juaj.